Basha dhe Olldashi kandidatet per kreun e PD, votimi me 22 Korrik
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Lulëzim Basha dhe Sokol Olldashi janë dy kandidatët demokratë, që do të garojnë deri më 22 korrik për postin e kryetarit të partisë. Pas 60 minuta mbledhje, kryesia e PD-së vendosi dje zyrtarizimin e dy emrave sa më sipër, ndërkohë që u la e hapur gara për dy kandidatët e tjerë, që kishin depozituar kërkesën pranë zyrës së organizimit, Astrit Sinanaj anëtar i PD-së së Fierit dhe Sokol Baja anëtar i PD-së Tiranë.
“…Rezultoi që kushtet për të qenë kandidatura zyrtare të Partisë Demokratike plotësojnë dy kandidatët, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi. Kryesia paraqet para anëtarësisë këto kandidatura zyrtare të Partisë Demokratike, sepse kandidaturat mund të jenë zyrtare të kryesisë, por mund të jenë edhe individuale. Kryesia konstatoi se përveç këtyre dy kandidaturave kanë shprehur vullnetin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike dy anëtarë të saj Sokol Paja nga Tirana dhe Astrit Sinanaj. Kryesia mendoi që këta kanë të drejtë duke plotësuar rrugën që përcakton statuti për ata që duan të dalin. Nëse ata i plotësojnë i garantoj që do vendosen në lista”, – tha Berisha pas mbledhjes së kryesisë. Proçesi i garimit pritet që të zgjasë dy javw ndërsa për mbikqyrjen e saj do të ngrihet një “KQZ”, siç e cilësoi Berisha, ku secili prej dy kandidatëve do të ketë anëtarin e tij. Duke theksuar sërish se proçesi do të vëzhgohet nga ai vetë, kryetari i dorëhequr siguroi se të dy kandidatët janë plotësisht të përgatitur për të pranuar me qetësi verdiktin e anëtarësisë së partisë. Një siguri të tillë e dhanë në prononcimet e tyre të shkurtra edhe dy kandidatët Basha dhe Olldashi.
Ky i fundit u shpreh dje pas mbledhjes së kryesisë se gara do të jetë dinjitoze. “Jam i bindur që do të zhvillojmë një garë dinjitoze, shumë positive, e cila do t’i japë strukturave të Partisë Demokratike mundësinë që të gjykojë dhe të arrijë me një vendim me votën e vetë të datës 22 korrik”, – tha ai. Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha u shpreh optimist për garën. “Dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vendim si edhe bindjen time që nga ky proces do të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar”, – shtoi ai. Ndërkohë, në fillim të mbledhjes së kryesisë, Berisha kujtoi sërish se çdo zyrtar i Partisë Demokratike që dëshiron të lobojë publikisht për njërin apo për tjetrin kandidat të kësaj partie, duhet të japë dorëheqjen nga funksioni partiak që ai ka. “…
Kryetari do e ruajë neutralitetin, kurse ai të mos e ruajë, por të lobojë nga mëngjesi deri në darkë për kandidatin që do”, – shtoi ai. Berisha konsideroi të domosdoshëm zgjedhjen e një lidershipi të ri dhe të fortë. “Është në detyrën tonë më parësore flakja me një anë e mantelit të një force politike në pushtet, pra të pushtetarëve, përveshja e llërëve për tu shndërruar në opozitën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë. Partia Demokratike ka potencialin më të madh se kurrë në historinë e saj për tu bërë pushteti moral i vendit për të ndërtuar, promovuar dhe gritur me të vlerat dhe parimet të cilat ajo ndan me qytetarët shqiptarë dhe partitë simotra kudo në botë”, – tha ai. Në mbledhjen e djeshme të kryesisë mungonte sërish Ilir Rusmali dhe Fatos Beja