e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

BE denon deklaraten e zevendesministrit Ekrem Spahia: Diskriminuese dhe nisin dhune

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
BE denon deklaraten e zevendesministrit Ekrem Spahia: Diskriminuese dhe nisin dhune
“Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë shqiptare si vlera të rëndësishme për një komb. Unë s’kam ndonjë koment tjetër, vetëm t’i kap në hu ato. Hu është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe shkop gome”... Kjo deklaratë e ashpër e bërë ditët e fundit nga zëvendësministri i Mbrojtjes, njëherësh kreu i PLL-së Ekrem Spahia kundër komunitetit homoseksual në vend dhe mbajtjes së një parade të homoseksualëve më 17 maj, është dënuar me forcë nga Bashkimi Europian.

Në një deklaratë lokale, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri në marrëveshje me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë dënon me forcë çdo retorikë diskriminuese dhe nxitje për urrejtje dhe dhunë.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, shpreh habinë dhe është thellësisht i shqetësuar lidhur me deklaratën publike të bërë më 22 mars 2012 nga Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe Kryetari i Partisë Lëvizja për Legalitetin, Ekrem Spahiu. Ai komentoi mbi Festivalin e Diversitetit për të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transeksualë (LGBT), i cili do të zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë më 17 maj 2012’, thuhet në deklaratën për shtyp të delegacionit të BE-së.

BE bën me dije se Shqipëria ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ka aprovuar Ligjin për Mbrojtjen kundër Diskriminimit, duke preçizuar se “Lufta kundër diskriminimit, përfshirë diskriminimin e personave LGBT, është një ndër 12 prioritetet kyçe të Opinionit të 2010-ës. Shqipëria është angazhuar për të zbatuar Planin e Veprimit mbi këto dymbëdhjetë prioritete kyçe”, thekson BE. Ajo nënvizon se “deklarata publike si ajo e zotit Spahiu janë në kundërshtim me zbatimin e politikave antidiskriminuese të përfshira në kapitullin 23 mbi të drejtat themelore dhe juridike pjesë e legjislacionit të Bashkimit Evropian (acquis communautaire)”.

Në këtë kontekst, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri u bën thirrje me vendosmëri autoriteteve shqiptare të sigurojnë që sjellje të tilla të mos përsëriten. Ndërkohë të hënën “Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT” e kanë paditur në Prokurorinë e Tiranës zëvendësministrin e Mbrojtjes, Ekrem Spahia. Edhe kryeministri Sali Berisha e dënoi reagimin e zëvendësministrit të Mbrojtjes duke e komentuar atë si reagim aspak mbretëror, sikundër janë edhe bindjet e partisë që drejton.

“Në asnjë lloj rrethane, nuk ka asnjë çështje që të mund të pranohet intoleranca, por është e kundërta. Ky është një vend i lirë, në të cilin duhet ta ndiejnë veten në vendin e tyre edhe njerëzit me bindje të ndryshme dhe qëndrime të ndryshme, të përcaktuar në kuadrin ligjor të këtij vendi. Ne kemi miratuar një ligj, kemi ngritur një institucion, kemi edhe Avokatin e Popullit, por, për shkak të specifikës së disa prej këtyre problemeve, jo vetëm në Shqipëri, por dhe vende të tjera, është ngritur një institucion i veçantë, një avokat i veçantë, ndaj nuk mund të ndodhe kurrë, që të ndalohen apo të sulmohen pse duan protesta”, tha kryeministri duke komentuar deklaratën e Spahisë.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan përmes një deklarate edhe dorëheqjen e Ekrem Spahisë nga posti në qeveri. Deklarata e zëvendësministrit Ekrem Spahia bie ndesh me Kushtetutën dhe Nenin 266 të Kodit Penal. Sipas këtij neni, Ekrem Spahiu rrezikon një dënim me burg deri në 5 vjet heqje lirie.

Në nen thuhet shprehimisht se “vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë duke i fyer, apo shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës, ose të veprimeve arbitrare kundër tyre dënohet me gjobë, ose me burgim deri në 5 vjet”. Për çështjen në fjalë nuk ka reaguar ende lideri i opozitës Edi Rama.