e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Balla: Argita e Shkelzeni te tregojne origjinen e parave

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Balla: Argita e Shkelzeni te tregojne origjinen e parave
PS vazhdon akuzat për pasurinë, përgjigjen djali dhe vajza e Berishës.
Fëmijët e Berishës: Cili bujar i dha Linda Bashës 100 milionë lekë?

Partia Socialiste u kërkon sërish vajzës dhe djalit të Kryeministrit Berisha të bëjnë transparencën e të ardhurave të tyre, të cilat i kanë deklaruar në ILDKP.  Zëdhënësi i Grupit të PS-së, Taulant Balla, tha në një konferencë për shtyp se Argita Berisha duhet të tregojë se cilat universitete i japin asaj një shumë 146 milionë lekë në vit. “Dilni, zonjë e nderuar, dhe tregojuani shqiptarëve se si e realizoni ju një fitim vjetor 146 milionë lekë vetëm me mësuesi, që me një llogari të thjeshtë kërkon 22 orë pune në çdo ditë të vitit! Ju thoni se keni kryer edhe punë voluminoze shkencore dhe se keni botuar edhe një sasi të atillë librash shkencorë që e justifikojnë fitimin tuaj vjetor përrallor”, tha Balla.

Ndërsa kërkesa për djalin e Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, është publikimi i ndërmjetësimeve që ai ka bërë, nga të cilat ka fituar të ardhurat që ka deklaruar në institucionin e deklarimit të pasurive. “Dilni, zoti Berisha Junior, dhe thoni ja një, ja dy, ja tre, dhe ja si të gjitha bashkë bëjnë kaq qind mijë euro në vit fitim për ju! Pse e keni kaq të vështirë të jepni përgjigje dhe keni më shumë se dy javë që na mbani këtu me të njëjtat pyetje, ndërkohë që kemi edhe ne kaq shumë punë, sepse në radhë presin shifrat e faktet për ministrat e oborrit të babit?”, shprehet më tej deputeti socialist. Sipas Taulant Ballës, opozita kërkon të dijë se cilët janë ata që kanë paguar vajzën dhe djalin e Kryeministrit për pasuritë që kanë deklaruar.

Reagimi

Pas deklaratës së PS-së kanë reaguar Argita dhe Shkëlzen Berisha. “Edi Rama sot zgjodhi përsëri të akuzojë pa fakte, në vend që të përgjigjet. Zgjodhi të vazhdojë shpifjen, në vend që të thotë të vërtetën. Në ndryshim nga bashkëshortja jote, që është shqiptarja e vetme që merr dhurata në formë huaje pa interes prej 100 milionë lekësh, të thata në dorë dhe jashtë rrugëve bankare, ne çdo fitim tonin e kemi jo dhuratë, por nga puna jonë, jo të falur nga njerëz të njohur apo anonimë, por të fituar nga puna me subjekte të licencuara”, thuhet në deklaratën për shtyp. Fëmijët e Kryeministrit shprehen gjithashtu se në ndryshim nga bashkëshortja e kryetarit të PS-së, ata çdo të ardhur e kanë kaluar përmes bankës dhe e kanë deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Argita dhe Shkëlzen Berisha kujtojnë sërish deklaratën e ILDKP-së, sipas së cilës, pasuria e tyre është kontrolluar dhe nuk ka pasur asnjë dyshim mbi të ardhurat.

“Së fundi, z. Rama, po përsërisim për ju një pyetje që as ju dhe as bashkëshortja juaj nuk i jeni përgjigjur as në deklarimin tuaj në ILDKP, as për publikun. Kush është bujari që i ka dhuruar bashkëshortes suaj 100 milionë lekë pa interes? Si ka mundësi që këto para janë dhënë në dorë, z. Rama, dhe jo në rrugë bankare? Ku i mbani ju dhe bashkëshortja juaj këto para, z.Rama, përderisa ato nuk figurojnë në llogaritë tuaja bankare?”, përfundon deklarata e vajzës dhe djalit të Kryeministrit.

Pasuria

Në deklaratën e pasurisë së bashkëshortes së kreut të PS-së thuhet se ajo ka nënshkruar dy kontrata huaje pa interes: të parën më 13 tetor 2009 në shumën 30 mijë euro, dhe të dytën më 28 tetor 2009 në shumën 40 mijë euro. Në deklaratën e pasurisë nuk përmendet asnjë emër se ndaj kujt është marrë huaja.

“Rama, frikë se Barjaba nxjerr emrin e Linda Bashës”

Nga ana e saj, selia blu e akuzoi dje sërish kreun e PS-së, Edi Rama, për lidhjet e tij me Kosta Barjabën. “Partia Demokratike u deklaron shqiptarëve se prapa mbrojtjes së Barjabës nga Edi Rama fshihen lidhjet e tij të ngushta familjare me Barjabën dhe frika e tmerrshme nga deponimi i Barjabës para Drejtësisë amerikane për këto lidhje, si dhe për origjinën e vërtetë të pallateve dhe vilave të çiftit Rama dhe kupolës së Partisë Socialiste, kredive pa interes dhe jo në rrugë bankare nga xhymertët anonimë të Lindita Bashës”, thuhet në deklaratën për mediat të Laura Vorpsit. Sipas Partisë Demokratike, “frika deri në palcë ndaj z.Barjaba, sekretarit të Çështjeve Sociale të Partisë Socialiste, dekanit “de facto”, rektorit të Universitetit të sekretarit për çështjet financiare të Partisë Socialiste, mamuthit famoz të korrupsionit, Anastas Angjeli, e detyroi dje z. Edi Rama të vazhdojë nga resorti ultraluksoz ku po dremit pushimet e fundvitit, të mbrojë Barjabën e tij”.