e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha dhe Rama urojne grate me te njejtin mesazh: Gjithçka per barazine midis gruas dhe burrit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha dhe Rama urojne grate me te njejtin mesazh: Gjithçka per barazine midis gruas dhe burrit
Kryeministri Sali Berisha përmes rrjetit social të Facebook ka uruar gjithë gratë dhe vajzat ditën e 8 Marsit. Ai është zotuar se do të bëjë gjithçka për barazinë reale midis burrave dhe grave.

Sot është ditë nderimi të madh, mirënjohje të thellë për nënat, bashkëshortet, vajzat dhe motrat tona që me dashurinë, virtytet, përkushtimin dhe aftësitë, sakrificat e tyre pasurojnë, zhvillojnë, fisnikërojnë kaq shumë shpirtin, jetën, familjet tona, shoqërinë tonë dhe Shqipërinë. Duke ju shprehur sot mirënjohjen tonë më të thellë dhe urimet më të përzemërta grave, nënave motrave, vajzave shqiptare le të zotohemi ne për të bërë gjithçka që Shqipëria çdo ditë e më shumë të bëhet vendi i barazisë reale midis burrit dhe gruas, nënës dhe babait, vëllait dhe motrës”,- ka shkruar Berisha në Facebook.

Urimi i Ramës

Një urim për gratë ka shkruar edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e shoqëruar me një fotografi me dy femrat më të rëndësishme të jetës së tij, nënën dhe bashkëshorten.

“Në mes të dy grave më të rëndësishme të jetës sime dua t'u uroj megjithë zemër gëzuar 8 marsin të gjitha nënave, grave e vajzave të këtij vendi, ku sot më shumë se asnjëherë në gjithë këto vite lirie mbetet e hapur sfida e barazisë mes gruas e burrit. Sfida e krijimit të mundësisë së vajzave të vogla në zonat e vështira për të ndjekur shkollën njësoj si djemtë. Sfida e lehtësimit të barrëlindjes për nënat e pasiguruara, ngase të papuna dhe e uljes së papunësisë femërore në tërësi. Sfida e trajtimit josdiskriminues të vajzave e grave kur konkurrojnë me djem e me burra për një vend pune.

Sfida e rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe e zgjerimit të kuotës së tyre të përfaqësimit në këshilla vendore apo parlament. Dhe padyshim, sfida alarmante e ditëve të sotme përballë dhunës e krimit në familje që rëndon egërsisht mbi vajzat e gratë. 27 gra të vrara në vetëm vitin e 100 vjetorit të pavarësisë janë një kambanë buçitëse për shoqërinë dhe për ne, socialistët e progresistët shqiptarë në radhë të parë.

Do të ndërmarrim një politikë të re qeverisëse të barazisë gjinore e të shanseve të barabarta me votën e 23 qershorit për të rilindur Shqipërinë dhe do të hedhim hapa shumë domethënës në këtë drejtim. Falë edhe një grupi të fortë grash e vajzash që do të jenë pjesë e skuadrës sonë kombëtare për një Rilindje Shqiptare dhe do të luajnë rol kyç në qeverisjen tonë. GEZUAR!”,-ka shkruar Rama.