e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Analisti italian: Shqiperia mund te perballet me kedo

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Analisti italian: Shqiperia mund te perballet me kedo

Gazetari sportiv i “Sky Sport Italia”, Dario Masara i ka bërë një analizë Kombëtares shqiptare të Xhani De Biazit, duke theksuar se kjo skuadër mund të vërë në vështirësi çdo kundërshtar. Kuqezinjtë rriten dita – ditës dhe bashkë me ta edhe jehona përtej kufijve.

Në  një intervistë për portalin sportiv italian “TuttoCalcioEstero”, Masara thotë se ekipi i drejtuar nga De Biazi po shkëlqen me meritë dhe konfirmohet si një formacion që mund të vërë në vështirësi çdo kundërshtar që i vihet përballë, pavarësisht emrit.

“Mua më ka çuditur shumë skuadra e De Biazit. Jo vetëm për rezultatin, pasi kishin arritur të siguronin pikë të rëndësishme ndaj Portugalisë dhe Danimarkës, por edhe për personalitetin e shfaqur. Mendoj se sot, Kombëtarja shqiptare është e ndërgjegjshme se është një skuadër në gjendje të vërë në vështirësi çdo lloj kundërshtari, edhe kombëtaret kryesore të Evropës”, tha ai.

Masara ka theksuar se nga pikëpamja individuale, Shqipëria ka kundërshtarë të mirë, duke u këshilluar skuadrave italiane të investojnë tek Emir Lenjani, një nga më të spikaturit në ndeshjen e së premtes.

“Ermir Lenjani më pëlqeu shumë. Për më tepër, ai luan në një rol për të cilin ka pak interpretues të nivelit të lartë në Itali. Ai mund të jetë një investim i mirë për ekipet italiane”.

Ndërkaq nuk ka munguar as një koment për Lorik Canën dhe ndeshjen e tij të 80 me kombëtaren.

“Jam i lumtur që kam komentuar një ndeshje kaq të rëndësishme për Canën. Në Itali ka treguar atë që kishte shfaqur edhe në Francë, se nuk është vetëm një lojtar i mirë, por edhe një lider”, tha Masara, i cili ka komentuar miqësore Francë – Shqipëri (1-1) në “Sky Sport”.