e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Blushi: Paligjshmeria, paragjykimi i fundit i Europes per Shqiperine

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Blushi: Paligjshmeria, paragjykimi i fundit i Europes per Shqiperine
Analiza e deputetit të PS për integrimin. “Ndryshe nga një shekull më parë s’jemi një Turqi e vogël, s’jemi më as komunistë”.Kemi shumë vjet që ia bëjmë këtë pyetje vetes: pse nuk po hyjmë në Europë? Çfarë duhet të bëjmë që të jemi pjesë e Bashkimit Europian më shpejt? Por natyrisht ka edhe një pyetje më të veshtirë se kaq. Po sikur t’i bëjmë të gjitha, a do na pranojnë në Europë?

Në 20 vjet, Shqipëria nuk është qeverisur mirë, shpesh është qeverisur keq dhe, në disa raste, shumë keq. Nuk është qeverisur nga Europa, është qeverisur nga shqiptarët. Reformat serioze kanë munguar. Fakti që në 20 vjet 1 milion shqiptarë nga tre milionë kanë emigruar, do të thotë se reformat nuk kanë prodhuar cilësi jete, siguri dhe demokraci. Ata që kanë ikur nga varfëria, nga mjerimi dhe nga pakënaqësia.

Sepse ende edhe sot, çështjet themelore që ndajnë një demokraci funksionale që punon çdo ditë nga një demokraci amatore që punon vetëm natën, ende nuk janë zgjidhur.

Çështja e zgjedhjeve, e pronës dhe ajo e zhvillimit afatgjatë. Në fund të fundit, të tria kanë një shkak: mungesën e zbatimit të ligjit. Në përgjithësi, ne jemi një vend që nuk e zbaton ligjin. Grabitja e publikes në dobi të privates, pra dhuna e individit ndaj shoqërisë, është karakteristika jonë kryesore në këta 20 vjet.

Në këto dy dekada, ne kemi pasur pluralizëm, por nuk kemi pasur demokraci. Pluralizëm do të thotë të kesh shumë parti që konkurrojnë për të marrë pushtetin, çka ne e kemi, madje me bollëk. Ndërsa demokraci do të thotë që të gjitha partitë të zbatojnë ligjin, çka nuk ka ndodhur. Ky është dallimi i parë me Europën.

Në këta 20 vjet, ne kemi pasur ekonomi, por nuk kemi pasur zhvillim. Askush nuk pret nga ne që të prodhojmë makina, avionë apo tanke, por askush nga ne nuk e priste që në këto vite 80 për qind e mallrave që konsumojmë, t’i blejmë nga jashtë. Askush nga ne nuk e priste që të ktheheshim nga një popull që prodhonte me detyrim çdo gjë, në një popull që nuk prodhon dot shumicën e mallrave që konsumon. Jemi pra një vend që vetëm konsumon, duke dhënë përshtypjen e gabuar se jemi dhe një popull që nuk punon, por vetëm blen. Ky është dallimi i dytë me Europën.

Ne këta 20 vjet, ne kemi pasur shtet të pavarur, por nuk kemi pasur shtet të së drejtës. Ne kemi pasur pavarësinë e mjaftueshme për ta shkelur ligjin, por shumë rrallë e kemi zbatuar ligjin në mënyrë të pavarur. Kemi pasur pra shtet, por nuk kemi krijuar dot shoqëri. Kemi pasur një shtet të pakicës, por jo një shoqëri të shumicës. Prandaj, sot Shqipëria është kaq e polarizuar mes të varfërve dhe të pasurve, mes të dobëtëve dhe të fortëve, mes malit dhe fushës, mes qytetit dhe fshatit. Ky është dallimi i tretë me Europën.

E megjithatë, dallimet tona me Europën sot janë shumë më të vogla se para shumë vitesh ose, më saktë, të gjitha dallimet që kemi pasur, janë reduktuar në një: ligji ose, më saktë, mungesa e zbatimit të ligjit.

Nëse ka sot një arsye që vonon afrimin tonë me Europën, kjo është paligjshmëria. Paligjshmëria, pra shkelja e ligjit, na dallon sot me shumë se raca, gjuha, ideologjia apo feja. Është tipari ynë kryesor dhe ndoshta më i dukshmi. Ndryshe nga një shekull më parë, Europa nuk na paragjykon për arsye fetare. Sot nuk jemi një Turqi e vogël.

Ndryshe nga 20 vjet më parë, Europa nuk na paragjykon për arsye politike. Ne nuk jemi më komunistë. Nuk jemi një Rusi e vogël në mes të kapitalizmit dhe tregut të lirë. Sot na refuzon për shkak se ne nuk zbatojmë ligjin. Jemi një vend që shkelim ligjet, që i miratojmë vetë. Ky është paragjykimi i fundit dhe i vetëm që ka mbetur për ne.

Por për fatin tonë të madh, kjo bashkësi ku duam te hyjmë, nuk është një fuqi ushtarake. Ajo nuk na kërkon të kemi një ushtri të madhe për të qenë pjesë e saj. Për fatin tonë, Europa nuk është një fuqi koloniale. Ajo nuk na pushton. Nuk kërkon prej nesh të ndryshojmë as flamurin, as gjuhën, as fenë.

Ajo nuk është as një fuqi ekspansioniste në kuptimin ekonomik të fjalës. Nëse ne nuk duam ajo nuk na e merr detin, nuk shfrytëzon mineralet, nuk na rrëmben ujin dhe ajrin. Është një fuqi që nuk na merr asgjë dhe nuk na jep asgjë me zor. Kërkon nga ne vetëm të zbatojmë ligjin. Kjo është një kërkesë e vogël që do t’i jepte frymëzim çdo populli. Por ky nuk është ende rasti ynë.

Disa mendojnë se ne jemi shumë të vegjël dhe, duke qenë një vend i vogël, fati nuk na ka ndihur. Europa, mendojnë disa, as nuk ka çfarë merr dhe as nuk ka çfarë i jep një vendi kaq të vogël. Unë besoj se jo. Ky është thelbi i këtij bashkimi. Europa është bashkësia e vendeve të vogla. Në këtë bashkësi nuk ka shtete gjigante, në të cilat përmasat mundin nevojën për demokraci, si Rusia, Kina apo India. Në Europë janë të gjithë të vegjël dhe të gjithë janë të mëdhenj. Prandaj dhe ka barazi. Dhe prandaj ka mundësi e hapësirë edhe për ne.

Disa vjet më parë, Ballkani ishte një gjë tjetër nga ky që njohim. Kufijtë e Europës në Ballkan ishin shumë larg. Sot këta kufij nuk janë më. Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Kroacia janë pjesë e Europës. Nga Shkodra, kufiri kroat i Europës është më pak se dy orë. Pra, Europa është afruar. Por ky është një afrim që ka vetëm një shpejtësi: shpejtësinë tonë. Nëse duam afrohemi, sepse fatmirësisht nuk mund të largohemi. Ne nuk i ikim dot Europës.

Ky është fati ynë i mirë, madje më i miri. Ne s’mund t’i largohemi dot Europës edhe sikur të duam. Me gjithë përpjekjet e mëdha që kemi bërë gjatë historisë për të mos qenë europianë, duhet ta pranojmë se kemi dështuar. Ndër ne, europianët fituan mbi antieuropianët. Dhe gjithmonë do fitojnë.

Edhe ata që sot flasin për nacionalizëm, duhet t’i kuptojmë dhe t’i pranojmë si pjesë e kulturës së këtij kombi. Nacionalistët shqiptarë sot nuk janë më prootomanë, as prosovjetikë, shpesh ata janë antieuropianë. Edhe pa e kuptuar. Në përgjithësi ata janë njerëz, të cilët kanë frikë nga zbatimi i ligjit. Kjo është e gjitha. Bashkimi me Europën do u kufizonte të gjithë nacionalistëve mundësinë për të mos iu bindur ligjit. Nacionalistët për mendimin tim janë njerëz që kanë frikë nga Europa. Dhe përderisa ka antieuropianë në Europë, pse nuk duhet të ketë edhe në Shqipëri?

Ndryshimi është vetëm një: antieuropianët europianë duan ndryshimin e ligjeve, ndërsa antieuropianët shqiptarë duan një gjë tjetër: shkeljen e ligjit. Por për t’iu kthyer pyetjeve që bëra në fillim: Çfarë duhet të bëjmë ne që t’i bashkohemi Europës? Shumë e thjeshtë. Duhet vetëm të zbatojmë ligjin. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Çdo gjë më shumë do ishte teprim dhe çdo gjë më pak do ishte sërish teprim.

Sepse, me gjithë problemet që ka sot Europa që nga rënia ekonomike, te relativizimi i partive, dobësimi i rolit të saj në botë, e deri te dominimi i përkohshëm i një vendi kundrejt vendeve të tjera, sërish ajo mbetet i vetmi destinacion për ne. Sepse është një destinacion lirie për të gjithë ata që kanë vuajtur mungesën e lirisë, siç është edhe rasti ynë.