e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Beqiri: Ja si Partizani mund ta fitojë titullin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Beqiri: Ja si Partizani mund ta fitojë titullin

Ish-kapiteni i Partizanit, Ardit Beqiri, në një intervistë për "Panorama Sport" ka deklaruar se barazimi i fundit me Skënderbeun e ka komplikuar fitimin e titullit për të kuqtë. ardit beqiriPor, me atë që kanë dhënë ekipet në përballjet direkte, ishmbrojtësi e shikon Partizanin më dominues. Beqiri i jep edhe një përgjigje ish-shokut të skuadrës, portierit Orges Shehi, për paralelizmin e këtij edicioni me atë të 2007-2008, ku "demat" e humbën titullin në javën e fundit karshi Dinamos. Më pas, Ardit Beqiri tregon lëvizjet e janarit në klub, si dhe jep mendimin e tij se si mund të shkohet te fitimi i titullit.

Ardit, si e shikoni betejën direkte mes Partizanit dhe Skënderbeut për fitimin e titullit kampion?

Barazimi i fundit ia ka komplikuar Partizanit fitimin e titullit kampion, por, kur dihet se ka mbetur edhe një fazë për t'u luajtur, matematikisht diferenca katërpikëshe me Skënderbeun konsiderohet e rikuperueshme.

Partizanit tani i duhet të marrë 9 fitore radhazi dhe të shpresojë për ndonjë gabim të lehtë të korçarëve. Si i keni parë skuadrat gjatë tri fazave të para?

Partizani ka dominuar ndaj korçarëve në përballjet direkte me Skënderbeun, madje edhe në ndeshjen që u mundën në Korçë të kuqtë kanë luajtur më mirë. Fati u ka buzëqeshur më shumë korçarëve, të cilët arritën që t'i merrnin pikë Partizanit edhe në ditë të vështira, si dhe ka gabuar më pak me të voglat. Personalisht, Skënderbeun e 2016-ës e shikoj më të dobët se në dy fazat e para.

Përveç diferencës katërpikëshe, ka ndonjë faktor tjetër që i bën korçarët më të favorizuar për fitimin e titullit kampion?

Partizani karakterizohet nga forca e grupit, karakteristikë të cilën e ka pasur edhe skuadra ku unë isha kapiten në sezonin 2007-2008, që ishim shumë pranë titullit. Ndërsa Skënderbeu i ka më të shumtë elementët cilësorë në ekip. Diferenca u jep më shumë qetësi korçarëve, pastaj trysnia është më e madhe te kryeqytetasit. Ata vijnë pas pesë titujve radhazi, ndërsa mungesa e gjatë e trofeve e shton presionin te Partizani. Mungesa e gjatë e titullit kampion është armiku kryesor i Partizanit në këtë duel me Skënderbeun.

Meqë u përmend sezoni 2007-2008, kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, që e keni pasur shok skuadre, pohoi se Partizani aktual i ngjan pak a shumë me skuadrën e atij edicioni.Ju si e gjykoni këtë fakt?

Nuk e di ku ka dashur të dalë Orgesi në këtë parashikim. Gjithsesi atë vit ne na lejohej që të bënim ndonjë gabim të lehtë në betejën që kishim me Dinamon, ndërsa këtij Partizani i duhet vetëm fitorja. Mbase Shehi ka parashikuar që në javën e parafundit situata do të jetë e ngjashme si me Partizanin e atij sezoni. Por në futboll nuk shkohet me parashikime, por me këmbë në tokë dhe përballja direkte ta tregojë se kush do ta meritojë titullin. Gjithsesi, dua ta përsëris sërish se Partizani i këtij sezoni ka qenë më dominues ndaj Skënderbeut dhe nëse e fitojnë titullin, gjithçka do të jetë e merituar.

Në fund, si i keni parë ndryshimet që pësoi Partizani në janar?

Nuk më takon mua të gjykoj politikat e klubit, pasi janë drejtuesit ata që planifikojnë politikat e tyre. Ekipi më duket i fortë dhe konkurrent i denjë për titullin kampion. Sipas mendimit tim, trajneri Starova duhet të vazhdonte në krye të skuadrës. "Bobi" ka qenë trajneri i fundit që i ka dhënë titullin Partizanit dhe besoj se do të ishte i duhuri për ta rikthyer. Pa paragjykuar punën e trajnerit aktual, mendoj se rendimenti i skuadrës nuk do të ishte më i ulët me Starovën, mbase do të merrnin diçka më shumë, pasi ai e njeh mirë futbollin shqiptar.

Përgatiti: ILIR CARA