Agostineli bën llogaritë me Skënderbeun: Si mund të dalim kampionë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Partizanit Andrea Agostineli shpreson ende te fitimi i titullit kampion edhe pse ekipi i tij barazoi 1-1 me Flamurtarin në Vlorë, duke humbur mundësinë për t'ju afruar më shumë Skënderbeut që kryeson tabelën e klasifikimit me 66 pikë.
Korçarët humbën këtë të diel ndaj Kukësit me rezultatin 1-0, ndërsa Partizani (61 pikë) mori një barazim me Flamurtarin duke ngushtuar diferencën me kryesuesit.
I pyetur se beson ende te titulli, Agostineli u shpreh se: "Është një hap përpara, edhe pse duhet të bënim dy. Sot në një fushë të vështirë nuk ishte e lehtë, edhe pse ndeshjen e kishim në dorë. Duhet të bësojnë sigurisht. Jemi akoma një ndeshje dhe një pikë. Ata duhet të barazojnë një ndeshje dhe ne duhet të fitojmë një dhe më pas të përballemi në shtëpinë e tyre",-tha ai për 'Supersport".
Trajneri tha Partizani kishte mundësi ta fitonte ndeshjen, por skuadra e tij duket se nuk i bën mirë llogaritë në fund. "Është e treta herë që na ndodh në këtë kampionat që pësojmë gol në fund të ndeshjes dhe jemi në vështirësi për këtë",-u shpreh ai.