e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Basha: Bashkia e Tiranes do jete e hapur per te gjithe qytetaret

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Basha: Bashkia e Tiranes do jete e hapur per te gjithe qytetaret
Kryetari i ri i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha iu drejtua të hënën anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës, duke premtuar se do ta bëjë Tiranën një qytet më të mire. Zoti Basha premtoi bashkëpunim me të gjithë pavarësisht se cilës parti politike i përkasin dhe theksoi se e rëndësishme është të punohet së bashku që idetë e mira të realizohen. Administrata jonë do jetë gjithëpërfshirëse duke përfaqësuar familjen tonë të dashur Tiranën, tha ai.

Kryetari i ri i bashkisë nënvizoi se sot nis një udhëtim i ri për të përmbushur një mission. “Gjërat nuk do ndryshojnë brenda ditës, por ndryshimi do vijë më shpejt nëse punojmë së bashku, ndryshimi nuk do të jetë I lehtë”, tha zoti Basha, duke theksuar se kjo fushatë nuk ishte as për të, as për kundërshtarin e tij, por vetëm për qytetarët.

“Ju siguroj se me të njëjtën përkushtim do vazhdoj t’iu dëgjoj”, shtoi ai, duke siguruar qytetarët se Bashkia e Tiranës i përket të gjithë qytetarëve të saj. Zoti Basha tha se do të përcaktojë një orar zyrtar në të cilin qytetarët mund të takojnë kryetarin e bashkisë për problemet apo mendimet e tyre për zhvillimin e qytetit.

“Bashkia e Tiranës do jetë e hapur për të gjithë qytetarët”, tha ai, duke shtuar se bashkia do të punojë njësoj për të gjithë. Ai vuri në dukje se bashkia u shndërrua në një arenë konflikti politik që tejkaloi cdo masë. “Bashkisë së Tiranës nuk i takon të jetë pjesë e këtij konflikti, interesat e qytetarëve të Tiranës të parat”, tha zoti Basha, duke theksuar se bashkia do punojë për ti dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve dhe se nuk ka vend për luftë politike.

Partitë politike duhet të punojnë së bashku për të arritur rezultate, është koha t’i përkushtohemi zhvillimit të gjithanshëm të qytetit, tha kryetari i ri i bashkisë, duke konfirmuar se do të fillojë menjëherë punën dhe ka përgatitur tashmë një program ambicioz për 100 ditët e para, në të cilin përfshihen masa për mbrojtjen e konsumatorit, për investimet, për zgjidhjen e trafikut në qendër, masat për hipoketimin e banesave, një sistem të ri të financave në bashki, taksa të reduktura, eliminimin e 60 lloje taksa dhe tarifa dhe ngritjen e sistemit informatik për shpenzimet e bashkisë online.

“Përpjekja jonë nuk është që të punojmë për zgjedhjet e ardhshme por për brezat e ardhshëm”, tha ai, duke shtuar se edhe kur nuk biem dakord me njëri-tjetrin, duhet të ruajmë qytetarinë. “Në fund jemi të gjithë shqiptarë dhe qytetarë të Tiranës”, tha zoti Basha, duke bërë thirrje për bashkim sepse vetëm kështu objektivat më ambicioze për qytetin dhe qytetarët, nuk do të jenë të pamundura.