Asnje gjurme nga gomonia me 27 klandestine, pala shqiptare nderpret kerkimet
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ende nuk dihet asgjë për fatin e gomones të zhdukur me 27 klandestinë në bord. Mëngjesin e sotëm pala shqiptare bëri me dije se ka ndërprerë kërkimet për gjetjen e gomones e cila dha alarmin SOS, duke kërkuar ndihmë nga salla operative italiane.
Ndërkohë që pala italiane ka rinisur sërish kërkimet mëngjesin e sotëm.
Mësohet se operacioni i palës italiane është përqendruar në afërsi të brigjeve të Pulias, ku dy anije patrullojnë zonën.
Rojet bregdetare italiane dhe ato shqiptare që prej dy ditësh kanë vijuar kërkimet në kanalin e Otrantos, për një gomone ku dyshohet se gjenden 27 klandestinë, por kërkimet si nga deti ashtu nga ajri me helikopterë nuk kanë patur rezultat.
Sinjalizimi i parë është marrë nga autoritetet italiane, të cilat kanë angazhuar menjëherë mjetet e tyre lundruese si dhe helikopterë. Ndërkohë është njoftuar edhe pala shqiptare, e cila gjithashtu është vënë në lëvizje. Dy mjete të Rojeve bregdetare kanë nisur kërkimet në ujërat shqiptare. Gjatë ditës së djeshme, në operacionet e kërkimit u përfshinë edhe dy helikopterë dhe një anije ushtarake britanike, pjesë e trupave që po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta me forcat e ushtrisë shqiptare por asnjë rezultat.