Barca dhe Juve shkojne ne cerekfinale
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barcelona dhe Juventusi kanë siguruar një biletë për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Blaugranat kanë arritur të triumfojnë para shikuesve në stadiumin Camp Nou kundër Mançester Sitit me rezultat 1:0.
Katalonasit kaluan në epërsi në minutën e 31-të ndeshjes, kur një pasim të saktë të Lionnel Messit, nuk e çoi huq mesfushori kroat, Ivan Rakitiç. Edhe në pjesën e dytë, të besuarit e trajnerit Luis Enrique vazhduan me paraqitje të mirë.
Siti kishte rastin më të mirë për të barazuar rezultatin në minutën e 77-të të takimit, kur Sergio Aguero nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë. Javier Mascherano ndërhyri në mënyrë të palejuar brenda zonës së rreptësisë ndaj Agueros dhe për këtë arsye, mesfushori i Barcelonës u ndëshkua me karton të kuq.
Në vazhdim të ndeshjes, megjithëse te dyja skuadrat patën raste, takimi përfundoi me rezultatin e arritur në pjesën e parë, 1-0 për Bacelonën. Në ndeshjen e parë, Barcelona kishte triumfuar ndaj Sitit me rezultat 2-1.
Ndërsa Juventusi e nënshtroi Borusia Dortmundin edhe para tifozëve në Signal Iduna Park (0-3).
Ishte një fillim ëndrrash për bardhezinjtë që filluan të sulmojnë nga minuta e parë dhe shumë shpejtë erdhën te goli i epërsisë. Carlos Tevez ishte fantastik me një goditje nga jashtë zonës që nuk e ndali portieri Weidenfeller (3’). Nga momenti i golit, ekipi vendas e dominoi tërësisht ndeshjen duke i mbajtur mysafirët para zonës së tyre, mirëpo nuk u rrezikua porta e Gigi Buffon.
Moment i keq për Juven ishte lëndimi i Paul Pogbas, vendin e të cilit e zuri Andrea Barzagli, ndërsa bardhezinjtë nga ai çast, bënë lojë akoma më defensive.
Në minutën e 70-të erdhi goli i qetësisë për bardhezinjtë. Marchisio pasoi një top të mirë te Tevez, i cili bëri gjithçka dhe asistoi te Alvaro Morata që shënoi në portën bosh. Lojtari i ndeshjes, Carlos Tevez, pranoi një top nga Pereyra, shkoi përpara dhe realizoi golin e nokautit që shoi edhe ato pak shpresa të mbetura të ekipit gjerman (79’).
Përballja e parë e zhvilluar në Torino përfundoi me rezultat 2-1 në favor të Zonjës së Vjetër dhe pas ndeshjes kthyese, Juventusi kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 5-1.