e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Beogradi kerkon 'Republike Serbe' ne Kosove!

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Beogradi kerkon 'Republike Serbe' ne Kosove!
Gazeta e përditshme “Novosti” e Beogradit shkrua sot, se kreu shtetëror serb ka arritur më në fund pajtimin rreth platformës për Kosovën. Sipas kësaj gazete, platforma kërkon status të posaçëm për serbët në Veri pa njohje të Kosovës. Për platformën do të deklarohen Grupet Parlamentare, serbët nga Kosova dhe në fund Kuvendi i Serbisë.

“Sipas informacioneve jozyrtare, Serbia do të duhej të luftonte për të drejta sa më të gjera dhe formale të qytetarëve në Veri. Ideja është që, Veriu të fitojë autonomi sa më të gjerë territoriale, entitet të veçantë, sikur Republika Serbe në Bosnjë”, shkruan “Novosti”.

Në praktikë, në Veri nuk do të kishte më institucione të Serbisë, por autonomi serbe. Ky propozim do të jetë temë e shqyrtimit edhe me bashkësinë ndërkombëtare, thekson gazeta.

“Por, platforma, gjithashtu, do të thirret edhe në Kushtetutën e Serbisë, sepse Beogradi nuk do të njohë me asnjë kusht pavarësinë e Kosovës. Më këtë qasje mbrohet qëllimi kryesor: të lehtësohet sa më shumë jeta e serbëve dhe njëkohësisht, ata të mos kenë lidhje të drejtpërdrejtë me institucionet e Kosovës”, shkruan “Novosti”.

Ndërsa përfaqësuesi i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviç i deklaroi “Zërit”, se serbët e veriut në asnjë rrethanë e për asnjë kusht nuk do të integrohen në institucionet e Prishtinës, sepse nuk u besojnë. “Prandaj, që kjo çështje të rregullohet duhet të gjendet një zgjidhje, që do të jetë e pranueshme për të dyja palët, e kjo është dhënia e një autonomie për veriun e Mitrovicës”, ka theksuar Ivanoviç, ish-sekretar për Kosovës në qeverinë e kaluar serbe.

Sipas tij, autonomia për veriun do të ishte një zgjidhje, që do të kënaqte serbët në veri. “E kjo do të duhej të ishte e pranueshme edhe për shqiptarët, për shkak se me autonomi nuk do të ketë ndarje të Kosovës, ashtu siç po ia kanë frikën shumica e tyre”, ka thënë ai. Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm, se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, të paktën jo, siç thekson ai gjatë këtij shekulli.