E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

4 ore pyetje nga greket, pa pranine e shqiptareve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
4 ore pyetje nga greket, pa pranine e shqiptareve

Ashtu siç edhe pritej Ilir Kupa ka shpërthyer në akuza në sallën e gjyqit. Sapo ka mbërritur në sallë, duke kërkuar leje, ai ngrihet në këmbë dhe nëpërmjet kamerave ka akuzuar shtetin shqiptar për vrasjen e tre shokëve të tij nga policia greke.

28-vjeçari nga Fushë-Kruja, që mundi të mbijetonte nga përndjekja disa javore e forcave speciale greke, ka deklaruar publikisht që nuk ka lidhje me grabitjen e shumëpërfolur të 24 dhjetorit,

nën petkun e “babagjyshit”, ndërsa ka kërkuar sërish që të mos dorëzohet në duart e shtetit grek nga shteti shqiptar. I vetëdijshëm për posedimin e armëve të zjarrit me vete, Kupa ka pohuar publikisht se nuk i kishte për të vrarë askënd por të mbrohej nga grekët e Interpolit që mund ta përndiqnin sërish.

E ndërsa Kupa kapte hekurat e kafazit, nga pas policët shoqërues morën masa për “izolimin” e tij. Babai i dy fëmijëve, i cili e shijoi familjen e tij vetëm për 5 muaj, tashmë do të përballet me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, që sipas kërkesës së prokurorit, ai rrezikon deri në 15 vite burg.

Por, përveç këtij fakti, asnjë akuzë tjetër nuk përcaktohet në kërkesën e prokurorisë, ndërsa prej më shumë se katër ditësh, nuk flitet më për dy personat që arritën t`i largohen policisë, për të cilët u hodhën plot 10 mijë euro për një informacion të saktë.

Kërkesa e prokurorisë

Në orën 10.00, të datës 25.01.2014, Policia Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit Ilir (Albert) Kupa i biri i Fatmir dhe Meleqe,

i datëlindjes 1986, lindur në Fushë-Krujë dhe banues në Fushë-Krujë, me kombësi e shtetësi shqiptare, me gjendje gjyqësore i dënuar më parë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/4 të Kodit Penal. Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori, rezulton se:

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në materialin kallëzues të ardhur nga Komisariati i Policisë Nr.6, Tiranë, me dt 25.01.2014 rreth  orës 01.00, në vendin e quajtur rruga dytësore në fshatin Domje, nga shërbimet e policisë së komisariatit numër 6, në bashkëpunim me F.N.SH

në zbatim të planit të masave të përbashkët për kontrollin e territorit ku konsiston në ndalimin dhe kontrollin e mjeteve, si edhe ne krehje të territorit për parandalimin e veprave të ndryshme penale, në momentin e lëvizjes në këtë rrugë dytësore forcat e policisë kanë konstatuar një automjet i cili po vinte me shpejtësi të madhe në drejtim të tyre. Në këtë moment shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë kësaj makine që të ndalonte, ku pasi u afrua, u vu re që ishte një automjet i tipi “Alfa Romeo”, me targa të huaja.

Ky mjet nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë dhe në këtë moment shërbimet e policisë i janë vënë në ndjekje. Në një kthesë ky mjet ka dalë nga rruga dhe forcat e policisë janë vënë në ndjekje në këmbë për të bërë të mundur gjetjen e personave që ishin në këtë mjet.

Arrestimi sipas prokurorisë

Në një distancë rreth 50-70 në një terren rural dhe godina të braktisura është parë një person i cili është munduar të largohet me vrap nga forcat e policisë.

Nga ana e punonjësve të policisë këtij personi i është bërë thirrje që të ndalonte, por personi në ndjekje ka nxjerrë nga brezi një armë duke e mbushur atë. Këtu forcat e policisë kanë thërritur përsëri në drejtim të personit për të ndaluar veprimet dhe ai është bindur.

Më pas është bërë e mundur që personi të prangoset si dhe t’i bëhet një kontroll i tij ku në një çantë që e mbante me vete i është gjetur dhe një armë tjetër brezi pistoletë me dy krehëra si dhe disa fishekë luftarakë dhe një palë doreza të zeza.

I pyetur për gjeneralitet e tij, personi është përgjigjur se quhet Ilir Fatmir Kupa dhe se është person që kërkohej nga shteti grek për vepra penale të kryera atje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

Një pistoletë “Beretta” ku në krehrin e kësaj arme ndodheshin 11 copë fishekë të kalibrit, një pistoletë Glock 17c Austria 9x19 mm me nr.CPG273, dy krehra me fishekë. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Albert Fatmir Kupa, (i cili rezulton se në datë 13-09-2011 ka ndërruar emrin nga Albert Kupa në Ilir Kupa, me vendim të Bashkisë Fushë- Krujë.

Arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Kupa është tërësisht i mbështetur pasi ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal e cila dënohet jo më pak se 15 vjet në maksimum dhe për më tepër ai është arritur të kapet në kryerje e sipër të veprës penale, madje në momentin e kapjes në flagrancë të tij, është sekuestruar edhe mjeti dhe sendet, prova materiale.

Policët grekë, 4 orë vetëm me Ilir Kupën

Në seancën e pyetjepërgjigjeve mes Ilir Kupës dhe të “deleguarve” grekë të hetimit të arratisjes së bujshme të Trikallas, nuk ka qenë i pranishëm asnjë përfaqësues i policisë sonë, i prokurorisë dhe as mbrojtësi i tij, Lazër Sokoli.

Ndonëse grekët e hetimit kanë pretenduar se gjenden në Shqipëri për të pyetur Kupën vetëm në lidhje me vendstrehimin e tij dhe se kush ka organizuar arratisjen e 22 marsit të 2013-ës, asnjë detaj nuk ka dalë nga ajo përballje disa orëshe mes tyre, ndërsa ditën e djeshme Kupa, është shfaqur mjaft i irrituar në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe indiferencën e shtetit shqiptar për të zbardhur vrasjet e shokëve të tij.

Referuar të dhënave të besueshme të policisë  bëhet me dije se përfaqësuesit grekë të hetimit kanë vijuar me këmbëngulje për të bërë të mundur ekstradimin e Kupës drejt vendit të tyre, sepse vetëm në atë mënyrë ata mund të hidhnin dritë mbi mënyrën se si është organizuar arratisja.

Edhe pse policia ka mundur të vrasë dy prej personave që i konsideroi si organizatorë, konkretisht Marian Kolën dhe Flamur Likën (Sinanin), dhe një nga protagonistët kryesor, Ermal Litën, e kanë të prangosur, sërish kërkojnë me këmbëngulje të kenë në Greqi 28 vjeçarin

që mundi të shpëtonte në dy pritat fatale, ku humbën jetën tre shqiptarët që, për policinë greke, ishin të frikshëm. Ilir Kupa i cili pretendon se është dënuar pa asnjë lloj prove dhe pa kryer asnjë krim, publikisht ka bërë me dije se kurrë nuk do të shkojë i gjallë në Greqi.