Bajernin e pret 'ferri', 5 ndeshje ne 15 dite
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Për Pep Guardiolën do të jetë si një kurs itensiv. Bajerni i tij në 15 ditët e ardhshme do të luajë në tri fronte. Sfida e së shtunës përballë Shalkes në Gelzenkirshen do të jetë e para e një serie që mbyllet më 5 tetor në “BayArena”. Mes këtyre dy ndeshjeve të forta të Bundeligës, “armata bavareze” do të luajë edhe disa takime kyçe. I tillë është ai me Mançester Sitin, i vlefshëm për javën e dytë të Ligës së Kampioneve dhe dueli me Hanoverin, që luhet për turin e dytë të Kupës së Gjermanisë.
Çdo 72 orë - Sfida më e vështirë është për Pep Guardiolën, që kësaj here do t’i duhet të bëjë formacionin një herë në tri ditë. Takimet janë aq të shpeshta sa teknikut do t’i duhet që t’i hedhë sytë edhe nga pankina, ku mungojnë alternativat e shumta për mesin e fushës.
Të dëmtuarit dhe rotacion - Largimi i Luiz Gustavos dhe dëmtimi i Havier Martinezit e i Tiago Alkantarës ka bërë që Bajerni të ketë vetëm Bastian Shvajnshtajgerin për pozicionin e shkatërruesit. Zëvendëskapiteni nuk po kalon një periudhë të mirë, pasi u dëmtua një muaj më parë në Frajburg dhe rolin e tij në mesin e mesfushës po e interpreton kapiteni Filip Lahm. Nga ana e tij, mbrojtësi 29-vjeçar i ka lëruar vendin në krahun e djathtë Rafinjës. Pra mendohet që, nëse Pep nuk do të ketë në dispozicion Shvajnin, do të jenë Lahm dhe Rafinja dy lojtarët që mund të mos “preken” nga rotacioni.
100 ditët - I ulur në pankinën e Bajernit nga 1 korriku, Pep Guardiola do fillojë që të nxjerrë edhe mësimet e para nga eksperienca e re gjermane. Për teknikun, që fitoi gjithçka me Barçën, pas këtij “turi force” të Bajernit, do të jetë kohë bilancesh. Pas 5 tetorit, 42-vjeçari sigurisht që do të ulet me presidencën dhe do të nxjerrë bilancet e para, pasi do të ketë mbi 100 ditë i ulur në pankinën “e nxehtë” që la bosh “Don” Jup Hejnkesi.