Ançeloti zbulon sekretin e Mesit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Karlo Ançeloti është në pritje për të marrë drejtimin e Bajernit të Mynihut. Por kjo nuk e ka penguar që të shprehë mendimin e tij në intervistë për media të ndryshme.
Tekniku italian ka treguar se si mund të markohet Lionel Mesi, me të cilin ka pasur mjaft përballje dhe në shumë prej tyre ka dalë fitimtar.
"Një futbollist të tillë nuk duhet ta markosh një kundër një. Për të përdorur këtë taktikë, mbrojtësi duhet të jetë i nivelit maksimal dhe në fakt gjen shumë pak të tillë në qarkullim. Leon mund të ndalosh vetëm duke minimizuar shanset që ai të marrë topin në afërsi të zonës.
Mesfushorët duhet të bëjnë presing të vazhdueshëm te kushdo që ka topin në zotërim, për ta detyruar që ta dorëzojë më shpejt. Ndërsa mbrojtësit duhet të qëndrojnë afër Leos, për t'i paraprirë topat që vijnë drejt tij.
Në këtë formë, argjentinasi ose do kthehet për të luajtur më larg zonës, ose do marrë shumë pak pasime", deklaroi Ançeloti. Por, në fund, ai theksoi edhe supremacinë e "Pleshtit". "Një futbollist i tillë nuk ka asnjë mundësi që ta ndalosh, nëse është në maksimumin e formës fizike dhe i përqendruar. Ka talent të rrallë".