Bllokohen protestuesit ndaj Bollanos
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Tentativa e kryebashkiakut të Himarës Vasil Bollano, për të helenizuar historinë shqiptare, sjell reagimin e banorëve të Orikumit, Dukatit e disa zonave të tjera të Vlorës.Vargu i mjeteve me rreth 200 të rinj, iu ngjit dje Llogarasë me qëllim përfundimtar një protestë në Himarë kundër Bollanos. Por ata u bllokuan nga policia sapo arritën në Llogara, pasi protesta ishte e jashtëligjshme. Djemtë e Dukatit dhe krahinave përreth, me flamuj kombëtar e pankarta “Himara është Shqiptare”, u nisën dje rreth orës 10:00, duke kundërshtuar deklaratën e Bollanos, se Dukati dhe Labëria kanë identitet dhe ndërgjegje greke. Gjatë rrugës, nëpërmjet megafonit ata kërkonin largimin e tij me parullat “Bollano ik”, “Himara është Shqiptare” etj. Itinerari është ndjekur në çdo hap nga policia. Vargu i mjeteve është ndalur nga policia në dalje të qafës së Llogorasë, në pikën strategjike të vëzhgimit, nr.16 PSV. Edhe pse përfaqësuesit e Kuvendit të Krahinës së Dukatit kishte vendosur të shkonte deri në Himarë, policia e Vlorës i ka ndaluar, duke e konsideruar të paligjshme protestën. “Nuk lejohet zhvillimi i kësaj proteste për arsye se ky itinerar lëvizjeje është shumë i gjatë çka do të sillte bllokimin e rrugës nacionale dhe vështirësi të mbulimit me shërbim policor. Duke u nisur nga kjo, protesta është e paligjshme”. Kjo ishte përgjigja e policisë, kërkesës për tubimin në Himarë, duke theksuar se drejtuesit e kësaj proteste do të mbajnë përgjegjësi për “Organizim në grumbullime të paligjshme” dhe “Pengim të qarkullimit të automjeteve”. Ndërprerja e udhëtimit në majën e Llogarasë gjeti konsensusin e protestuesve. Ata theksuan se protesta do të ndërpritet këtu, pasi nuk mund të thyejnë ligjet e shtetit, ndërsa njëri prej të rinjve, Edviol Kulluri, lexoi deklaratën e Kuvendit të Krahinës së Dukatit. “Protesta jonë ka për qëllim të kundërshtojë tezën e qarqeve ekspansioniste greke, se Dukati, Tragjasi, Radhima dhe 30 fshatra të tjerë të Labërisë kanë ndërgjegje kombëtare greke. Protesta nuk i drejtohet banorëve të Himarës, sepse ne i quajmë ata vëllezër shqiptarë dhe kemi lidhje të hershme me ta. Ajo i drejtohet Vasil Bollanos, cili është misionar dhe agjent i qarqeve ekspansioniste greke”, thuhej në deklaratë. Në të shprehej edhe indinjata ndaj indiferencës që tregojnë politikanët, kundrejt dëshirës shoviniste greke në drejtim të trojeve etnike shqiptare në përgjithësi dhe krahinës së Dukatit në veçanti. “Protesta jonë u drejtohet disa grupeve ekstremiste greke që mendojnë se mund të mposhtin shpirtin patriotik shqiptar, duke e blerë me para dhe kurrsesi të gjithë popullit grek. I kërkojmë Vasil Bollanos të kërkojë falje për fjalët që ka shprehur në lidhje me identitetin kombëtar të Dukatit dhe Labërisë. Të ndërpresë urgjentisht veprimtarinë e tij antishqiptare në krahinën e Himarës. Të heqë nga faqja e Bashkisë së Himarës të gjitha të dhënat e shtrembra antishqiptare. I kërkojmë elitës politike shqiptare të marrë masa të menjëhershme për të mbrojtur vendin nga sulmet e qarqeve greke”, thuhej më tej në deklaratën e djemve protestues kundër deklaratave të Bollanos.
Reagimi i protestuesve
-Kundërshtojmë tezën e qarqeve ekspansioniste greke, se Dukati, Tragjasi, Radhima dhe 30 fshatra të Labërisë kanë ndërgjegje kombëtare greke
- U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, të mos harrojnë sakrificat mbinjerëzore që kanë bërë stërgjyshërit për të mbrojtur identitetin dhe gjuhën shqiptare.
- I kërkojmë Vasil Bollanos të kërkojë falje për fjalët që ka shprehur në lidhje me identitetin kombëtar të Dukatit dhe Labërisë.
- Bollano të ndërpresë urgjentisht veprimtarinë e tij antishqiptare në krahinën e Himarës.
- Të heqë nga faqja e Bashkisë së Himarës të gjitha të dhënat e shtrembra antishqiptare.
- I kërkojmë elitës politike shqiptare të marrë masa të menjëhershme për të mbrojtur vendin nga sulmet e qarqeve greke