e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Baraku: Denimi per prostitucionin diskriminon, ja pse duhet te shfuqizohet

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Baraku: Denimi per prostitucionin diskriminon, ja pse duhet te shfuqizohet
Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku shprehet me bindje se neni 113 i Kodit Penal duhet shfuqizuar, pasi diskriminon. E ndërgjegjshme për rekomandimin delikat që ka dërguar në komisionin e Ligjeve, ajo thotë megjithatë se legalizimi ose jo i prostitucionit nuk është një çështje që mund të vlerësohet nga ajo, e as që ka qenë qëllimi i Komisionerit. “Qëllimi ynë është trajtimi i barabartë i grave dhe vajzave që e ushtrojnë atë, me përfituesit e seksit me pagesë”, – thotë Baraku. Tepër diskrete për ta shtrirë debatin mbi pasojat që mund të sjellë shfuqizimi i dënimit të prostitucionit, Baraku sugjeron megjithatë praktikat e ndjekura në disa vende të BE-së, si Suedia apo Islanda, që trajtojnë me pozitivitet grupet vulnerabël siç janë gratë dhe vajzat.

Znj.Baraku, në cilësinë e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i keni rekomanduar Kuvendit shfuqizimin e nenit 113 të Kodit Penal, që dënon ushtrimin e prostitucionit. Nga mori shkas ky propozim?

Në zbatim të kompetencave që ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” i ka dhënë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, nga ana jonë, bazuar në nenin 33/1ë të ligjit, sipas të cilit parashikohet se Komisioneri ka kompetencë t’u bëjë rekomandime autoriteteve kompetente, duke propozuar miratimin e legjislacionit të ri, ndryshimin apo reformimin e legjislacionit ekzistues, i jemi drejtuar komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Ky rekomandim i yni mori shkas nga një informacion i ardhur nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNL), organizatë kjo jofitimprurëse, e cila ka në misionin e saj mbështetjen, ndihmën dhe edukimin e shtetasve, me përparësi gratë dhe vajzat. Në bazë të ligjit dhe duke e vlerësuar këtë informacion të ardhur si të besueshëm, nga ana jonë janë marrë në shqyrtim të dhënat dhe informacioni i përcjellë. Përveç informacionit të përcjellë, Komisioneri ka marrë në shqyrtim raportet e organizatave ndërkombëtare dhe konkretisht konkluzionet përfundimtare që ka dhënë Komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për eliminimin e diskriminimit ndaj grave (CEDAW), në lidhje me raportimin III periodik të Shqipërisë më 26 korrik 2010. Në këtë raport, Komiteti nga njëra anë vlerëson hapat pozitivë të ndërmarrë nga shteti shqiptar në drejtim të luftës kundër trafikimit të grave dhe vajzave, dhe nga ana tjetër përsërit shqetësimin e tij, të përfshirë dhe në vëzhgimet e mëparshme, se prostitutat dhe viktimat e trafikimit vazhdojnë t’i nënshtrohen dënimit penal në pajtim me Kodin Penal.

Shqipëria ka aderuar që prej  vitit 1993 në Konventën  e OKB-së “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave” dhe raporton pranë CEDAW, mbi zbatimin e Konventës “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave” dhe theksojmë këtu se Komiteti CEDAW është organi kompetent që mund të bëjë interpretimin përfundimtar të Konventës “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave”. Bazuar në neni 116 dhe 122/2  të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj nga Republika e Shqipërisë, kanë epërsi ndaj ligjeve të vendit, të cilat nuk pajtohen me to.

Në rekomandimin tuaj thoni se neni 113 diskriminon vajzat apo gratë që ushtrojnë prostitucion. Nga shqyrtimi që ju keni kryer, a e parashikon Kodi aktual dënimin e klientëve?

Në referim të Kodit Penal, shohim se veprat penale lidhur me prostitucionin janë përfshirë në Seksioni VIII “Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit”. Ky nen sanksionon se: “Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Veprimet kriminale me të cilat konsumohet vepra penale e parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal, kryhen në fakt jo vetëm nga përfituesi i shpërblimit, por edhe nga personi që përfiton marrëdhënie seksuale në mënyrë të paligjshme, apo edhe nga persona që mund të përfitojnë në mënyra të ndryshme nga ushtrimi i prostitucionit. Pra, edhe pse veprimet me të cilat konsumohet kjo vepër penale kryhen si nga vajzat apo gratë, ashtu edhe nga personi që përfiton marrëdhënien seksuale, të cilën legjislacioni e konsideron të dënueshme, ky i fundit, pra klienti, sipas mënyrës së ndërtimit të kësaj dispozite nuk i nënshtrohet përgjegjësisë penale. Nëse synimi i legjislatorit me sanksionimin si vepër penale të këtyre sjelljeve është mbrojtja e moralit të shoqërisë, atëherë edhe ndëshkimi duhet të ishte i njëjtë.

Pra, efekti i kësaj dispozite është i ndryshëm për këto dy grupe personash dhe konkretisht i vendos gratë dhe vajzat nën një trajtim më pak të favorshëm. Për këtë arsye dhe bazuar në kompetencat e Komisionerit si dhe në  përkufizimin që ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” i bën diskriminimit të tërthortë, si “formë diskriminimi që ndodh kur një dispozitë, kriter apo praktikë, e paanshme në dukje, do ta vinte një person ose grup personash në kushte jo të favorshme, në lidhje me shkaqet e parashtruara në nenin 1 të këtij ligji, në raport me një tjetër person ose grup personash, si dhe kur ajo masë, kriter a praktikë nuk justifikohen objektivisht nga një synim i ligjshëm, ose kur mjetet e arritjes së këtij synimi, ose nuk janë të përshtatshme, ose nuk janë të domosdoshme dhe në përpjesëtim të drejtë me gjendjen që e ka shkaktuar atë”. Neni 113 i Kodit Penal vendos grupin e grave dhe të vajzave në kushte jo të favorshme për shkak të gjinisë së tyre, një shkak ky i mbrojtur nga ligji në raport me personat që përfitojnë marrëdhënie seksuale në mënyrë të paligjshme, të cilët edhe pse me veprimet e tyre konsumojnë elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal, nuk ndëshkohen.

Zonja Baraku, shfuqizimi i këtij neni, a nuk i hap “de facto” rrugën legalizimit të prostitucionit edhe në Shqipëri, apo lehtësimit të rrethanave të tij?

Qëllimi i ligjit të miratuar nga Parlamenti shqiptar në datën 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi’, është të sigurojë të drejtën e çdo personi për trajtim të barabartë. Ky ka qenë në fakt edhe qëllimi ynë me këtë rekomandim. Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojë një mbrojtje efektive nga diskriminimi, duke mos i ekspozuar personat për çfarëdo shkaku të mbrojtur nga ligji, ndaj një trajtimi më pak të favorshëm, në ushtrimin apo gëzimin e të gjitha të drejtave vetjake, politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore që na garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe nga ligjet në fuqi. Komisioneri në ushtrimin e kësaj kompetence, duke dërguar këtë rekomandim, duke mbajtur parasysh Kushtetutën dhe hierarkinë e normave juridike të sanksionuara në të, ka synuar reformimin në mënyrë të tillë të legjislacionit që të shmangë trajtimin e pabarabartë dhe për ta sjellë atë në linjë me parashikimet e ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Rekomandimi ynë nuk ka pasur këtë qëllim. Çështja është parë në këndvështrimin e vendosjes apo jo të grupeve të ndryshme të personave në kushte jo të barabarta dhe diskriminuese. Legalizimi ose jo i prostitucionit është një çështje që nuk mund të vlerësohet nga Komisioneri.

Me se mund të zëvendësohej ky nen në rast se rrëzimi i tij miratohej, në mënyrë që të mos ketë diskriminim, por edhe parandalim të fenomenit?

Nëse institucionet përgjegjëse do të vlerësonin një gjë të tillë, ajo që është e rëndësishme është që në çdo rast të mbahet parasysh ekzistenca e një qëllimi legjitim dhe një lidhje proporcionaliteti midis qëllimit legjitim që synohet të arrihet dhe mjetit të përdorur për arritjen e tij.

Propozimi juaj mbi këto ndryshime ligjore nxit debat publik, sikundër ka ndodhur edhe në vende të tjera. Nga eksperienca juaj, si janë praktikat e vendeve të tjera kryesisht të BE-së, dhe nga ndryshojmë ne me ata deri në këto momente?

Rekomandimi i dërguar nga ana jonë pranë Komisionit për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut nuk ka pasur, siç jemi shprehur me sipër, shprehjen e një opinioni mbi legalizimin ose jo të prostitucionit. Megjithatë, duke iu referuar eksperiencës së vendeve të BE-së, pjesa më e madhe e tyre, pavarësisht mënyrës se si e rregullojnë prostitucionin, trajtojnë në mënyrë të barabartë personat që me veprimet e tyre konsumojnë elementë të kësaj vepre penale. Disa vende të Europës, legjislacioni i të cilave nuk trajton në mënyrë të barabartë këto dy kategori, janë të orientuara nëpërmjet legjislacionit drejt masave pozitive ndaj grupeve vulnerabël, siç janë gratë dhe vajzat, p.sh. në Suedi, Norvegji dhe Islandë.