e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bllohin fton gazetarin per nje 'bisede burrash'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bllohin fton gazetarin per nje 'bisede burrash'
Trajneri i Ukrainës, Oleg Bllohin, ka qenë shumë pranë përplasjes fizike një gazetar gjatë konferencës për shtyp pas humbjes me Anglinë, ndërsa ka ftuar përfaqësuesin e medias të dalë jashtë dhe ta zgjidhnin debatin përballë njëri-tjetrit. I pyetur nga gazetari rreth gjendjes fizike të lojtarëve ukrainas në këtë ndeshje, ish-fituesi i “Topit të Artë” shpërtheu: “Respekto punën time! E zgjidhim një kundër një?! A do të dalim jashtë? Eja të bëjmë një ‘bisedë burrash’”, ishte ftesa e tij. Kur gazetari në fjalë u ngrit në këmbë, u desh ndërhyrja e një prej zëdhënësve të UEFA-s që të qetësohej situata, por Bllohin vazhdoi me shpërthimin e tij publik.

“Duhet të respektosh faktin që unë kam luajtur futboll. A ke luajtur futboll ti? Më respekto mua dhe punën time. Nuk lejoj askënd të kritikojë skuadrën. Nëse je burrë, eja ta zgjidhim një kundër një”.

Më pas, ia ka vazhduar duke kritikuar gjykimin që sipas tij ishte në favor të anglezëve, jo vetëm për “golin fantazmë”, por edhe për faullet ndaj futbollistëve të tij.

“Ka 5 gjyqtarë në fushë dhe topi kalon 50 centimetra vijën. Përse na duhen 5 gjyqtarë? Ata nuk panë as gjuajtjen me bërryl të Keroll, apo faullin nga mbrapa të Xhon Territ. Kolina na ka thënë se në çdo lëvizje me bërryl është karton i verdhë dhe çdo faull nga mbrapa është karton i verdhë. Por ku ishin ato në këtë ndeshje? Shkruani çfarë të doni, i keni parë edhe vete gjërat”, ishte shfryrja e tij.