e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Alban Bunjaku, talenti i Arsenalit fut ne sherr Shqiperine dhe Angline

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Alban Bunjaku, talenti i Arsenalit fut ne sherr Shqiperine dhe Angline
Talenti i Arsenalit, Alban Bunjaku, është në qendrën e një “lufte” ndërkombëtare ndërmjet Shqipërisë dhe Anglisë. 17-vjeçari ende nuk ka firmosur një kontratë profesioniste me “topçinjtë”, megjithatë ai është në orbitën e përfaqësueses së “Tre luanëve”. Por për të siguruar shërbimet e mesfushorit me tipare ofensive, anglezët më parë duhet të fitojnë duelin me Shqipërinë. Në fakt, Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka nisur tentativat për ta veshur kuqezi. Institucioni që drejton top-këmbën ka nisur ofensivën për talentin, për t’i marrë “ok”-in që ai të luajë me përfaqësuesen e vendlindjes dhe duket në “pole position”. Bunjaku ka prindër shqiptarë nga Kosova, ndërsa është rritur në Esiks dhe fakti që jeton prej vitesh në Angli ia mundëson aktivizimin me përfaqësuesen e këtij vendi. Kjo i ka shtyrë britanikët të mos tërhiqen dhe ta kërkojnë me ngulm mesfushorin.

Burime të Federatës Angleze theksonin për “Daily Mail” se vendosmërinë për të mos u dorëzuar për Bunjakun, ndërsa lojtari është në orbitën e përfaqësueses britanike dhe zhvillimet e tij janë ndjekur nëpërmjet rrjetit të gjerë të vëzhguesve. Tashmë, trajnerët e përfaqësueseve të moshave të Anglisë janë të gatshëm ta afrojnë në skuadra, pasi e kanë evidentuar si kandidat potencial për të luajtur me Kombëtaren angleze në të ardhmen. Bunjaku cilësohet si një prej talenteve më të mëdha që aktualisht luajnë në akademinë e Arsenalit dhe gëzon mbështetjen e stafit të trajnerëve. Në harkun e 12 muajve të ardhshëm, ai pritet të firmosë edhe kontratën e parë profesioniste me skuadrën e drejtuar nga Arsen Venger.

Aftësitë

I lindur më 20 maj 1994, Alban Bunjaku është një mesfushor me të ardhme të shkëlqyer. Teknika, shpejtësia në lojën me topin dhe vizioni i lejojnë që të krijojë dhe shënojë gola. Ai ka qenë pjesë e Akademisë së Arsenalit prej moshës 7-vjeçare, ndërsa nisi të luante me skuadrën U-18 një vit më parë: edhe pse ishte vetëm 16 vjeç, Bunjaku ishte lojtari më i mirë i ekipit. Në sezonin e parë fillimisht u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen me Riding, ndërsa më pas fitoi një vend titullari dhe regjistroi në total 20 ndeshje. Edhe pse e nisi sezonin i dëmtuar, shumë shpejt mesfushori shqiptar u shndërrua në liderin e skuadrës dhe përveç 9 golave të realizuar, dha mjaft asiste dhe shfaqi aftësi mbresëlënëse në fushë. Ai luan menjëherë pas sulmuesit në skemën 4-2-3-1, ndërsa loja e rrjedhshme e Arsenalit i përshtatet më së miri stilit të tij.

I shkëlqyer në hapësirat e ngushta, me pasime milimetrike, aftësi për të “çarë” mbrojtjet kundërshtare dhe njohës i mirë i portës: falë këtyre kualiteteve dhe lojës së mirë, gjatë sezonit të kaluar Albani arriti të debutonte edhe me skuadrën e rezervave të Arsenalit, duke u aktivizuar si zëvendësues përballë Uiganit. Por, pavarësisht kualitetit të padiskutueshëm, mesfushori synon të vazhdojë të përmirësohet. Ai e pranon se në disa ndeshje i mungon vazhdimësia gjatë gjithë 90-minutëshit dhe punon çdo ditë që ta përmirësojë këtë defekt.