Bajern Mynih hedh syte nga Granit Xhaka
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Forma e mirë, golat dhe nevoja për të ndërhyrë në merkato, kanë kthyer vëmendjen e Bajern Mynih te Granit Xhaka. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja zvicerane “Blick”, e cila thekson se mesfushori i Borusias së Mynshengladbahut me origjinë shqiptare, ka bërë për vete drejtuesit bavarezë. Sipas “Blick”, Bajerni kërkon përforcime në mesfushë, pasi e ardhmja e Shvajnshtajger dhe Ksabi Alonsos është e pasigurt. Granit Xhaka gjatë këtij sezoni në Bundesligë, është futbollisti që ka dhënë më shumë pasime të sakta, një e dhënë kjo që tregon vlerat e vërteta të shqiptarit që luan për kombëtaren e Zvicrës.
Duke hyrë më në detaje, gazeta zvicerane thekson se Xhaka është lojtari ideal për të zënë vendin e njërit prej Shvajnit dhe Alonsos. Gjermani dhe spanjolli i kanë kaluar të 30-at dhe prej muajsh flitet se në fund të sezonit do të largohen nga kampionët. Xhaka është 22 vjeç dhe vetëm para pak muajsh rinovoi kontratën me M’Gladbahun deri në vitin 2019, por diçka e tillë nuk përbën asnjë problem për një klub të madh si Bajerni, drejtuesit e të cilit janë gati të derdhin në arkat e Borusias 20 deri në 25 milionë euro për kartonin e tij. Xhaka u transferua nga Bazeli në “Borussia Park” në verën e vitit 2012 për 8.5 milionë euro. Shifër, që Bajerni nuk do ta kishte problem ta dyfishonte për ta blerë.