e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Altin Lala: Lojtaret ne Shqiperi kane mbetur prapa

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Altin Lala: Lojtaret ne Shqiperi kane mbetur prapa

Diferenca mes futbollistëve të rinj që luajnë në Shqipëri dhe atyre që luajnë jashtë është e ndjeshme. Këtë e thotë një emër mjaft i njohur për sportdashësit shqiptarë, ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Altin Lala, i cili është larguar në moshë të re nga vendi ynë duke ndërtuar në Gjermani një karrierë shumë të suksesshme. Ish-mesfushori, përveç detyrës së asistentit të trajnerit Xhani De Biazi te përfaqësuesja shqiptare e futbollit, tashmë është edhe trajner i kombëtares shqiptare U-19, ku ka pasur mundësinë të shohë nga afër se si ndryshon niveli i futbollit që luajnë moshat në Shqipëri me atë që luhet në vendet e tjera.

“Them se në Shqipëri ka talente, natyrisht që ka dhe dalin vazhdimisht. Kjo është arsyeja pse ne do të bëjmë grumbullime të herëpashershme për t’i parë të gjithë lojtarët. Por mes lojtarëve që luajnë në Shqipëri dhe atyre që luajnë jashtë, ka diferenca, për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm. Diferenca vjen nga çështje të ndryshme, nga mënyra personale e të stërviturit, mentaliteti që ekziston ende këtu. Ajo që kam vënë re tani është se loja, mënyra e të stërviturit, ritmi, ka shumë diferenca. Sigurisht, ai që dëshiron të bëhet futbollist, bëhet. Në vitet e fundit, nga Shqipëria kanë dalë të tillë. Por mendoj se edhe klubet duhet të bëjnë më shumë, nuk duhet të presin nga Federata, pasi ne jemi seleksionues, nuk bëjmë futbollistë. Kombëtarja nuk të bën futbollist, aty vjen si futbollist i përgatitur”, deklaroi 39-vjeçari në një konferencë për shtyp të organizuar nga FSHF për të prezantuar miqësoren e sotme mes kombëtares U-19 shqiptare dhe asaj të Italisë.

Meqenëse tashmë edhe kombëtaret e moshave bazohen te këta elementë më cilësorë që aktivizohen jashtë Shqipërisë, për trajnerët ka lindur problemi i krijimit të një grupi të qëndrueshëm me lojtarët që kanë në dispozicion. “Ne kemi individë shumë të mirë por kemi handikap se shumica e lojtarëve tanë luajnë jashtë Shqipërisë, në kampionate të ndryshme. Problemi ynë më i madh është që t’i mbledhim lojtarët sa më shpesh, që të jenë 15-16 që të jenë shpesh bashkë, por është e vështirë, pasi UEFA nuk e mundëson një gjë të tillë dhe klubet nuk i lejojnë. Italia apo vendet e tjera të mëdha kanë avantazh pasi ndalojnë kampionatin për grumbullime të tilla dhe kanë grupin bashkë”, tha Lala, i cili ka nisur punën me një grup lojtarësh të datëlindjes 1997, që dy vite më parë u kualifikua në turin e dytë të Europianit me përfaqësuesen U-17.

Shumë talente që më parë janë aktivizuar me kombëtaret e moshave të përfaqësueseve të tjera, kohët e fundit kanë shprehur pëlqimin e tyre për të luajtur me fanellën e Shqipërisë. Por sipas Lalës, ata që kanë refuzuar një herë Shqipërinë, nuk duhen ndjekur nga pas. “Mua më bën përshtypje dhe personalisht mendoj se kur ne çojmë ftesën dhe dikush e refuzon, ne nuk duhet ta ndjekim më nga mbrapa. Pas ndeshjes me Serbinë kam përshtypjen se të gjithë duan të bëhen shqiptarë më të mirë seç kanë qenë dhe duan të gjithë të vijnë”, u shpreh ai, pa u ndalur në individë të veçantë rreth kësaj teme. Por një emër që Lala e ka pikasur si një futbollist me shumë të ardhme është Qazim Laçi, futbollisti shqiptar që sapo ka nënshkruar kontratë profesionisti me Olimpiakos, skuadër me të cilën ka shkëlqyer në këtë edicion në UEFA Youth League. “Më ka bërë shumë përshtypje dhe shpresoj që për një apo dy vite të jetë pjesë e kombëtares A, falë talentit dhe karakterit që ka”, deklaroi Lala.