Berluskoni: Sinisha? Se di nëse do qëndrojë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Thrilleri" që ka shoqëruar Sinisha Mihajloviçin te Milani është i destinuar të vazhdojë.
Këtë e konfirmon edhe një herë tjetër Silvio Berluskoni, me presidentin, i cili është rikthyer në sulm të trajnerit serb, pas barazimit me Kievon, në Verona.
Ndonëse pas ndeshjes së kampionatit veteranët si mbrojtësi Injacio Abate dhe portieri Kristian Abiati kërkuan të zgjojnë skuadrën, por duke konfirmuar mbështetjen e tyre për strategun serb, është presidenti i kuqezinjve ai që është gjithmonë e më shumë i bindur se Sinisha Mihajloviç ka dështuar në misionin e tij.
Prandaj, i pyetur në një emision të "RAI"-t, nëse Mihajloviç do të vazhdojë të stërvitë skuadrën edhe në sezonin e ardhshëm ose jo, përgjigja e ish-kryeministrit italian ishte më se e qartë: "Është herët që të flasësh për këtë tani. Varet mbi të gjitha se si Milani do ta mbyllë këtë sezon. E kam rithënë, për të gjithë vendosin rezultatet".
Me pak fjalë, nëse objektivi minimal i kërkuar nga miliarderi italian, pra vendi i tretë, nuk arrihet, diçka që duket një mision i pamundur këto ndeshje të mbetura, trajneri serb do të përshëndesë "Milanello"-n.
Broki tundon Berluskonin
Humbja e fundit kundër Kievos jo vetëm tronditi edhe më shumë situatën e Milanit në kampionat, por nxori në sipërfaqe problemet, konfirmoi faktin se grupi nuk ecën i gjithi në një drejtim, sipas fjalëve të Kristian Abiatit.
Dhe për të qepur këtë "plagë", duke filluar nga sezoni i ardhshëm, sepse sivjet duket shumë vonë që kjo të ndodhë, Silvio Berluskoni po tundohet gjithmonë e më shumë nga ideja për t'ia dorëzuar Milanin ishmesfushorit kuqezi, Kristian Broki, trajneri aktual i të rinjve.
Edhe pse ky duket si eksperimenti i radhës, fakti që vetë Broki reagoi pas fjalëve të Abates dhe Abiatit kundër Kievos, duket një sinjal se diç- ka në prapaskenë ka nisur të lëvizë: "Situata te Milani?
Unë di që kur luaja për këtë skuadër, gjithkush që ishte pjesë e jona kishte stimuj shumë të mëdhenj për të mbajtur veshur këtë fanellë, ndërsa sot shoh më shumë frikë dhe presion. Cilido që vinte te Milani duhet ta kishte në ADN-në e tij dëshirën për të ecur me objektivat e skuadrës, sepse të mbash veshur këtë bluzë nuk është e lehtë, nuk është për këdo".
Përgatiti: ANDROKLI DRALO