e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

21 janari, prokuroria gjen gjurmet e fshirjes

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
21 janari, prokuroria gjen gjurmet e fshirjes
Filmimet e kryera nga kamerat e sigurisë të vendosura në godinën kryeministrore më 21 janar janë hedhur në një USB dhe CD, ndërsa më pas janë shpërndarë te disa persona. Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë ekspertizën e kryer nga laboratori i Ministrisë së Brendshme të disa kompjuterëve të sekuestruar në Kryeministri dhe në banesën e IT-së, Armando Kasa, nga të cilat është sqaruar i gjithë mekanizmi i regjistrimit, kopjimit, fshirjes dhe zhdukjes së këtyre pamjeve, të cilat mund të hidhnin dritë mbi mënyrën e veprimit të forcave të Gardës së Republikës gjatë demonstratës. Kishte dyshime se një nga kamerat kishte fiksuar momentin ku drejtuesit e Gardës, midis tyre edhe Ndrea Prendi, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të turmës, madje në distancë të ulët nga toka. Grupi hetimor nga Njësia Task-Forcë tashmë ka zbardhur tashmë të gjithë mekanizmin e zhdukjes së këtyre pamjeve, të cilat kanë përfunduar në duart e disa personave që janë marrë nën hetim.

Ekspertiza

Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se dërguan për ekspertizë një kompjuter të sekuestruar në Kryeministri, i cili shërbente për ruajtjen e dokumenteve nga inxhinierët elektronikë. Laboratori i Policisë Shkencore në Tiranë konfirmoi se kompjuteri, në të cilën kishte akses IT-ja i Kryeministrisë, Armando Kasa, si dhe punonjës të tjerë të qeverisë, kishte shërbyer për kopjimin e pamjeve dhe transferimin e tyre në disa CD. Nga verifikimi i raportit, oficerët e policisë gjyqësore kanë rënë në gjurmë të filmimeve të 21 janarit. Ata kanë saktësuar mënyrën e kopjimit të këtyre filmimeve dhe hedhjes së tyre në një CD. Megjithëse në serverin ku regjistroheshin pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë nuk kishte asnjë gjurmë të tyre, pasi kompjuteri ishte formatuar disa herë, prokuroria sekuestroi një tjetër kompjuter, i cili përdorej nga Kasa gjatë punës që kryente në godinën e Kryeministrisë.

Dyshohet se pasi filmimet janë kopjuar dhe fshirë nga serveri, janë hedhur në këtë kompjuter dhe më pas në USB apo në një CD. “Kemi dyshime se pamjet e fshira të 21 janarit janë hedhur fillimisht në kompjuterin e punës së Kasës. Më pas, nëpërmjet një USB-je apo CD-je, këto pamje janë kopjuar. Ende nuk kemi informacione se ku kanë përfunduar. Megjithëse ka dyshime se një kopje e këtyre pamjeve është regjistruar edhe në kompjuterët personalë të Kasës që iu sekuestruan në datën 23 janar 2012 në banesë, pas ekzekutimit të vendimit të gjykatës që kishte caktuar në atë kohë masën arrest shtëpie për Kasën”, thanë burimet nga prokuroria. Hetuesit kanë faktuar mënyrën e kopjimit dhe hedhjes në një USB. Ndërsa më pas, ka dyshime se këto pamje, të ruajtura më parë në USB, kanë kaluar direkt në një CD, pa u ruajtur në kompjuter personal. Një veprim i tillë duket se nuk ka lënë asnjë gjurmë në kompjuter. Oficerët e policisë gjyqësore deklarojnë se krahas kompjuterëve kanë sekuestruar edhe prova të tjera, të cilat janë objekt ekspertimi.

Provat

Njësia Task-Forcë në Prokurori pohon se ka gati vendimmarrjen për fshirjen e serverit të Kryeministrisë, ndërsa pohon se për këtë procedim penal ka dy ekspertiza, një të kryer në SHBA dhe një tjetër në laboratorin e policisë shkencore. Në një kohë që hetimi për katër vrasjet në demonstratë është drejt fundit, prokuroria ka siguruar mjaft prova që vërtetojnë se pamjet e 21 janarit janë kopjuar dhe fshirë nga serveri i Kryeministrisë. Këto prova të gjetura në banesën e IT-së, Armando Kasa, dhe në vendin e tij të punës në Kryeministri, të dërguara për ekspertizë, kanë ngritur dyshimet se në këto pajisje mund të jenë filmimet e 21 janarit.

Disa kompjuterë, një USB, telefoni dhe disa CD i janë nënshtruar ekspertimit në laboratorin shkencor të Ministrisë së Brendshme. Burime nga akuza pohojnë se për këto prova ka përfunduar ekspertiza dhe të dhënat i janë bashkëngjitur dosjes hetimore. Prokuroria nuk jep të dhëna nëse nga ekspertimi i këtyre provave janë gjetur apo jo fragmente nga filmimet, ndërsa pohon se për këtë çështje mund të ketë disa të pandehur.