Agostineli vlerëson Teutën: Ja si shkojmë te titulli
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Andrea Agostineli është shprehur i kënaqur pas fitores 0-2 ndaj Teutës në Durrës. Në deklaratën e tij për "Supersport" pas ndeshjes, trajneri i Partizanit, ka deklaruar se shpreson që të shkojë në Korçë me garën për titull ende të hapur.
"Fitore e rëndësishme, por për të ruajtur ritmin e Skënderbeut duhet të fitojmë kudo, edhe në fusha të tilla, mjaft të vështira. Komplimente Teutës, pasi luajti një ndeshje mjaft të mirë dhe na vuri shumë në vështirësi.
Teuta luajti mjaft mirë në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë e shtuam presionin sepse dëshironim patjetër fitoren, ndërsa kundërshtari ndoshta ra pak fizikisht.
Ne duam të fitojmë sa të mundemi dhe të shkojmë në Korçë të paktën 3 pikë pas në renditje dhe pastaj të shohim.
Përgatitja pas ndeshjes kundër Skënderbeut nuk ka qenë e lehtë, sepse lojtarët ishin mjaft të rënduar psikologjikisht, por punuam shumë në këtë drejtim dhe fitorja në Durrës ka vlerë të madhe", ka deklaruar pas ndeshjes trajneri i Partizanit