e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bardhe e blu, kombetarja me fanelle si greket ne Zvicer…

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bardhe e blu, kombetarja me fanelle si greket ne Zvicer…
Ndeshja Zvicër-Shqipëri  2-0, përveç gafave të mbrojtjes sonë në rastin e dy golave të helvetëve, ka prodhuar edhe një gafë institucionale dhe imazhi, që ngërthen as më pak e as më shumë, por ngjyrat dhe simbolet kombëtare në përfaqësuese. Nuk duhet ndonjë sy shumë i mprehtë për të pikasur ngjashmëritë deri në “fotokopjim” të unformës me të cilën luajti kombëtarja jonë në Luzernë me atë të kombëtares greke….

Quajeni rastësi, mangësi, mungesë seriozite ti apo edhe neglizhencë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Mund të shihet edhe si një lloj mospërfillje edhe nga ana e kompanisë që prodhon dhe pajis ekipin tonë përfaqësues me uniforma (dy uniforma, një për ndeshjet në shtëpi dhe një për ato në transfertë), por është fakt ama se fanella që veshën futbollistët shqiptarë në ndeshjen ndaj Zvicrës mbrëmjen e së martës nuk kishte aspak lidhje jo vetëm me ngjyrat kuqezi, por as me atë çka përfaqëson në vetvete emblema e Kombëtares. U duk tejet e çuditshme por, duke qenë se luhej nën një tension dhe entuziazëm që rrallëherë (ose më mirë asnjëherë) e kemi parë përreth skuadrës sonë në ndeshjet në tranfertë, askush nuk i vuri shumë rëndësi faktit se po luanim me një fanellë identike si ajo e Kombëtares së Greqisë.

Të pranishmit në stadium, por edhe ata që e kanë ndjekur ndeshjen në ekran, kanë fërkuar sytë dhe në vend të ngjyrave të zakonshme, të kuqe dhe të zeza në fushën tonë, apo të bardha me mbathje të zeza dhe çorape të kuqe, kanë parë një Shqipëri të veshur të gjithën me të bardha, por me një uniformë ku spikatnin shiritat blu. Me pak fjalë, kjo uniformë nuk ishte asgjë më pak dhe asgjë më shumë sesa uniforma e dytë e përfaqësueses greke. Vërtetë në Zvicër do të luanim me uniformën e dytë, jo tradicionalen, por një gjë mbetet e pashpjegueshme: çfarë përfaqësojnë shiritat blu? Uniforma e kuqezinjve në sfidën me helvetët ishte identike me atë që përdor kombëtarja greke, me të vetmin ndryshim, logon e federatës.

Siç dihet, Kombëtarja shqiptare furnizohet nga kompania “Adidas” me uniforma dhe, para nënshkrimit të kontratës me këtë të fundit, si gjithnjë jepen nga federata edhe dizajni për fanellat, pantallonat e shkurtra, getat, e gjithçka tjetër, deri edhe te kostumi serioz që veshin lojtarët kur janë në udhëtim. Por, nuk kuptohet se përse kompania “Adidas” ka bërë një furnizim të tillë me një fanellë, e cila jo vetëm që i përket një shteti tjetër, por për më tepër nuk ka asnjë lidhje me Kombëtaren shqiptare.

Ndërkohë, nuk kuptohet as arsyeja se përse drejtuesit e federatës sonë nuk kanë reaguar, ose përse kanë pranuar një furnizim të tillë, përderisa në të gjithë uniformën e ekipit nuk kishte asgjë që të na identifikonte, pra asnjë cep me ngjyrë të zezë apo të kuqe. Faktikisht, përgjegjësia bie te FSHF-ja, e cila duhet të pranojë, sipas kontratës së nënshkruar me “Adidas”, vetëm uniforma të dizenjuara, të pranuara që më përpara dhe që kanë lidhje me identitetin kuqezi.

Prodani: Uniforma alternative, e zgjodhi kompania, jo FSHF-ja

Prodani: Uniforma alternative, e zgjodhi kompania, jo FSHF-ja Nuk ka vonuar edhe reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit lidhur me gafën e uniformës së Kombëtares në ndeshjen me Zvicrën. I pyetur nga “Panorama Sport”, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, ka sqaruar se fanellat në këtë ndeshje janë sjellë nga kompania “Adidas” dhe nuk janë përzgjedhur më parë nga ana e federatës.

“Fanella me të cilën luajtën lojtarët e kombëtares sonë në Zvicër është alternative, ose më mirë një tip uniforme, që përdoret vetëm në ndeshjet në transfertë. Federata Shqiptare e Futbollit i ka marrë falë një programi shkëmbimi që UEFA ka me ‘Adidas’-in për furnizimin me uniforma të vendeve të ndryshme. Ndoshta, kontingjenti i furnizimit nuk ka pasur uniforma të bardha me viza të zeza, duke qenë se Zvicra vendëse luante me të kuqe, dhe janë përdorur ato me vija blu. Por, unë nuk e kam parë si të përafërt me atë greke.

Madje, nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje kjo gjë. Gjithsesi, ju konfirmoj se uniforma nuk është zgjedhur nga ana jonë, por është sjellë nga kompania”, – ka thënë Prodani. Siç dihet, vitin e shkuar federata shfrytëzoi një program të UEFA-s në marrëveshje me ‘Adidas’-in, e cila kishte për qëllim të ndihmonte federatat e vendeve të vogla që nuk kanë mundësi të përballojnë ekonomikisht kontrata me kompaninë në fjalë. Kjo do të thotë që federata jonë nuk paguan asgjë për furnizimin me materiale të ‘Adidas’-it. Por, nga ana tjetër, duke qenë se janë falas, kompania nuk tregohet shumë dashamirëse ndaj kërkesave të FSHF-së, duke e furnizuar ndoshta edhe me material stok.