30 arsyet pse Ballisti nuk e ngriti dronin ne Beograd

'30 arsyet pse Ballisti nuk e ngriti dronin ne Beograd'

Gazetari Kastriot Myftaraj ka listuar plot 30 arsye që argumentojnë, sipas tij, pse Ismail Morina, i njohur si Ballisti, nuk e ka ndërmarrë i vetëm operacionin e ngritjes së dronit në Beograd, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, më 14 tetor të vitit të shkuar.

1)Shërbimet e fshehta serbe, institute të specializuara serbe që janë në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e fshehta, Policinë dhe Xhandarmërinë Serbe monitorojnë rrjetet sociale shqiptare kështu që atyre nuk mund t’ u këtë ikur nga vëmendja një postim i Morinajt në profilin e tij në Facebook, i datës 6 shtator 2014, ku është një fotografi e bannerit që u ngrit me dron, me këtë shënim: “Djelmosha, në Aveiro dhe Elbasan do mungoj, por i kam përqëndru forcat në Beograd. Ju pres në Humska Stadium me kët koreografi”. Morinaj ishte bërë i njohur si fytyrë që me ndeshjen Slloveni-Shqipëri, në 2013, kur hipi në rrjetën rrethuese të stadiumit. Monitoruesve serbë të rrjeteve sociale shqiptare nuk mund t’ u ketë ikur nga vëmendja as një status i Morinajt i datës 18 shtator 2014 ku ai kishte shkruar misteriozisht shifrën 26 duke shënuar në kllapa fjalën “ditë”. Kjo përkonte me datën e ndeshjes Serbi-Shqipëri, në 14 tetor. Statuset me shifrat zbritëse u postuan në profilin e Morinajt deri 9 tetor, kur ai shkroi: “05 (ditë)”, që përkonte me 14 tetorin, ditën e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Monitoruesit serbë të rrjeteve sociale shqiptare nuk mund të mos e kenë bërë lidhje mes bannerit të publikuar në 6 shtator me një aludim të qartë se do të ngrihej në stadiumin e Beogradit dhe statuseve me numra zbritës.

2)Pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, Kryeministri i Serbisë Vuçiç tha se tre orë para nisjes së ndeshjes, ai personalisht u kishte thënë zyrtarëve të Bashkimit Europian, se ishte duke u përgatitur një provokim dhe një incident i rëndë nga ana e shqiptarëve me rastin e ndeshjes. Por Vuçiç nuk i bëri kurrë të ditura këto të dhëna, qoftë edhe duke mos cituar burimin e tyre. Deklarata e Vuçiç nuk ka kuptim tjetër veç atij se shërbimet e fshehta serbe dhe Policia Serbe kanë monitoruar rrjetet sociale shqiptare. Por Vuçiç nuk mund të jepte të dhëna se atëherë do të lindnin shumë pyetje të cilave as ai as Policia Serbe nuk do të mund t’ u kthente përgjigje.

3)Kur Morinaj hyri në Serbi, në një datë ende të papërcaktuar zyrtarisht para 14 tetorit, ai duhet të ishte tashmë i skeduar nga Policia Serbe, dhe për këtë arsye duhet të ndalohej, kontrollohej, si dhe të merrej në pyetje nga Policia Serbe për qëllimin e ardhjes në Serbi, duke pasur parasysh postimet e tij. Ndonëse Morinaj mund të ketë hyrë në Serbi me një pasaportë italiane, në vendkalimin kufitar serb nuk mund të mos kenë vënë re emrin e tij aspak italian, si dhe vendlindjen e tij në Shqipëri, çka do t’ i kishte nxitur zyrtarët serbë të vendkalimit kufitar që të bënin një kontroll për të, duke marrë në moment të dhëna nëpërmjet sistemit të informimit policor.

4)Meqënëse dy ditë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, në 16 tetor 2014, në Beograd do të vinte për vizitë Presidenti i Rusisë, Putin, mbikqyrja policore ishte shtuar edhe në vendkalimet kufitare, që ditë para kësaj vizite. Në Beograd që një javë para vizitës së Putin kishin ardhur disa qindra oficerë të shërbimeve të fshehta ruse, si pjesë e fuqizimit të masave të sigurisë. Pra, Beogradi ishte nën një regjim të dyfishtë të mbikqyrjes policore, me rastin e ndeshjes dhe të vizitës së Presidentit rus. Në këto masa sigurie shtesë bën pjesë edhe mbikqyrja e hoteleve në kryeqytetin serb. Veçanërisht ato ditë Policia informohej me shumë kujdes për bujtësit e hoteleve të Beogradit.

5)Kur Morinaj shkoi në një hotel në Beograd dhe u regjistrua atje, të dhënat e tij identitare i janë dërguar që atë ditë Policisë Serbe nga personeli i hotelit, si për çdo bujtës tjetër ato ditë. Dhe Policisë Serbe do t’ i kishte bërë në moment përshtypje ky shtetas italian me origjinë nga Shqipëria, çka kuptohej nga vendlindja dhe emri i tij. Dhe do të mjaftonte që Policia Serbe të bënte një kërkim të thjeshtë në Google me fotografinë e tij që të zbulonte se bëhej fjalë për njeriun që paraqitej me nofkën Ballist Morina. Dhe mjafton që Policia Serbe të shkruante në Google “Ballist Morina Facebook”, pa bërë një kërkim më profesional, që t’ i dilte llogaria e tij, e hapur, ku do të mund të merrte informatat interesante që kam thënë më lart, për postimet e tij, mbi surprizën që do të bënte në Beograd. Pas kësaj, që në natën e parë, Morinaj do të kishte si miq në dhomën e tij në hotel Xhandarët Serbë të cilët do ta arrestonin, do të kontrollonin, do të zbulonin bannerin dhe do ta nxirrnin publikisht para medias si një terrorist shqiptar që kishte ardhur të bënte një provokim në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Historia e Morinajt do të përfundonte në burgun e Beogradit, ku herë pas here do ta vizitonte Bogdanovi me miqtë e tij, me lejën e Policisë Serbe.

6) Pretendimi se droni është ngritur nga nga kubeja e Kishës së Shën Gavril Arhangjelit, e cila gjendet rreth 50 metra larg stadiumit, në anën verilindore të tij, nga një person që nuk është vënë re nga Policia Serbe, bie së pari për arsye se në kishë në kohën e ndeshjes ka pasur njerëz të cilët shikonin ndeshjen nga lartësitë e saj, prej nga ku duket pamja e fushës. Për ndeshjen Serbi-Shqipëri kishte shumë kërkesa për bileta që nuk u plotësuan për shkak të kapacitetit të stadiumit. Edhe priftërinjtë dhe murgjërit serbë donin të shikonin ndeshjen dhe disa prej tyre zgjodhën lartësitë e kishës për ta bërë atë. Stadiumi “Partizan” është ndërtuar në një gropë ku fusha është poshtë nivelit të rrafshinës përreth, dhe shkallët zbresin në gropë. Në këtë anë të stadiumit lartësia e murit rrethues së bashku me lartësinë e gardhit metalik sipër tij është shtatë metra. Bashkë me këtë lartësi duhet llogaritur edhe lartësia prej rreth pesë metra e pjesës së tribunës që është mbi lartësinë e murit rrethues të stadiumit. Në këtë lartësi prej pesë metra përfshihet edhe lartësia e murit anësor të sipërm të tribunës. Kështu që nga dritaret e epërme të kishës në lartësinë e kupolës duket një pamje e mirë e fushës së stadiumit.

7) Në kupolën e kishës dhe në muret e saj kishte jo pak sende ku litarët mund të kishin ngecur, çka do të kishte sjellë rrëzimin e dronit.

8) Në lindje të kishës, vetëm disa metra larg saj, gjendet një ndërtesë gjashtëkatëshe, në tarracën e së cilës qe stacionuar njësia më e madhe e Xhandarmërisë Serbe, që gjendej në tarracën e ndonjë nga ndërtesave në afërsi të stadiumit. Kjo për arsye se ndërtesa gjendet 15 metra larg murit rrethues të stadiumit, në pikëbashkimin e tribunës veriore dhe lindore të stadiumit dhe prej saj shikohet drejtpërdrejt pamja e fushës së stadiumit dhe e seksioneve VIP të njërës prej dy tribunave kryesore të stadiumit, asaj perëndimore. Nga tarraca e ndërtesës gjashtëkatëshe dhe lartësia e epërme e kishës dominohet pamja e brendshme e stadiumit. Këta xhandarë serbë vrojtonin zonën përreth edhe me dylbi me rreze infrakuqe. Është e pamundur që dikush të jetë ngjitur në kubenë e kishës për të ngritur dronin dhe të mos jetë vënë re prej tyre. Aq më tepër kur këtij personi do t’ i duhej kohë për të përgatitur dronin, për të lidhur litarët me bannerin dhe për ta shpaluar atë para se ta ngrinte në fluturim, në mënyrë që të mos ngecte në kubenë e kishës, çka duhet të ishte një gjë veçanërisht e ndërlikuar, duke konsideruar se banneri ishte i lidhur në dy litarë rreth 30 metra të gjatë.

9) Pikërisht në skaj të ndërtesës gjashtëkatëshe përpara stadiumit gjendet njëri prej dy parkingeve VIP të stadiumit, dhe pikërisht ku u parkuan automjetet e shtetarëve të lartë serbë, të pranishëm në stadium. Prandaj në këtë zonë ishte shumë i lartë përqëndrimi dhe vrojtimi i forcave të Policisë, Xhandarmërisë si dhe të shërbimeve të fshehta serbe, duke përfshirë edhe zonën e afërt, atë përreth kishës.

10)Në momentin që droni u ul në stadium u aktivizua sistemi i ndalimit valor dhe që prej këtij momenti u ndërpre funksionimi i çdo lloj vale duke përfshirë dhe ato të telefonëve mobilë. Kjo u bë thjesht duke shtypur një buton. Përse nuk u aktivizua ndalimi valor si pjesë e masave rutinë të sigurisë në momentin që droni u drejtua për të hyrë në stadium? Droni me banner është shfaqur në ekranët e qendrës monitoruese policore serbe të zonës përreth stadiumit, që pak momente pas ngritjes së tij. Veçanërisht të dobishme kanë qenë këtu pamjet që siguronin videkamerat e vendosura në shtyllat ndriçuese të stadiumit për të mbikqyrur zonën jashtë tij. Kur droni iu afrua stadiumit duhet të jepej alarmi dhe në moment të aktivizohej ndalimi total valor. Kështu, drejtuesi i dronit do të humbte kontrollin e dronit të komanduar për të lëvizur në zbritje dhe droni do të lëvizte deri kur të përplasej në tokë. Ata që kontrollonin sistemin e ndalimit valor qenë profesionistë të stërvitur për të vepruar pikërisht në situata të tilla. Kuptohet se ata e lejuan dronin që të hyjë në stadium. Ndalimi valor është aktivizuar një herë kur droni po i afrohej stadiumit, por pastaj është caktivizuar përsëri me një urdhër të dytë. Por ky fakt nuk mund të konfirmohet zyrtarisht. Rëndësi ka fakti që ndalimi valor duhet të ishte aktivizuar në momentet e afrimit të dronit dhe të ishte aktiv deri kur droni të binte në tokë, pra pas për një kohë shumë të shkurtër.

11)Droni u nis të hynte në stadium në skaj të tribunës anësore veriore pranë pikëtakimit të saj me tribunën ballore lindore, ku gjendej llozha VIP në të cilën qenë shtetarët e lartë serbë, duke përfshirë Presidentin Nikoliç. Por droni pastaj bëri një hark dhe hyri në stadium në skaj të tribunës anësore veriore, pranë pikëtakimit të saj me tribunën ballore perëndimore ku gjendet seksioni VIP në të cilin qe ulur delegacioni shqiptar, afër pikës ku gjendej Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit Edi Rama. Kuptohet se dikush i komunikoi drejtuesit të dronit që të çonte dronin në atë anë dhe jo në anën tjetër. Kjo u bë me qëllim që të fajësohej vëllai i Kryeministrit shqiptar se mori kontrollin e dronit nga brenda stadiumit me anë të telefonit të tij mobil.

12)Morinaj ka pretenduar se e dërgoi bannerin e dronit në dorën e një lojtari serb se nuk mund ta shikonte fushën e stadiumit nga vendi ku gjendej. Por nga trajektorja që bëri droni kur hyri në stadium dhe lëvizjet që bëri mbi fushë para se të ulej, kuptohet se personi që drejtonte dronin e shikonte shumë mirë fushën, madje nga disa pika. Droni nuk mund të kishte bërë ato lëvizje që bëri në stadium nëse drejtohej nga një njeri që gjendej 50 metra larg stadiumit dhe nuk mund ta shikonte qartë jo vetëm fushën, por edhe krejt stadiumin.

13)Në momentin që droni lëvizi nga jashtë stadiumit, për të hyrë në stadium në pjesën veriperëndimore të tij, pranë një prej katër shtyllave ndriçuese të stadiumit, banneri me litarë i lidhur në objektin fluturues me siguri që do të përplasej me shtyllën, nëse drejtohej nga një njeri që nuk kishte një këndvështrim të tillë që shikonte largësinë mes dronit dhe shtyllës ndriçuese të stadiumit. Nëse droni drejtohej nga Morinaj që nga kisha në anë të stadiumit, atëherë largësia mes pikës ku gjendej ai dhe shtyllës ndriçuese të stadiumit në tribunën veriore ishte 100 metra. Nga kjo distancë një njeri që punon me sy të lirë, në errësirën e natës, kur ndriçimi i shtyllës së stadiumit, i llogaritur për të ndriçuar brendësinë e stadiumit, më tepër të gabon se të ndihmon, me siguri që do ta kishte përplasur bannerin e lidhur me litarët e gjatë pas shtyllës ku litarët do të kishin ngecur. Kuptohet se droni drejtohej nga një njeri i cili e shikonte pamjen e brendshme të stadiumit nga disa ekrane njëkohësisht.

14)Pasi droni hyri në stadium ai bëri disa lëvizje mbi fushë, të cilat nuk mund t’ i bënte një drejtues droni që nuk kishte një pamje të qartë të fushës. Droni shkoi shumë afër dy tribunave të stadiumit dhe me siguri që do të ishte përplasur me to, duke u kapur banneri dhe litarët nga tifozët serbë, nëse drejtuesi i dronit nuk do të arrinte ta drejtonte dronin në atë mënyrë që të bënte disa kthesa që nuk mund të kryheshin veçse nga një njeri që ka një pamje shumë të qartë të fushës, madje edhe satelitore. Droni bëri lëvizje të sakta gjeometrike në stadium të cilat mund të kryheshin vetëm nëse ishte i pajisur me GPS.

15)Gjatësia e litarëve përbënte një vështirësi më vete për të ruajtur balancën e dronit gjatë fluturimit për shkak se banneri lëkundej nga era. Për këtë arsye fluturimi i tij ekspertët mbikqyrës e kanë krahasur me atë të një varke me vela me direk shumë më të lartë se sa është e nevojshme për madhësinë e velës së saj. Për shkak të gjatësisë së madhe të litarëve në fund të të cilit gjendej banneri, kishte shumë gjasa që litarët e dronit të ngeceshin në pemët përreth stadiumit, apo në shtyllat e ndriçimit të stadiumit, gjatë trajektores së tij.

16)Droni erdhi në stadium pikërisht në momentin që i interesonte Serbisë. Nga analiza e pamjeve televizive të ndeshjes rezulton se Gjyqtari britanik e ndërpreu lojën, kur kishin kaluar 41 minuta e 12 sekonda nga ndeshja. për shkak të hedhjes së përsëritur të objekteve piroteknike në fushë nga tifozët serbë. Disa sekonda pasi gjyqtari ndërpreu lojën për këtë shkak, droni, i cili gjendej në ajër jashtë stadiumit, iu afrua atij. Pikërisht në këtë moment një lojtar serb i tregon gjyqtarit me dorë dronin duke i kërkuar që ta shohë atë duke hyrë në stadium. Por gjyqtari nuk kishte interes për objekte jashtë stadiumit. Saktësisht 41 sekonda pas ndërprerjes së lojës u shfaq droni mbi stadium. Kjo do të thotë se ai që ka nisur dronin për në stadium e ka bërë këtë gjë pas ndërprerjes së lojës nga gjyqtari, çka duket edhe nga pamjet televizive, nga ku del qartë se droni është ende jashtë stadiumit kur u hodh objekti piroteknik në fushë, në minutën e dyzetedytë.

Në këto momente, ai që e drejtoi dronin në stadium me siguri që ishte duke e ndjekur ndeshjen dhe e ka lëshuar dronin pikërisht në këtë moment, kur u duk qartë se gjyqtari ishte i detyruar të ndërpriste jo më lojën, gjë të cilën e kishte bërë disa herë, por ndeshjen, për shkak të hedhjes së përsëritur të lëndëve piroteknike në fushë. Jo thjesht lojën, por ndeshjen. Se ka një ndryshim mes ndërprerjes së lojës dhe ndërprerjes së ndeshjes. Kjo do të ishte në dëm të Serbisë, se në stadium kishte vetëm tifozë serbë në tribunat prej nga hidheshin objekte piroteknike. Të vetmit shqiptarë në stadium, përve lojtarëve në fushë, qenë ata të delegacionit të FSHF, të cilët gjendeshin në tribunën qendrore, të mbikqyrur rreptë nga policët serbë. Asnjë prej tyre nuk është fajësuar për hedhje të objekteve piroteknike në fushë. Autori i lëshimit të dronit nuk mund të mos e dinte se dërgimi i dronit në stadium në këto momente ishte vetëm në interes të Serbisë.

17)Drejtuesi i dronit e dërgoi dronin në stadium në momentin që i duhej Serbisë për të mbuluar me këtë incident sjelljen barbare të tifozëve serbë që prej fillimit të ndeshjes, si dhe të gjitha incidentet që kishin ndodhur deri në atë moment, dhe që do të shkaktonin dënimin e Serbisë dhe marrjen e tre pikëve nga Shqipëria. Ardhja e dronit inicoi një zinxhir ngjarjesh në stadium që u bë shkak që Shqipëria të fajësohet për braktisjen e ndeshjes.

18)Drejtuesi i dronit e uli atë në atë pikë të fushës ku i interesonte Serbisë. Ai nuk e uli atë në duart e lojtarëve shqiptarë, gjë që ishte shumë e lehtë për shkak se në atë moment loja ishte ndërprerë dhe lojtarët e të dy skuadra qenë të veçuar, por e uli atje ku kishte vetëm disa lojtarë serbë, larg lojtarëve tanë. Kuptohet se drejtuesi i dronit donte të ishte i sigurt se banneri do të binte në dorën e një lojtari serb dhe kështu ndodhi. Drejtuesi i dronit e bëri këtë gjë sipas skenarit serb që kishte përgatitur një provokim ndaj lojtarëve shqiptarë të cilët duhet të nxiteshin që t’ i sulmonin ata serbë për t’ ua marrë bannerin e dronit, e kështu të justifikohej invadimi i fushës nga tifozët serbë. Gjithçka ishte e llogaritur me dinakëri nga profesionistë të shërbimeve të fshehta. Autorët e skenarit me dronin nuk donin që thjesht droni të zbriste në stadium por edhe që lojtarët tanë të luftonin për të, se kështu bindej bota se flamuri i zi i dronit, i ngjashëm me flamurin e ISIS, shtetit islamik, dhe me hartën e rreme është një simbol kombëtar shqiptar. Të gjitha këto qenë pjesë e një plani të sofistikuar të shërbimeve të fshehta serbe, jo veprime të njerëzve si Morinaj.

19)Autorëve të hartës iu duhej që bota të shikonte se lojtarët e përfaqësueses së Shqipërisë, pra të shtetit shqiptar, qenë duke luftuar për ta mbrojtur atë hartë, dhe kështu bota kuptonte se kjo hartë tregon aspiratën kombëtare shqiptare për Shqipërinë Etnike. Ajo hartë u shfaq në stadiumin e Beogradit si një kurth jo vetëm për lojtarët e përfaqëseses shqiptare, por edhe për të gjithë kombin shqiptar. Dhe që ta bindnin botën nëpërmjet sjelljes së shqiptarëve, serbët ia arritën që të organizojnë një lloj plebishiti, referendumi spontan ndër shqiptarët, ku këta duke shprehur entusiazmin për atë që ndodhi në Beograd i krijuan përshtypje botës se kishin shprehur miratimin për këtë hartë duke shprehur entusiazëm për të. Kjo gjë u shërbeu atyre që pretendojnë se projekti i bashkimit nacional të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm destabilizon Ballkanin.

20) Faktikisht, banneri i dronit ishte një flamur i zi, brenda të cilit kishte një hartë, dy portrete, një datë sipër hartës, dhe një mbishkrim poshtë saj. Hartës së dronit i ishte vënë një datë e caktuar, 28 nëntor 1912, dhe dy njerëz si autorë, Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Sipër hartës ishte kjo datë, anash saj qenë portretet e këtyre dy burrave. Pra, me këtë kërkohej të thuhej se me këtë hartë u shpall Pavarësia e Shqipërisë në 28 nëntor 1912. Ky është çelësi për të kuptuar hartën e dronit dhe kumtin që kanë dashur të shkruajnë në të autorët e saj. Data e saktë dhe dy portretet duan të thonë se kjo nuk është një hartë e trojeve ku shqiptarët kanë qenë autoktonë për mijëra vite, por një hartë e përdorur në Kuvendin e Vlorës në 28 nëntor 1912, me kufijtë që kërkoheshin për shtetin e ri shqiptar. Por nuk është aspak e vërtetë që Pavarësia e Shqipërisë në 28 nëntor 1912 u shpall me këtë hartë ky është një deformim i qëllimshëm i Historisë, i aspiratave kombëtare shqiptare për bashkim të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, aspiratë e cila gjendet edhe në preambulën (hyrjen) e Kushtetutës së Shqipërisë.

Fjala “AUTOCHTHONOUS” është një “gjethe fiku” e mjerë që nuk e mbulon dot lakuriqësinë e këtij mashtrimi djallëzor që është bërë me hartën. Synimi ka qenë që t’ i thuhet botës se kur shqiptarët shpallën Pavarësinë në 28 nëntor 1912 ata nuk deshën një shtet në kufijtë etnikë, por deshën të destabilizojnë krejt Ballkanin. Dhe që atëherë Ballkani ka probleme për shkak të aspiratës së shqiptarëve për të krijuar shtetin sipas hartës së dronit, është dashur të thuhet me atë hartë. Ismail Qemali dhe Isa Boletini nuk qenë të çmendur që t’ i kërkonin Konferencës së Fuqive të Mëdha hartën e dronit, se kështu do të akuzoheshin se donin që të destabilizonin të gjithë Ballkanin, të kryenin spastrim etnik më të madh se ai që kishte ndodhur deri më atëherë me shqiptarët dhe këtu nuk duhet harruar se deri më atëherë spastrim etnik qe kryer vetëm ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit, në verilindje të Kosovës së sotme.

Harta e dronit përfshin 40% të Malit të Zi të sotëm, rreth 25% të Serbisë së sotme, 55% të Maqedonisë së sotme, si dhe rreth 20% të Greqisë së sotme, çka nuk kanë qenë aspak kërkesat për kufijtë e shtetit shqiptar, të atyre që shpallën Pavarësinë në Vlorë, në 1912, që iu ishte atribuar kjo hartë. Harta zyrtare të cilën Kuvendi i Pavarësisë i Vlorës, ia dërgoi Konferencës së Londrës për kufijtë e shtetit të ri shqiptar, ekziston si dokument, dhe atje nuk bën pjesë Sanxhaku që gjendej në hartën e flamurit të zi. Sanxhaku është tregues se harta e dronit i përket një projekti islamik ballkanas, që e shikon Sanxhakun si urë lidhëse me Bosnjën islamike për të krijuar një kahlifat islamik në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt islamik kërkon të keqpërdore projektin historik të Shqipërisë Etnike, meqënëse e di se projekti i Shqipërisë Etnike ka një disponim entuziast tek shqiptarët, duke qenë se aspirata për bashkim kombëtar është edhe një ide që ka legjitimitet kushtetues në Shqipëri, pasi gjendet në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

21) Qëllimi i autorit të bannerit ishte që t’ i bënte turmat e shqiptarëve naivë që të reagonin spontanisht, me një entusiazëm kolektiv, duke u bërë adhurues të një flamuri të zi, për të cilin e tepërt të them, është flamuri luftarak tradicional i Xhihadit islamik dhe që përdoret sot nga ISIS, shteti islamik. Serbia nuk e ka paraqitur këtë version për ngjarjen se ka lënë kohë që shqiptarët të entusiazmohen masivisht nga banneri i dronit, dhe bota ta shikojë këtë gjë. Por më vonë Serbia, do të thotë se hetimet kanë dalë në këtë përfundim, dhe do të flasë për simbolikën islamike të flamurit të zi, për simbolikën e hartës si hartë e kahlifatit islamik ballkanas, për simbolikën terroriste islamike të ngritjes së dronit me këtë banner nga dora e një muslimani nga një kishë ortodokse serbe.

22) Një nga qëllimet ishte që të dublohej flamuri kombëtar shqiptar ai kuqezi. Serbët, të cilët vetë praktikisht nuk kanë një flamur kombëtar historik, se këtë flamur që kanë sot e kanë krijuar në shekullin XIX, ua kanë zili shqiptarëve flamurin historik, flamurin e Skënderbeut. Prandaj serbët në ndeshjen Serbi-Shqipëri sajuan shfaqjen me dron të një banneri të cilin e quajtën “Flamuri i Shqipërisë së Madhe”, duke nënkuptuar me këtë “Flamuri i Shqipërisë Etnike” Pra, një tjetër na qenka flamuri kombëtar shqiptar, është edhe flamuri i shtetit shqiptar, dhe një tjetër është flamuri i Shqipërisë Etnike që është flamuri i zi i dronit. Dublimin e flamurit kombëtar shqiptar e ka shpallur Morinaj Në 18 prill 2015, ora 6: 33 minuta, në faqen e tij zyrtare ne Facebook, Ismail Morina, Ballisti Official ku ka bërë një postim me titull “Flamuri AUTOCHTHONOUS i varur mbi pemën mijëvjeçare”. Në 18 prill 2015 Morinaj e quajti atë cohë katërkëndëshe, që pretendon se e ka ngritur me dron, një flamur: Flamuri AUTOCHTHONOUS”. Pra nuk kemi të bëjmë me një banner, ose poster, ose banderolë, por me një flamur. Kuptohet sipas porosisë së shërbimeve të fshehta serbe, për të cilët punon.

23)Nëse droni do të kishte zbritur në stadium tre minuta më pas do të kishte përfunduar pjesa e parë e ndeshjes, lojtarët shqiptare do të kishin qenë të sigurt në dhomat e brendshme të stadiumit dhe bota nuk do t’ i kishte parë lojtarët tanë të luftonin për të mbrojtur atë flamur të zi me atë hartë të rreme në qendër të tij. Lojtarët shqiptarë nuk do të ishin rrahur nga serbët si kopeja e bagëtive që prej fushës e përgjatë tunelit hyrës në dhomat e brendshme të stadiumit. Lojtarët tanë nuk do të qenë kontrolluar nga xhandarët serbë si kriminelë. Por autorët e skenarit me dronin nuk donin që thjesht droni të zbriste në stadium por edhe që lojtarët tanë të luftonin për të, se kështu bindej bota se flamuri i zi i dronit, i ngjashëm me flamurin e ISIS, shtetit islamik, dhe me hartën e rreme është një simbol kombëtar shqiptar. Ajo hartë u shfaq në stadiumin e Beogradit si një kurth jo vetëm për lojtarët e përfaqëseses shqiptare, por edhe për të gjithë kombin shqiptar. Dhe serbët ia arritën që të organizojnë një lloj plebishiti, referendumi spontan ndër shqiptarët, ku këta duke shprehur entusiazmin për atë që ndodhi në Beograd i krijuan përshtypje botës se kishin shprehur miratimin për këtë hartë duke shprehur entusiazëm për të. Kjo gjë u shërbeu atyre që pretendojnë se projekti i bashkimit nacional të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm destabilizon Ballkanin.

24) Ndonëse si Presidenti ashtu dhe Kryeministri i Serbisë e quajtën ardhjen e dronit në stadium një akt terrorist, madje Presidenti bëri një aluzion se kjo ishte një ngjarje e ngjashme me atentatet e 11 shtatorit në SHBA, Policia Serbe dhe shërbimet e fshehta (këta të fundit gjendeshin me detyrë sigurie në stadium edhe me rastin që atje janë shtetarët më të lartë të vendit), nuk u dukën aspak të interesuar për ta shtënë në dorë objektin fluturues kur ai ra në fushë? Madje, as edhe kur nisën trazirat në fushë, asnjë polic serb nuk ndërhyri për ta shtënë në dorë objektin fluturues. Pas ndeshjes Policia Serbe nuk dha asnjë njoftim se çfarë kishte ndodhur me objektin fluturues, ku gjendej ai. Dhe siç rezultoi më pas, droni jo vetëm që kishte hyrë në stadium i papenguar, por ai edhe ishte larguar që andej i papenguar dhe mundi të bjerë në dorën e Policisë Serbe vetëm pas dy ditëve. I vetmi serb që u interesua për dronin në stadium ishte një tifoz, jo një polic. Policia Serbe nisi ta kërkonte dronin vetëm pasi ai kishte dalë jashtë stadiumit. Policia Serbe, e cila kërkoi pultin e komandimit të dronit në çantat e lojtarëve shqiptarë, nuk u duk aspak e interesuar për të konfiskuar objektin fluturues kur e kishte atë në mes të fushës së stadiumit!!! Ky është çelësi që shpjegon gjithçka. Autoritetet serbe e braktisën dronin në fushë që të mund të thoshin se nuk kishin gjetur videokamerë te ai.

25)Duke nisur që nga momenti i ardhjes së dronit në stadium, zyrave të specializuara të shërbimeve të fshehta dhe të Policisë Serbe, që atë mbrëmje ishin në punë për shkak të gatishmërisë së lartë me rastin e ndeshjes, dhe të ardhjes së Putin pas dy ditëve, nuk do t’ u ishte dashur më tepër se disa minuta për ta identifikuar Morinajn duke bërë kërkime për fotografinë e dronit në Internet, me ç’ rast do të arrinin deri te postimet e Morinajt në Facebook. E për shkak të gatishmërisë së strukturave policore të shtetit serb, brenda disa minutave Policia Serbe do të kishte të dhënat nga sistemi TIMS i vrojtimit në vendkalimet kufitare, për hyrjen e Morinajt në Serbi. Dhe brenda një ore që nga ulja e dronit në fushë, fotografia e Morinajt do të shfaqej në televizionin serb, me emër dhe mbiemër real, si Ismail Morinaj, si njeriu më i kërkuar në Serbi, për shkak se ishte autori i ngritjes së dronit. Policia do të merrte të dhëna nga hoteli ku kishte bujtur Morinaj, jo thjesht se këta e kishin parë atë në televizor, por se Policia do të njoftonte të gjithë hotelet për t’ ju kërkuar të dhëna për këtë person. Dhe Morinaj nuk do të kishte asnjë shans për t’ u larguar nga Serbia. E shumta në mëngjes ai do të ishte arrestuar.

26)Autoritetet përkatëse serbe janë duke shfaqur një mungesë interesi të çuditshme për të zbuluar të vërtetën në hetimin që kanë nisur për dronin. Madje nuk kanë kryer as veprimet më të thjeshta hetimore. Ndonëse autoritetet serbe kanë thënë se do të lëshojnë një urdhër arresti ndërkombëtar për Ismail Morinajn, i cili fshihet në Shqipëri një gjë të tillë nuk e kanë bërë ende dhe sot pas gjashtë muajve. Emri i Ismail Morinajt nuk figuron në listën e të kërkuarve nga Interpoli, të publikuar prej tij. Duket qartë se autoritetet serbe duan ta përdorin emrin e Morinajt, si autor të dërgimit të dronit, por jo të kenë të bëjnë drejtpërdrejt me Morinajn. Prokuroria Shtetërore e Beogradit, e cila dha urdhër për kontrollin fizik të lojtarëve shqiptarë, duke i trajtuar ata si kriminelë nuk lëshoi urdhër arresti ndërkombëtar në ngarkim të atij që ka marrë përsipër publikisht dërgimin e dronit në stadiumin e Beogradit? Merret vesh, Ismail Morina është bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta serbe. Vetë Kryeministri i Serbisë Vuçiç tha pas ndeshjes se tre orë para nisjes së ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, ai personalisht u kishte thënë zyrtarëve të Bashkimit Europian, se ishte duke u përgatitur një provokim dhe një incident i rëndë nga ana e shqiptarëve me rastin e ndeshjes. Tashmë, kur është e qartë mosdashja e autoriteteve serbe për të arrestuar Morinajn, kuptohet se këto informata Kryeministri i Serbisë i ka pasur nga vartësit e tij që punonin me Morinajn.

27) Përzgjedhja simbolike që bëri Ismail (Ballist) Morinaj, që mesazhin e parë publik të tij pas kthimit nga Beogradi ta bëjë për Klubin e natës “Moska” në Tiranë, me një video të publikuar edhe në Youtube (Ballist Morina for Moscow ClubTirana, duke marrë parasysh edhe përmbajtjen e mesazhit të tij të cilin e kam analizuar, është një fakt shtesë kuptimplotë që tregon se Ismail Morinaj është një agjent serb i cili vepron sipas një skenari të mirëprgatitur që nuk ka përfunduar me dronin në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Përzgjedhja simbolike moskovite e Morinajt, e kqyrur në kontekstin e të gjithë fakteve që tregojnë se ai nuk mund ta ketë ngritur dronin pa bashkëpunim me serbët, ose më saktë tregojnë se ai thjesht e ka marrë përsipër ngritjen e dronit si akt, zbulon se operacioni special i luftës psikologjike të shërbimeve inteligjente serbe, në bashkëpunim me ato ruse, dhe me Morinajn si protagonist, vetëm sa ka nisur në 14 tetor, në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Skenari vazhdon te zbatohet pjesë-pjesë. Shërbimet e fshehta serbe e përdorën shfaqjen e Morinajt në Klubin “Moska” të Tiranës për të testuar se deri ku shkon naiviteti kolektiv te shqiptarët. Pra, a do ta kuptojnë shqiptarët ose jo se Morinaj bën lojën e Serbisë. Dhe varësisht kësaj do të bënin lëvizje të tjera. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se Morinaj me mesazhin e tij për Klubin “Moska” i bëri shqiptarët Moskarë Autochthonous! Aq më tepër e parë e gjithë kjo nën dritën e fakteve të shumta që tregojnë se ai nuk mund ta ketë ngritur dronin pa bashkëpunuar me serbët.

28) Vetë fakti që serbët e përdorën false flag operation me dronin me qëllime të shumëfishta, me një shpejtësi të madhe, tregon se kishte një agjendë të parapërgatitur. Serbia e përdori incidentin me dronin për të ulur përshtypjen e keqe që bëri në SHBA dhe vendet e Bashkimit Europian ftesa që Serbia i bëri Putinit për të vizituar Beogradin në kohën që Rusia është goditur nga sanksionet e Perëndimit për shkak të ndërhyrjes së saj ushtarake në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë. Me rastin e incidentit të dronit shtetarët serbë kaluan në kundërsulm ndaj Perëndimit, duke iu kërkuar Kryeministri Vuçiç liderëve të vendeve kryesore të NATO-s duke përfshirë SHBA, nëse ata e mbështesin idenë e Shqipërisë së Madhe ose jo. Ndeshja Serbi-Shqipëri përkoi me vizitën në Beograd të Presidentit Rus Putin, i cili ishte i ftuar që të vinte në Beograd dy ditë pas ndeshjes në një vizitë zyrtare. SHBA, NATO, Bashkimi Europian e kishin qortuar shumë Serbinë për këtë vizitë, për arsye se Rusia gjendej dhe gjendet nën regjimin e sanksioneve të NATO-s dhe Bashkimit Europian, për shkak të ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë. Në këtë rrethana Serbia donte një shkak që të reagonte ndaj Perëndimit, duke kaluar nga pozita mbrojtëse në pozita sulmuese dhe këtë shkak e gjeti me dronin në ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke e akuzuar Shqipërinë, një vend të NATO-s se bëri përpjekje të destabilizojë Serbinë dhe Ballkanin me një provokim shtetëror, çfarë e quajti dërgimin e dronit me banner në stadiumin “Partizani” të Beogradit.

29) Morinaj ka publikuar mjaftueshëm video aluduese sa për ta marrë përsipër dronin, në mënyrë që Serbia të mund ta bëjë atë përgjegjës. Por megjithatë, Morinaj, ndonëse për të nuk ka një urdhër arrestimi ndërkombëtar nga Serbia, dhe ai guxon të hyjë madje edhe në Kosovën Veriore të kontrolluar nga serbët, nuk jep një shpjegim publik, të detajuar sesi mundi ta ngrejë dronin dhe ta dërgojë në stadium në rrethanat e masave të posaçme të sigurisë të 14 tetorit 2014 në Beograd, si dhe të mund të largohej i paprekur. Në mes të 6000 policëve dhe xhandarëve serbë, si dhe të qindra oficerëve të shërbimeve të fshehta serbe të cilët gjendeshin në stadium e zonën përreth tij. Morinaj kishte rastin më të mirë për të dhënë shpjegime publike pas kallzimit penal që i bëra unë në Prokurorinë e Tiranës, në fillim të muajit prill 2015, dhe kur unë dhe ai patëm një ftesë për debat në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, nga drejtuesi Arian Çani. Morinaj jo vetëm që nuk e pranoi ftesën por dërgoi në emision një provokator me të vetmin qëllim që të mos shkoja as unë. Pra, Morinaj vepron sipas manualeve të shërbimeve të fshehta serbe. Unë kam qenë i gatshëm që debatin televiziv ta bëjmë kudo që ka dëshirë Morinaj, të cilit nuk i kanë munguar ftesat për intervista televizive, por ai thjesht nuk dëshiron të flasë për këtë çështje. Arsyet janë të kuptueshme.

30)Morinaj pas kallzimit tim penal ka aluduar se do të publikojë një video që tregon se si e ka ngritur dronin në Beograd. Por kjo video nuk mund të ketë vlerë, nëse ai nuk iu përgjigjet pyetjeve të paraqitura këtu. Se shërbimet e fshehta serbe mund ta kenë lejuar atë të bëjë një video, me qëllim që ta përdorte nëse në Shqipëri do t’ i kërkohej me ngulm sesi mundi ta kryente atë që pretendon se bëri në Beograd. Nga Kastriot Myftaraj


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama