e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha-Rama, 'duel' per Piramiden. Kreu i PS-se i ve 3 kushte qeverise

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha-Rama, 'duel' per Piramiden. Kreu i PS-se i ve 3 kushte qeverise
Ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar te Piramida ka ulur dje në një tryezë të përbashkët dy kokat e politikës, Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama. Mbledhja e Komitetit Shtetëror për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar u drejtua nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërkohë që dyshja Berisha-Rama ishin përballë njëri-tjetrit. Brenda harkut kohor të 10 ditëve, dy liderët e së djathtës dhe së majtës, që për 16 muaj ‘kacafyteshin’ në distancë me njëri-tjetrin, janë takuar dy herë në të njëjtën sallë të Kryesisë së Kuvendit me paqe të plotë. Takimi i parë ishte më 22 tetor në tryezën e reformës zgjedhore, ndërsa i dyti ka qenë dje në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Përpos debatit mes palëve, mesazhi që përcjell ulja në tryezë të përbashkët të dy liderëve, përveç pjekurisë politike, ka në thelb ndryshimin e kursit politik që ka dominuar për 16 muaj me radhë.

Berisha-Rama

Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, kanë gjetur kompromisin e përbashkët për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar te qendra ndërkombëtare e kulturës “Pjetër Arbnori”, por janë ndarë në idenë e shembjes së Piramidës. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi në mënyrë eksplicite e të prerë se “nuk mund të ruhet monumenti i Piramidës, sepse është i lidhur me Enver Hoxhën”, ndërsa kryesocialisti Rama rezervoi dakordësinë e tij në këmbim të tri kushteve. Kushti i parë i kreut të opozitës është mosshembja e Piramidës, i dyti është ngritja e një konkursi ndërkombëtar dhe i treti, që qeveria të zgjidhë paralelisht edhe problemin e një televizioni kombëtar si “Top Channel” për mënyrën e sistemimit të tij. Kryeministri Berisha pranoi zhvillimin e një konkursi ndërkombëtar, këmbënguli në idenë e shembjes së Piramidës dhe nuk dha asnjë përgjigje lidhur me sistemimin e televizionit kombëtar “Top Channel”. Debati Berisha-Rama u interferua jo vetëm nga ndërhyrjet e kryetares Jozefina Topalli, por u kthye edhe shumë vite pas në kohë, duke përfshirë si pjesë të debatit edhe diktatorin Enver Hoxha.

Kushtet e Ramës

Pas një debati të ashpër me Kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli, kryesocialisti Rama kërkoi plotësimin e tri kushteve. Sipas Ramës, konkursi ndërkombëtar nuk mund të kthehet në një alibi për të shembur godinën. Një tjetër kusht i kërkuar nga Edi Rama ishte që “qeveria duhet të zgjidhë paralelisht edhe problemin e një televizioni kombëtar, për vetë mënyrën se si janë ndërtuar marrëdhëniet mes qeverisë dhe medias. Unë mendoj se në rast se biem dakord për këto, nuk ka arsye pse të mos i hapim rrugë një procesi që e transformon atë ngrehinë, që sot është realisht gërmadhë, në një Parlament”, tha Rama. Kryesocialisti Rama i kujtoi Kryeministrit Berisha se “të sillesh siç u soll Enver Hoxha kur shikonte fytyrën e armikut, me Piramidën do të thotë të jesh taleban”. Kryeministri, në lidhje me Piramidën, u tregua i vendosur, duke thënë se do ta shembë, ndërsa kreu i opozitës i kujtoi: “Ju nuk jeni zoti i këtij vendi. Ju nuk jeni Kushtetuta e këtij vendi”.

Debati për Enver Hoxhën

Diktatori Enver Hoxha ‘rikthehet’ në selinë e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Treshja dominuese e politikës, Sali Berisha, Edi Rama dhe Jozefina Topalli, në akuzat e ndërsjella nuk kanë lënë pa përmendur edhe diktatorin Hoxha. Fjalës së kryesocialistit Rama, se Berisha ka frikë nga hija e Enver Hoxhës, ka prishur paqen dhe buzëqeshjen në sallën e Kryesisë së Kuvendit mes liderëve. Berisha e akuzoi Ramën si lider shpirtëror të Enver Hoxhës, duke e konsideruar si “piktor i realizmit socialist, të penduar. Nëse nuk është penduar në ideologji, është penduar në art dhe më vjen mirë”. Kaq ka mjaftuar, që kreu i PS-së t’i kujtojë teserën e Partisë së Punës dhe eksperiencën e tij si mjek i Byrosë Politike Kryeministrit aktual.