Anshmëria
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓Po të duash thuaji "Njëanshmëria". Dikur, sidomos në vitet '70 e '80, si gazetar kam pas një kritikë të vazhdueshme me Federatën Shqiptare të Futbollit për sundimin e shfrenuar të gjyqtarëve nga kryeqyteti Tiranë në Kampionatin e Shqipërisë.
Kërkonim asnjanësinë e gjyqtarit, pra, që kur luante një skuadër e Tiranës me një skuadër të rretheve, gjyqtari të mos ishte nga Tirana. Ka qenë një polemikë a kritikë thuajse e përjavshme.
Madje dikush, ndonjë drejtues i radhës, i lidhur fort me Partinë e pushtetin, këtë kritikë të drejtë, të mbështetur fort edhe nga publiku, e shndërronte në një lloj nxitje të ndasisë kombëtare, përçarjeje e deri të kundërpolitikës së kohës.
Mbërrinin, ndërkohë, letra anonime, kërcënime e plot të tjera, me të cilat sot - dhe jo vetëm për veten, por edhe për raste të shumta të kolegëve - mund të botoj një libër të vogël. Tash, mbas kaq vitesh, kjo polemikë ka rënë.
Për çudi në demokraci, sundimi, sidomos i kryeqytetit në gjykimet e ndeshjeve të futbollit, e ka fituar betejën e tij të anshmërisë dhe askush nuk flet.
Shqipëria është absolutisht (përsëris: absolutisht) i vetmi vend në Europë ku thuajse nuk ekziston etika e asnjanësisë së gjyqtarit, Pra, që gati çdo javë të ndodhë që një qytetar i Tiranës të gjykojë skuadrat e qytetit të tij.
Kjo është shumë e rëndë për drejtësinë sportive, qoftë edhe për faktin se si banor i këtij kryeqyteti, gjithë javën ai është aty, çka do të thotë se ndien drejtpërsëdrejti trysninë e njerëzve të klubit vendës për ndeshjen e ardhshme.
Kur dihet se gjyqtari i ndeshjes gjithmonë jeton diku tjetër dhe vjen pra jo nga qyteti i skuadrës që do të gjykojë. Që, si të thuash, të mos mund të ndodhë kurrë që, bie fjala, ndeshjen Shqipëria - Zvicra për Kampionatin Europian ta gjykojë një zviceran ose një shqiptar.
Anshmëria asisoj shembullore (emblematike) ndodh vetëm në Shqipëri. Kur kisha botuar Librin e Kombëtares më 2001, një studiues i huaj më thoshte se nuk duhej t'i kisha pranuar si ndeshje zyrtare ato miqësore Shqipëria - Mali i Zi 5-0, Shqipëria - Algjeria 1-1, Shqipëria - Kina 1-1, Shqipëria - Turqia 0-0, Shqipëria - Kuba 0-0, Shqipëria - Greqia 1-1, Shqipëria - Greqia 1-0 ngaqë gjyqtarët Qazim Dervishi, Hysen Hysenaj, Tomson Neviri, Dhori Prifti, Plarent Kotherja apo Bujar Pregja kishin qenë vendës, të Shqipërisë pra. Në këtë vështrim, a vërtet duhet omologuar (pranuar) si ndeshje "e vërtetë" kjo e kësaj të shtune në Shkodër, Vllaznia - Partizani 1-1 me pesë gjyqtarë nga Tirana? Duket si një pyetje idiote.
Mirëpo me shèjtninë e paprekshme të paanshmërisë që ka qenë qysh në lojërat e Greqisë së lashtë e që Pierre de Coubertin e sanksionoi me betimin e gjyqtarit qysh në lojërat e para olimpike, ndeshja e Shkodrës do të duhej përsëritur edhe sikur gjyqtarët të mos kenë bërë asnjë gabim.
Do të duhej përsëritur sepse, përveç Partizanit kryeqytetas, për ta gjykuar ndeshjen e tij në Shkodër ka ardhur edhe një "brigadë" e tërë kryeqytetasish të tjerë me plot 6 (nga 7 gjithsej) delegatë, vëzhgues e gjyqtarë po nga Tirana pra: A.Maçi, K.Meta, E.Doda, D.Agaraj, L.Jemini, E.Dyrmishi! Nuk besoj se kanë drekuar bashkë, sepse etika e ndalon çdo shoqërim midis vëzhguesve, delegatëve dhe gjyqtarëve. Prania e gjashtëshes së mësipërme përbën një rekord botëror të llojit. Të jeni të bindur për këtë.
Pra edhe vëzhguesi, edhe delegati, edhe gjyqtarët e parë e të dytë, edhe gjyqtarët e mbrapaportave ishin nga Tirana! Pa u shqetësuar aspak FSHF-ja se njëra nga dy skuadrat ishte po e Tiranës.
Dhe, meqë jetojmë në "italianizimin" e mërzitshëm të "propagandës" së futbollit, ja cilët ishin 9 gjyqtarët e kësaj jave të Serisë A të Italisë: Tagliavento, Ghersini, Di Bello, Mazzoleni, Orsato, Calvarese, Cervellera, Damatto, Russo. Dhe a e dini se cilëve qytete i përkisnin? Terni, Genova, Brindisi, Bergamo, Schio Vi, Teramo, Taranto, Barletta, Nola NA! Merrem jo pak me gjeografi, por ja që ishte hera e parë që mësova emrat e qyteteve italiane Nola e Schio që kishin gjyqtarë deri në Serinë A.
Merre me mend sikur të guxosh e të mendosh që të mund të ndodhë në Shqipëri që të kemi gjyqtarë të rangut kësisoj të lartë, për shembull nga Përrenjasi apo nga Sukthi. Italianët e mësipërm janë nga plot 7 qytete ku asnjeri nuk i ka skuadrat në Serinë A. Vetëm dy janë nga Genova e Bergamo, por asnjeri prej këtyre të dyve, Ghersini e Mazzoleni, nuk gjykuan skuadrat e qyteteve të tyre.
Dhe e shihni se nuk ka asnjë gjyqtar nga Torino, Milano, Roma apo Napoli që kërkojnë titujt kampionë. Besoj se edhe nga ky shembull i shpejtë e kuptoni se ku jemi ne. Vetvetiu lind pyetja naive, në fakt e papranueshme: po të paktën gjyqtari i mbrapaportave a nuk mund të ishte bie fjala nga Lezha, apo Kruja, nga Vlora apo Elbasani? E meqë paskan ardhur 6 veta nga Tirana, qoftë për "larmi ngjyrash" ndërqytetëse, le të gjendej të ishte një gjyqtar shkodran i ndershëm.
Ose të paktën vëzhguesi apo delegati i ndeshjes le të ishte, bie fjala, qytetari shkodran, vëzhguesi i mirënjohur Mëhill Shkambi, i cili njihet për ndershmërinë dhe aftësinë e tij... Kjo nuk ndodh. Dhe as duhet të ndodhë.
Mirëpo, ndërkohë, ndodh kjo tjetra: sheh se kaq i fuqishëm është bërë ky lloj sundim anshmërie kryeqytetase ku ka selinë FSHF-ja, saqë edhe dje në gazeta do të gjesh vëzhgues a delegatë, të cilëve në kllapa iu është vënë qyteti "Tiranë", ndonëse nuk ishin nga Tirana.
Ngjet kjo për faj të korrespondentit a kronistit të pakujdesshëm, të cilit i është mbushur mendja edhe atij se gjyqtarë e vëzhgues rëndom janë gati përherë nga Tirana! Nuk kanë faj.
Në të pesë ndeshjet e kësaj jave në të pesë shtatëshet e gjykimit dhe delegimit detyrimisht kishte me shumicë gjyqtarë, delegatë a vëzhgues nga Tirana! Dhe më mbytën pikëçuditëset! Ngaqë këto raste janë vërtet çudi! Duket që ka marrë fund kjo punë.
Ndërkaq, duke qëndruar te ndeshja e Shkodrës, as më shkon ndër mend të them se Partizani ka përfituar nga kjo anshmëri. Sepse, nga çka kam parë në televizion, nuk arrij të kuptoj disa zhvillime skenash të atyshme. (Edhe ky një problem gazetarie i saktësisë së informacionit të drejtpërdrejtë). Në të vërtetë, problemi është tjetërkund.
Është tek etika e paanshmërisë, çka duhet të jetë absolute. Sepse ndryshe, kur skuadra vendëse, publiku vendës vështron se skuadra kryeqytetase gjykohet nga banorë të kryeqytetit në të gjitha kahet, në arbitrimin në fushë e të mbrapaportave, në delegatin e vëzhguesin, atëherë vetvetiu nisin mërzinat, mosbesimi e prej këtu protestat, qoftë edhe të padrejta, duke u bërë shkas edhe ato për trazimet në ndeshjet.
E kujtoni se si nuk po arrijmë t'i ndalim thirrjet fyese ndaj gjyqtarëve në çdo ndeshje, madje të një fjalori si rrallëkund në botë. Prej gjithë kësaj, logjika të çon tek ajo tjetra: te mosformimi ose formimi me pakicë i gjyqtarëve nga skuadrat e qyteteve të tjerë.
Dhe arrijmë deri aty saqë Shkodra, e cila i ka dhënë Shqipërisë gjyqtarët e parë, qysh nga një Luigj Shala, i pari shqiptar i FIFA-s madje, e deri te një Qazim Dervishi i vetmi i Ballkaniadës, sot ky qytet ka vetëm një gjyqtar në Kampionatin Kombëtar: M.Dervishi, edhe ky tejet i rrallë në ndeshjet.
Kujtesa më çon ndërkaq edhe te të mirënjohurit Bakir Dibra, Tahir Kalaci apo Tef Prela, po të Shkodrës, të cilët të duken si legjendarë kur kujton se sa me autoritet kanë gjykuar ndeshje të pafund të Kampionateve të Shqipërisë. Apo të mëdhenj të tjerë të gjykimit shqiptar: Shazivar Gruda i Durrësit, Faik Bajrami i Vlorës, Dhori Prifti i Korçës apo Arsen Hoxha i Fierit.
Por gjithnjë "rroftë vetëm Tirana - kryeqyteti i Shqipërisë"! Kuptohet qartë se ky sundim është në dëm të formimit të gjyqtarëve të qyteteve, krahinave apo zonave të tjera futbollistike të Shqipërisë. E mira do të ishte që gjithçka të mbaronte me kaq. Për fat, jo! Sundimi i kësaj politike të skajshme për kah anshmëria e këtij lloji është shtrirë edhe më tej.
E shihni që njerëz të Federatës Shqiptare të Futbollit nga Tirana, madje deri edhe vëzhgues e delegatë ndeshjesh shfaqen tash e parë në televizione për të gjykuar "gjykimet e gjyqtarëve". Jo vetëm kaq, por edhe për të komentuar pra ndeshje, gjithmonë pa e prekur FSHF-në, qoftë edhe me një kritikë të butë, të lëmueshme.
Për një çast, e gjitha kjo duket si një lloj pronarizimi i zyrave të administratës drejtuese të futbollit ndaj vetë lirisë dhe vërtetësisë së botës së informacionit.
Dhe po gjithnjë deri aty saqë prej kësaj kategorie, mbasi ndodh që të shkojnë si delegatë, kanë mandej guximin edhe të gjykojnë gjykimet në ekrane, ndoshta dhe të shkruajnë në gazeta, e të tjerë, e të tjerë. Kjo dukuri e papranueshme është shumë më tepër se sa një konflikt interesash.
Ose e thënë më ndryshe: dashur apo padashur kjo është avokati po aq joetike ndaj përgjegjësive të FSHF-së në këtë fushë. Kështu, sa vjen e po shtohet numri i FSHF-istave edhe në profesionin tonë: "komentatorë", "analistë", "kritikë - roje" të gjykimeve, ndoshta të lidhur në skenë e në mbrapskenë me të. Sigurisht, këtu prapë është dhe përgjegjësi e gazetarisë, sidomos asaj televizive që nuk kuptohet përse bëhet palë e kësaj anshmërie të pashembullt!...
Kjo do të ishte shuarja e mendimit kritik të drejtimit të punëve të futbollit dhe të zhvillimeve sportive në tanësi. Dhe ndoshta kjo është më e rëndë se sa vetë anshmëria e gjeografisë së gjyqtarëve të futbollit në Shqipëri.
