e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Arrestohet Mauri dhe shqiptari Kujtim Qoshi, trukonin ndeshjet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arrestohet Mauri dhe shqiptari Kujtim Qoshi, trukonin ndeshjet
Në orët e para të mëngjesit, në të gjithë Italinë janë kryer 19 arrestime në kuadër të “Last Bet”, operacioni që ka tronditur të gjithë gadishullin Apenine. Në qytete të ndryshme të Italisë janë kryer dhe kontrolle në banesat e personave që janë përfshirë në trukimin e ndeshjeve në kuadër të hetimeve të koduara me emrin “Basti i fundit”. Guido Salvini, gjykatësi i Kremonas, ka firmosur kërkesën për arrest me burg për Stefano Maurin, kapitenin e Lacios, Omar Milaneton, mesfushor i Padovës, ish-futbollist i Xhenoas, Kristian Bertanin, sulmues i Sampdorias, Paulo Acerbis, portier i Viçencës, Alesandro Peliorin, ish-sulmues i Torinos, Marko Turatin, mbrojtës i Modenës, Mateo Gritin portier i Otelul Ploeshti në Rumani,

Është kërkuar gjithashtu arrestimi i Vito Gatit, transportues, mik i Filipo Karobio dhe i futbollistëve të tjerë, si dhe i 5 personave me kombësi hungareze, anëtarë të një celule që trukonte ndeshjet në Itali dhe në vende të tjera. Koka e kësaj celule është Zoltan Kenesej, që njihet mirë edhe nga tifozët shqiptarë, sidomos nga ata bardheblu, sepse ka luajtur për një sezon me Tiranën në periudhën e drejtimit të kësaj skuadre nga El Sajed. Në këtë operacion të gjerë u përfshi policia e Kremonas, Breshias, Aleksandrisë, Bolonjës si dhe forcat e shërbimit qendror operativ. Kontrolleve nuk u ka shpëtuar trajneri i Juventusit, Antonio Konte, i cili ka drejtuar Sienën në Serinë B gjatë sezonit 2010-2011.

Konte dyshohet se ka qenë në dijeni të fiksimit të dy ndeshjeve, Novara-Siena dhe Albinolefe-Siena. Një nga të dyshuarit “big” të futbollit italian është edhe Serxho Pelisier, banesat e të cilit u janë nënshtruar gjithashtu kontrolleve. Dëshmitë e Xhervazonit dhe Karobios zbuluan rolin e rëndësishëm në trukimin e ndeshjeve të Bertanit, i cili zotëronte një skedë telefonike që i ishte dhuruar nga Hritian Ilievski.

Verifikimi i tabulateve vërtetoi përfshirjen e sulmuesit të Sampdorias në fiksimin e disa ndeshjeve të Novarës, ndër të cilat ajo kundër Sienës, për të cilën thuhet se ka qenë në dijeni edhe Konte. Edhe pse prokurori Roberto Martino kishte kërkuar arrest me burg për të tjerë futbollistë, gjykatësi Salvini ka marrë masa alternative. Arrest shtëpie për Joelson Injacio, sulmuesin brazilian të Pergocrema dhe për dy bashkëpunëtorë të ish-futbollistit Xhixhi Sartor. Bëhet fjalë për Luka Burinin, një biznesmen italian me aktivitet në Kinë, i cili akuzohet që është ura lidhëse me Singaporin, dhe për Daniele Ragone, tregtar nga Parma. Gjykatësi Salvini firmosi detyrim me paraqitje dy herë në javë për Francesko Ruopolo, sulmues i Padovës, dhe Kjullej Konteh, ish-mbrojtës i Albinolefes. Prokurori i Kremonas kishte kërkuar arrest edhe për Xhuzepe Skulin e Xhenoas, por me gjithë provat e mbledhura, kryesisht për ndeshjen Lazio–Xhenoa 4-2, gjykatësi Salvini e hodhi poshtë kërkesën, duke kërkuar prova të reja. Xhuzepe Skuli, duhet theksuar është nipi i Xhuzepe Morabitos, i njohur si një nga kokat “Ndrangeta”, një organizatë e njohur mafioze në Kalabri.

Krishito dhe Skuli, takim me Qoshin përpara ndeshjes Lacio-Xhenoa 4-2

Mes disa prej provave që kanë vënë nën hetim Krishiton dhe Skulin është dhe ajo e dy fotove të bëra  në10 majin e vitit 2011 në një restorant gjenovez, katër ditë përpara ndeshjes Lacio–Xhenoa 4-2, që dyshohet si e trukuar. Siç tregojnë dhe imazhet, në foto gjenden mbrojtësi i kombëtares italiane, Krishito në atë periudhë një lojtar i Xhenoas, dhe Skuli sulmues i Lacios, që më pas u huazua tek ekipi gjenovez. Bashkë me dy lojtarët e Serisë A gjendet dhe një prej të arrestuarve, i cili është përfshirë në rrjetin e trukimeve, Safet Altiç, një shqiptar i identifikuar me emrin e Kujtim Qoshit dhe që mendohet se është pjesë e grupit të ciganëve, Masimo Leopicit, kryetar i ultrasve të Xhenoas dhe një prej pronarëve të restorantit ku është zhvilluar takimi, Luka Poliçino, i cili gjithashtu është i implikuar në marrëveshje. Në momentin që është zhvilluar takimi restoranti ka qenë i mbyllur dhe mendohet se palët kanë biseduar për mënyrën e trukimit të sfidës dhe ndarjes së parave mes tyre. Pavarësisht fotove që duket se e komprometojnë, agjenti i Krishitos, Andrea D’amiko është shprehur i bindur për pafajësinë e klientit të tij, duke theksuar se mbrojtësi i Zenitit dëshiron të dëgjohet sa më shpejt nga hetuesit për të sqaruar pozicionin e tij lidhur me këtë çështje.

Qoshi, pjesë e rrjetit të Altiç

Pas rastit të shqiptarit Armand Caca që u vu nën hetim që në nisjen e skandalit të basteve, tani prokuroria vuri në pranga shqiptarin tjetër Kujtim Qoshi. Qoshi konsiderohet si lidhja kryesore e futbollistëve me kreun e grupit të skandalit të basteve në Itali, me një boshnjak që në përgjimet telefonike identifikohet me emrin Altiç. Ndeshja e dyshuar ku ka gisht edhe shqiptari Kujtim Qoshi është Lacio-Xhenoa, e cila përfundoi me shifrat 4-2. Sipas prokurorisë, të dyshuarit janë takuar në një restorant në Xhenoa, me emrin “L’Osteria del Coçio”, takim që ndodhi në 10 maj 2011. Në këtë “samit” Qoshi dhe Altiç kanë qenë në shoqërinë e futbollistëve Krishito dhe Xhuzepe Skuli.

Prokurori
Di Martino: Hungarezët kanë zëvendësuar bandën e ciganëve

Prokurori i Kremonës, Roberto Di Martino, pas masave të fundit të marra në hetimin e çështjes “Last Bet”, mundohet të shpjegojë më pas edhe pozicionin e Sienës që është klubi më shumë i përfshirë në këtë çështje. “Masat e marra në këtë hetim i përkasin më shumë çështjes së Sienës më 2011. Ka disa deklarata që tregojnë se mund të kemi pasur manipulime. Masat e marra nuk kanë qenë vetëm për futbollistët, por edhe për persona që bënin pjesë në stafin dhe drejtuesit e skuadrës, përfshirë këtu edhe presidentin Mezzaroma dhe trajnerin e atëhershëm, Konte. Mbi Sienën është përqendruar më shumë vëmendja jonë, por akoma nuk mund të thuhet gjithçka”. Dyshime ka edhe mbi takimin Leçe–Lacio të kampionatit 2010-2011, që sipas dëshmive që kanë dhënë disa prej elementëve të grupit hungarez, të dyja klubet ishin në dijeni të trukimit të ndeshjes. Sipas të akuzuarve, për këtë takim u investuan 2 milionë e 600 mijë euro për të korruptuar futbollistët. Di Martino shpjegoi gjithashtu edhe pozicionin e hungarezëve. “Ky grup ka zëvendësuar pjesërisht atë të ciganëve që pësuan arrestime në Kroaci për ndeshje të kampionatit vendas. Megjithatë, ka të dhëna për bashkëpunime ndërmjet hungarezëve dhe sllavëve, ku ndeshja mbi të cilën bëhet fjalë është ajo Leçe-Lacio, por edhe Xhenoa-Lacio. Por grupi hungarez është i përfshirë edhe në ndeshje të tjera të Serisë A, si p.sh. ajo Bari-Sampdoria”.

Lega
Berreta: Të merren masa drastike!

Presidenti i Lega Calcio, Mauricio Berreta ka qenë i ashpër në lidhje me arrestimet e fundit. “Shpresojmë që të jetë një rrugëtim i shpejtë dhe ku të vendosen sanksione drastike për subjektet e përfshira që janë njollosur me gjurmë të rënda dhe që rrezikojnë të hedhin hije në botën tonë, duke rrezikuar besueshmërinë e këtij sporti”. Nga ana tjetër, presidenti i FIGC, Xhankarlo Abete është shprehur se përfaqësuesja e Italisë duhet të mbetet e qetë në prag të “Euro 2012”. “Përjashtimi i Krishitos është i trishtueshëm sepse do të prekë edhe lojtarët e tjerë. Ne duhet t’i ruajmë ata, si dhe të ruajmë qetësinë brenda grupit”.