e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha: Gjuha kineze te futet sa me shpejt ne shkollat shqiptare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha: Gjuha kineze te futet sa me shpejt ne shkollat shqiptare
Kryeministri Sali Berisha ka folur në konferencën e parë Ndërkombëtare Arsimore të Shqipërisë, ku ka theksuar se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij.Berisha theksoi se arsimi mbetet një nga problemet më themelore të shoqërisë dhe të vendit.

“Çështja e arsimit, mbetet problemi më serioz për çdo qytetar çdo shoqëri të qytetëruar dhe çdo qeverie. Çdo qëndrim ndaj edukimit të brezave është qëndrim ndaj të ardhmes dhe asgjë nuk përcakton më shumë të ardhmen sesa qëndrimi ynë i sotëm ndaj shkollimit të të rinjve. Qeveria ka shpallur publikisht edukimin si përparësia e të gjitha përparësive dhe për të mbështetur këtë përparësi unë kam kënaqësinë t`ju deklaroj se buxheti për këtë sektor jetik për zhvillimin e vendit së bashku me sektorin privat nga 2005-2012 është dyfishuar”, tha Berisha.

Gjithashtu  Berisha kërkoi që të rritet cilësia e mësimdhënies në arsimin universitar si dhe zhvillimin e gjuhëve të huaja të dyta në shkollat e vendit. Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot nga Ministria e Arsimit që të adoptohen të gjitha procedurat për mësimin sa më shpejt të gjuhës kineze në shkollat shqiptare.

“Duhet të bëjmë gjithçka që gjuhët e dyta në shkollat tona të kenë të njëjtën peshë dhe të inkurajohen edhe më tej. Të merren masa për gjuhën kineze e cila po merr peshë më të madhe në shkencë dhe në teknologji në botë dhe në Europë. Gjithashtu duhet të rendim pas cilësisë. Kjo është e vështirë por plotësisht e mundshme. Të shqyrtojmë të gjitha parametrat në universitetet tona duke filluar nga numri i pedagogëve për çdo nxënës. U bëj thirrje rektorëve që së bashku me Ministrinë e Arsimit të gjejnë metodat më të shpejta dhe të adoptohen për mësimin e gjuhës kineze në Shqipëri", u shpreh Berisha

 Ai ndër të tjera ka kërkuar që t’i jepet rëndësia e duhur gjuhës shqipe, sepse, sipas tij gjuha për shqiptarët është shtylla e identitetit kombëtar.

“Në  themel të kemi  gjuhën shqipe dhe matematikën. Gjuhën tonë ta vëmë në piedestalin  saj në gjithë sistemin arsimor, për shqiptarët gjuha është shtylla e identitetit kombëtar, pas gjeneve ata kanë gjuhën dhe më shumë se çdo komb tjetër duhet të përqendrohen në mësimin e saj, adaptohen metodat më të sprovuara në këtë drejtim dhe në tërësi mësuesit kanë një avantazh që shqiptarët e duan shumë gjuhën, duke e ndarë nga letërsia se ajo e gllabëron atë”, tha kryeministri.