e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bogdani, gol fitoreje dhe sherr me portierin Romero

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bogdani, gol fitoreje dhe sherr me portierin Romero
Erjon Bogdani në ndeshjen e djeshme të Sienës kundër Sampdorias ka treguar edhe njëherë tjetër vlerat e tij si një sulmues me instinkt “vrasës” dhe se kur i nevojitet ekipit ai jep më të mirën duke qenë protagonist. Shtatlarti shqiptar i hedhur në fushë nga stoli ka arritur të jetë përcaktues për Sienën duke realizuar golin e parë dhe të vetëm të takimit, çka u përkthye në tri pikë për skuadrën e trajnerit Jakini.

Sulmuesi i Kombëtares sonë hyri në fushë në minutën 63 dhe i mjaftuan 8 minuta për të gjetur rrugën e golit. Ka qenë një krosim i hedhur në zonë, të cilin Bogdani e ka shfrytëzuar mjaft mirë duke goditur topin me kokë, ndërsa më parë kishte fituar duelin ajror me mbrojtësin kundërshtar. 1-0 për Sienën, rezultat që do të qëndronte i pandryshuar deri në fund të sfidës. Por 35-vjeçari kishte një tjetër shans për të realizuar golin e dytë, por nuk u tregua i saktë, ndërsa në minutën 76, ai u ndëshkua me karton të verdhë.

Një fitore mjaft e rëndësishme kjo për ekipin ku aktivizohet “Bogu”, pasi u arrit ndaj një rivali direkt që lufton për mbijetesë, pasi edhe Sampdoria gjendet në pozita të vështira në tabelën e klasifikimit. Siena ndodhet në fund të klasifikimit dhe është 4 pikë larg vendit që e mban në Serinë A. Goli i shënuar dje nga Erjon Bogdani i shton më shumë shpresat e tyre për të realizuar këtë objektiv, ndërsa për vetë sulmuesin “rrjeta” kundër “dorianëve” ishte e dyta në 7 takime të luajtura me fanellën bardhezi.

Paraqitja e tij e mirë mund të shtojë shanset, që “bomberi” të shihet me një “sy tjetër” nga ana e trajnerit Jakin, për ta aktivizuar më shumë minuta në ndeshjet në vazhdim. Sulmuesi: Ky gol, fundi i një makthi për ne Pas takimit, Erjon Bogdani është intervistuar nga mediat italiane, ku është ai shprehur mjaft i kënaqur për golin e realizuar prej tij dhe që pati mundësinë që t’i jepte tri pikët e para trajnerit Jakini. “ Realizimi im përfaqëson fundin e një “makthi”. Kemi punuar gjithnjë fort dhe e meritonim këtë fitore kundër Sampdorias. Këto janë tri pikë thelbësore dhe të rëndësishme për vazhdimësinë tonë në Serinë A. Kampionati për ne nis në këto momente. Nga sot (dje) e në vijim do të provojmë të gjitha shanset tona për të mos rënë nga kategoria. Tashmë çdo ndeshje, për ne do të jetë si një finale më vete. Jam i kënaqur edhe për trajnerin Jakini, sepse e meritonte këtë sukses për punën që ka bërë te Siena .

Ai ka qenë një motivues shumë i madh për ne futbollistët dhe ka sjellë një organizim perfekt në ekip. Tashmë po luajnë shumë lojtarë që më parë ishin lënë mënjanë”, u shpreh Bogdani për “Sky Sport” Novara në gjurmët e “Bogut” Një tjetër skuadër e Serisë B interesohet për të marrë shërbimet e Erjon Bogdanit. Bëhet fjalë për Novarën, e cila ka shprehur interes për të afruar në radhët e veta “bomberin” kuqezi. Megjithatë, pas paraqitjes së djeshme dhe dëshirës së vetë lojtarit për të qëndruar në Serinë A, duket se edhe këtë sezon ai do të lëvizë nga Siena . Kjo edhe për faktin se nga ekipi tashmë është larguar edhe sulmuesi Kalaio për te Napoli dhe vështirë se drejtuesit e klubit të lëshojnë edhe një tjetër futbollist në këtë merkato janari.

Bogdani
Debati me portierin e Sampdorias

Në minutën 76 Bogdani është ndëshkuar nga gjyqtari kryesor me karton të verdhë. Ndëshkimi erdhi si pasojë e një ndërhyrjeje të gabuar që sulmuesi shqiptar bëri ndaj portierit të Sampdorias. Në përpjekje për të shmangur rrezikun nga porta, Romero ka dalë nga zona, duke u vënë në kontroll të topit, por në atë moment “Bogu” ka zgjatur këmbën duke e goditur në bark.

Në fund të ndeshjes Romero i ka shkuar pranë Bogdanit duke i kërkuar llogari për shqelmin që mori. Kanë qenë shokët e ekipit që e kanë larguar portierin mik nga fusha, duke e futur atë në dhomat e zhveshjes, ndërsa debat kishte edhe midis trajnerit të Sienës dhe mbrojtësit të Sampdorias, Gastaldelo. Debatin midis Bogdanit dhe portierit argjentinas e ka pranuar edhe trajneri Jakini, por që sipas tij nuk ka degjeneruar deri në konflikt fizik. Tashmë kjo çështje do t’i takojë gjykatësit sportiv, i cili në bazë të pamjeve filmike mund të marrë edhe masa ndëshkuese për sulmuesin kuqezi.