e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Aleanca Kuq e Zi: Te merkuren peticionet ne parlament

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Aleanca Kuq e Zi: Te merkuren peticionet ne parlament
Aleanca Kuq e Zi reagoi të hënën kundër deklaratës zyrtare të Ministrit Genc Pollo mbi vendimin "për të mos u tërhequr nga regjistrimi popullsisë mbi bazat e vetëdeklarimit etnik dhe fetar". "Në një kohë kur elita e intelektualëve shqiptarë kanë nënshkruar peticionin kundër regjistrimit etnik dhe fetar; kur të gjitha komunitetet fetare janë shprehur kundër këtij lloj rregjistrimi si shkak i cili mund të prish bashkëjetesën fetare; kur Gjykata Kushtetuese ka në gjykim kërkesat e gjykatës Sarandë, Përmet dhe Shkodër për shfuqizimin e ligjit “Për gjëndjen civile” dhe kur në publik është hapur një debat i gjerë juridik, historik dhe politik mes aktorëve më të njohur të tre pushteteve dhe institucioneve të tjera të pavarura, vendimi zyrtar i komunikuar nga Ministri Genc Pollo është thellësisht zhgënjyes, në mungesë të parimeve dhe standardeve demokratike si dhe prepotencë e hapur ndaj opinionit publik i cili në mënyrë masive është përfshirë në lëvizjen kundër rregjistrimit", tha Aleanca. Kuq e Zi theksoi se në këto kushte "është e detyruar të paraqesë pasnesër në ora 10.00 në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, peticionin e dhjetra mijra qytetarëve shqiptarë si mënyra e vetme demokratike për të frenuar një proces i cili është imponuar nga jashtë dhe ka rrezik të destabilizojë të ardhmen politike të Shqipërisë".