e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bajern Mynih i jep leksion Sitit, Juventusi abonohet me barazimet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajern Mynih i jep leksion Sitit, Juventusi abonohet me barazimet

Nuk ka më asnjë dyshim: Bajern Mynih vazhdon të mbetet pretendenti kryesor për të fituar Ligën e Kampioneve. Skuadra e Pep Guardiolës ka dhënë provën e radhës me një fitore shumë domethënëse 3-1 në fushën e Mançester Sitit, skuadër e cila mendohej se do të duelonte me bavarezët për vendin e parë në grup. Por fusha e lojës ka treguar se diferenca mes dy ekipeve, pavarësisht emrave cilësorë që kanë anglezët në përbërje, flet qartësisht në favor të ekipit të Guardiolës, që aktualisht funksionon si një makineri perfekte.

Riberi, Myler dhe Roben ishin autorët e golave për Bajernin që ka krijuar dhe ka shpërdoruar shumë raste para portës kundërshtare, si dhe ka shpëtuar nga një goleadë edhe më e thellë vetëm prej pasaktësisë së sulmuesve gjermanë. Në fundin e ndeshjes, goli i Negredos për vendasit dhe kartoni i kuq i Zherom Boateng ringjalli disi sfidën. Por ishte shumë vonë që Siti të krijonte shqetësime të mëdha për ekipin Guardiolës, që tani kryeson i vetëm Grupin D, ku në kuotën e 3 pikëve, bashkë me Mançester Sitin, gjendet edhe CSKA pas fitores 3-2 ndaj Viktoria Plzen.

Një rezultat surprizë ka qenë barazimi 2-2 në Grupin B i Juventusit në fushën e vet përballë Gallatasarajit, duke komplikuar situatën para sfidës së dyfishtë kundër Real Madridit. Turqit, në drejtimin e të cilëve debutonte Roberto Mançini, kaluan në avantazh falë golit të Drogba në minutën e 36, pas një gafe të Bonuçit që i fali topin sulmuesit nga Bregu i Fildishtë dhe ky kaloi Bufon para se të çonte sferën në rrjetë. Barazimi vjen me 11-metërsh në minutën e 78, ndërsa në minutën e 87 u duk sikur Juventus siguroi tri pikët falë golit të Kualjarelës. Por Gallatasaraj arriti menjëherë të kthente rezultatin në barazim, falë golit të Umit Bulut që shfrytëzoi një tjetër përgjumje të mbrojtjes për të vulosur shifrat përfundimtare 2-2. Kjo i ka mundësuar Real Madridit që me 4 golat e shënuar ndaj Kopenhagës, të marrë i qetë kreun e renditjes së grupit me 6 pikë. Madrilenët kanë gjetur shkëlqimin e humbur falë dygolëshave të Kristiano Ronaldos dhe Angel di Maria, të cilët po tërheqin aktualisht skuadrën drejt sukseseve.

Edhe Grupi A kishte një barazim disi të papritur mes Shakhtar Donjetsk dhe Mançester Junajtid, një ekip që duket se nën drejtimin e Mojes po tregohet shumë i parashikueshëm për kundërshtarët. Ndonëse anglezët kaluan në avantazh të parët me Uellbek, më pas ata u detyruan të mbrohen dhe në minutën e 76 u ndëshkuan nga goli i Taison. Më pas ishte De Gea që shpëtoi katërkëndorin e tij nga gola të tjerë, duke siguruar këtë pikë që i mundëson Mançester Junajtid të mbajë kreun e grupit me pikë të barabarta me ukrainasit. Por tani kërcënues është edhe Bajer Leverkusen, që me fitoren ndaj Real Sociedad, u është afruar këtyre dy skuadrave.

PSZH ka siguruar pikë të plota pas dy ndeshjesh me fitoren 3-0 kundër Benfikës. Gjithçka është mbyllur që në pjesën e parë, ku dy golat e Ibrahimoviç dhe ai i Markinjos, kanë lënë shumë pak vend për dyshime rreth rezultatit përfundimtar të ndeshjes. Në takimin tjetër të Grupit C, Olimpiakos ka marrë tri pikë me një fitore 3-0 në fushën e Anderleht, edhe pse kanë qenë vendasit që kanë prodhuar më shumë lojë dhe raste. Por Mitroglu ka qenë vdekjeprurës me tri golat e tij, duke vulosur rezultatin e kësaj ndeshjeje në favor të ekipit grek.

 

Liga e Kampioneve

Të martën

Grupi E

Bazel-Shalke    0-1

Steaua Bukuresht-Çelsi     0-4

Renditja: Shalke 6 pikë, Çelsi 3, Bazel 3, Steaua Bukuresht 0.

Grupi F

B. Dortmund-O. Marsejë     3-0

Arsenal-Napoli  2-0

Renditja: Arsenal 6 pikë, B. Dortmund 3, Napoli 3, O. Marsejë 0.

Grupi G

Zenit-Austria Vjenë  0-0

Porto-Atletiko Madrid 1-2

Renditja: Atletiko Madrid 6 pikë, Porto 3, Austria Vjenë 1, Zenit 1.

Grupi H

Ajaks-Milan     1-1

Sëlltik-Barcelona    0-1

Renditja: Barcelona 6 pikë, Milan 4, Ajaks 1, Sëlltik 0.

Dje

Grupi A

Shakhtar Donjetsk-M. Junajtid   1-1

77’ Taison / 18’ Uellbek

B. Leverkusen-R. Sociedad  2-1

45’ Rolfes, 90’+2’ Hegeler / 51’ Vela

Renditja: M. Junajtid 4 pikë, Shakhtar Donjetsk 4, B. Leverkusen 3, R. Sociedad 0.

Grupi B

Juventus-Gallatasaraj 2-2

78’ (p) Vidal, 87’ Kualjarela / 36’ Drogba, 88’ Bulut

Real Madrid-Kopenhagë 4-0

21’, 65’ Ronaldo, 71’, 90’+1’ Di Maria

Renditja: Real Madrid 6 pikë, Juventus 2, Gallatasaraj 1, Kopenhagë 1.

Grupi C

PSZH-Benfika    3-0

5’, 30’ Ibrahimoviç, 25’ Markinjos

Anderleht-Olimpiakos 0-3

17’, 56’, 72’ Mitroglu

Renditja: PSZH 6 pikë, Benfika 3, Olimpiakos 3, Anderleht 0.

Grupi D

CSKA Moskë-Viktoria Plzen  3-2

19’ Toshiç, 29’ Honda, 78’ (ag) Reznik / 4’ Rajtoral, 90’ Bakosh

M. Siti-Bajern Mynih 1-3

80’ Negredo / 7’ Riberi, 56’ Myler, 60’ Roben

Renditja: Bajern Mynih 6 pikë, M. Siti 3, CSKA Moskë 3, Viktoria Plzen 0.