e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Beqja: Situata alarmante, buxhetit i mungojne 400 milione dollare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Beqja: Situata alarmante, buxhetit i mungojne 400 milione dollare

Sekretari për programin në PS-së, Ilir Beqja i është kundërpërgjigjur Berishës, për situatën ekonomike. Sipas Beqjes, situata ekonomike në fakt është alarmante, pasi deri në fund të vitit, pritet që buxhetit t’i mungojnë 400 milionë dollarë nga mosrealizimet e arkëtimeve.

“Nuk është më lajm për askënd se gjendja e rëndë e financave publike dhe honi i thellë që po krijon keqadministrimi fiskal në Shqipëri, përbën një nga sfidat kryesore që do të adresohen nga qeveria e zgjedhur në 23 qershor. Situata është e vështirë. Në 5 muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat janë arkëtuar 150 milionë dollarë më pak se programi i fillimvitit.

Vetëm në muajin qershor mosrealizimi është shtuar edhe me rreth 50 milionë dollarë të tjerë. Me këto ritme, dhe duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të ekonomisë, ekspertët tanë parashikojnë që mosrealizimi të arrijë në 400 milionë dollarë deri në fund të vitit. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe një tjetër shifër e rëndë: Vetëm në 6 muajt e parë të vitit qeveria në ikje ka ezauruar plot 90% të deficitit buxhetor vjetor”, tha Beqja.

Ministrit të Financave: Bëj transparente situatën ekonomike

“Në këto kushte, me legjitimitetin dhe autoritetin që buron nga vota e plotë 1 milion shqiptarëve që kanë votuar për qeverinë e koalicionit, i kërkojmë Ministrisë së Financave si ministri që ka përgjegjësinë jo thjesht morale, por edhe ligjore, të kujdestarisë mbi financave të shtetit shqiptar deri në betimin e qeverisë së re që:

Të bëjë publike sa më parë treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për 6 muajt e parë të vitit; Të ushtrojë detyrat ligjore në administrimin e mbledhjes së detyrimeve tatimore dhe doganore; Të ndërpresë çdo lloj negociate në vijim për kontrata e projekte me financues të ndryshëm që rrisin borxhin e jashtëm të Shqipërisë. Të garantojë që në periudhën 12 – 30 korrik 2013, gjatë së cilës do të bëhet upgrade i sistemit automatik të thesarit, të garantohen pagesat e ndihmës ekonomike, pagesat e përfitimeve të personave me aftësi të kufizuar, pagesat e pensioneve dhe pagesat e rrogave”, përfundoi Beqja.