'21 janari do te zbehe gjithe vitin 2011'
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
A ka pasur një grusht shteti në datën 21 janar në Tiranë? Ish-zv.kryeministri dhe deputeti demokrat Gazmend Oketa na këshillon të dëgjojmë përgjigjen e zv.ndihmës sekretarit të Shtetit Kauntrimen. Në këtë intervistë për Mapo, zoti Oketa flet për hijen e rëndë që kjo ngjarje do të hedhë mbi të ardhmen e politikës shqiptare dhe rrezikun që përfaqëson për mbajtjen e zgjedhjeve të 8 majit. Lidhur me “sëmundjet” aktuale të PD, ai thotë se forumet e partisë ndodhen në shkelje të hapur statutore
Zoti Oketa, keni qenë në fokusin e vëmendjes publike gjatë kësaj jave, pasi jeni i vetmi anëtar i Këshillit Kombëtar që keni votuar pro memorandumit të zotit Besnik Mustafaj. Çfarë ju shtyu drejt këtij gjesti publik, kaq të veçantë dhe të veçuar, për një mjedis si ai i PD?
Sëpari ju siguroj se nuk ka qënë aspak arsyeja për të qënë në fokus të vëmendjes publike, por një vendim i imi për të mbështetur një dokument përmbajtja e të cilit mu duk mjaft realiste dhe mjaft dashamirëse përkundrejt problemeve të brëndshme të Partisë Demokratike. Unë do përgëzoja z. Mustafaj si për angazhimin e tij në paraqitjen e këtij memorandumi, dhe po ashtu dhe për fisnikërinë në parashtrimin e tij. Me aq dijeni sa unë kam, z. Mustafaj kish depozituar disa minuta para fillimit të mbledhjes këtë memorandum dhe besoj se pothuaj të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar jemi njohur me përmbajtjen e tij vetëm gjatë leximit që z. Mustafaj i bëri para Këshillit. Kam ndjekur me vëmendje problematikat që ngriheshin në të dhe propozimet përkatëse dhe e gjeta me vend të mbështesja një iniciativë të tillë. Nga ana tjetër ju kujtoj se një pjesë të atyre shqetësimeve, unë i kam ngritur në prononcime apo intervista të mia të mëparshme. Ishte një memorandum i cili në ndjesinë time nuk u prit keq dhe nga antarësia e Këshillit, pavarësisht votimit i cili gjykoj se ishte i parëndësishëm.
Unë nuk e di se cili është perceptimi juaj për mjedisin brënda PD, por besoj se është një perceptim jo fort i saktë. Me gjithë problematikën që mund të ketë, personalisht sa herë kam gjykuar se duhet të shpreh mendimin tim, e kam bërë, ashtu sic dhe kam mbështetur vendimet politike edhe kur mund të mos kem qënë plotësisht dakort to. Këto janë rregullat që duhet të funksionojnë në një forcë politike.
Nga ana tjetër, të kërkosh më të mirën apo më shumë për familjen tënde politike, nuk më duket aspak mëkat. Kur për shkak të rotacionit normal demokratik një ditë PD nuk do të jetë më në pushtet, të jeni të sigurt se zërat “ndryshe” do shtohen, disa dhe do ta lënë PD-në. Por unë nuk dua aspak të bëjë pjesë në ato zëra ndryshe, as në ato zëra që belbëzojnë vetëm kafeneve. Unë jam anëtar i PD-së prej 20 vitesh, jam vlerësuar maksimalisht prej saj, por besoj se dhe e kam justifikuar këtë vlerësim. Pikërisht për këto arsye dua ta shoh forcën time politike, si një forcë e cila respekton statutin, e duke respektuar statutin respekton antarësinë. Dua ta shoh forcën time politike vërtetë një forcë Europiane jo thjesht nga kollaret tona, por nga sjellja, mendimet dhe opinionet tona. Unë kam hyrë në politikë për t’i shërbyer vendit tim, interesat e të cilit i kam primare. Unë e dua Partinë Demokratike të fortë, jo se ka përballë një opozitë të dobët, apo pothuaj inekzistente, por të fortë e të aftë për të përballuar cdo sfidë me standartet europiane dhe jo me nivelin e kundërshtarit.
Dokumenti në fjalë propozon në thelb hapjen dhe demokratizimin e një force të madhe politike, si Partia Demokratike. Cili do të ishte përshkrimi juaj i shkurtër për “sëmundjet” që kalon sot partia ku bëni pjesë?
Shkurtimisht, pikat kryesore të këtij dokumenti kërkonin funksionimin e Partisë sipas statutit, duke filluar që nga kostituimi i Këshillit Kombëtar, zgjedhja e Kryesisë së re dhe sekretarëve, pasi aktualëve i ka mbaruar mandati. Kërkonte reformimin apo rigjallërimin e Partisë Demokratike me synimin e ngjitjes së saj në nivelin e Partive Popullore Europiane. Sic u shpreha dhe më lart, ndjesia ime është se ne parim ky dokument nuk u prit keq. Në gjykimin tim pika e cila kërkon zgjedhjen e strukturave drejtuese bëri që ky memorandum të diskutohet shkurt në këtë mbledhje dhe besoj më gjatë në mbledhjen tjetër të Këshillit pas zgjedhjeve. Normalisht, sëpaku prej kësaj pike memorandumi mund të kish marrë më shumë mbështetje, pasi duket paradoksale që anëtarë të Këshillit nuk aspirojnë pozicionet e nënkryetarit, apo sekretariatet e ndryshme.
Ju kërkoni një përshkrim të shkurtër të “sëmundjes” që kalon sot PD? Nuk di të them nëse fjala “sëmundje” është e duhura, por nuk besoj se është kështu. Kur thua “sëmundje”, krijohet idea se mund dhe të mos shërohet. Unë besoj se fjala problem mund të jetë më e përshtatshme. Memorandumi i z. Mustafaj besoj se adreson fare qartë problemet kryesore. Unë do theksoja faktin se nga pikpamja statutore, d.m.th e kushtetuetshmërisë së partisë, jemi në shkelje të saj. Mosmbledhja e Këshillit Kombëtar në afatet që cakton statuti dhe moszgjedhja e strukturave drejtuese, mund të mos përbëjë një problem praktik për drejtimin e Partisë në qendër, por ky model merret fare lehtë dhe kopjohet dhe në degët lokale të PD, duke bërë që dhe vetë antarësia e PD-së të ndjehet e neglizhuar. Problematikë tjetër unë do quaja, një farë ndroje që ndjehet dhe tek antarësia për të diskutuar dhe publikisht cështje të tilla, si p.sh. dhe vetë memorandumin e z. Mustafaj.
Ne nuk duhet të harrojmë se PD është një vlerë për të gjithë shoqërinë shqiptare, nuk duhet të harrojmë se votuesit e PD-së janë disa herë më të shumtë në numër se vetë antarësia e PD-së. Prandaj pikërisht për këto arsye, besoj se dhe opinioni apo sugjerimet e mbështetësve të PD-së, të cilët nuk janë anëtarë të saj, duhen marrë në konsideratë. Personalisht nëse nuk do të besoja se PD është vërtet forca politike që mund të drejtojë më mirë vendin, se PD është forca politike që i ka të gjitha mundësitë të jetë një forcë europiane, nuk do t’i ngrija fare keto probleme, do të heshtja ose do isha duke bërë inxhinjerin. Nuk ka nevojë vetëm antarësia e saj, për një PD më të fortë dhe më europiane, por besoj se më shumë nevojë ka Shqipëria.
Sa e vështirë është të jesh një zë i pavarur në partinë e sotme demokratike?
Në rast se ke respekt për veten, për njerëzit që të kanë votuar dhe mbështetur, ju siguroj se nuk është aspak e vështirë. Unë më tepër se zë i pavarur, do ta thoja një nga zërat ndryshe, pasi nuk jam as i pari dhe as i fundit. Unë besoj se kështu kontribuoj më mirë për forcën time politike dhe është gjithmonë koha ajo që i vërteton ose jo gjërat.
Situata politike në vend vijon të sillet rreth ngjarjeve të 21 janarit. Si e shihni ju këtë ngjarje, në distancën e pothuajse tre javëve?
E shoh si një ngjarje e cila fatkeqësisht ka shkaktuar një traumë të fortë shoqërore dhe politike, krejtësisht të panevojshme dhe plotësisht të shmangshme. E shoh si një ngjarje e cila do jetë në qëndër të debateve politike për një kohë shumë të gjatë, dhe si një ngjarje e cila ka dëmtuar shumë besimin reciprok dhe mundësinë për rivendosjen e dialogut ndërmjët mazhorancës dhe opozitës. Nëse opozita do kishte treguar minimumin e përgjegjshmërisë, ju siguroj se ajo ngjarje e shëmtuar nuk do të kish ndodhur.
Të thërrasësh një demonstratë, dhe mos të qëndrosh në krye të saj, është krejtësisht e pajustifikueshme. Të shikosh policët shqiptar, të masakrohen me gurë për orë të tëra dhe të mos dalësh në krye të atyre të cilët i ke thirrur për të demonstruar është e patolerueshme. Të shikosh flamurin kombtar të përdhoset nga demonstruesit e tu e të mos dalësh në krye të tyre është e papranueshme. Të rrish në pritje, deri sa të humbin jetë demonstruesish e më pas të dalësh dhe të japësh konferenca është e dënueshme. Katër jetë shqiptarësh, katër bijë nënash, katër bashkëshort e prindër humbën jetën. Për cilën arsye? Për arsyen se dikush është i pazot të bëjë politikë aty ku duhet, është i paaftë të bëjë politikë brënda institucioneve, brënda sallës së parlamentit. Fatkeqësisht 21 Janari do të zbehë çdo datë dhe zhvillim pozitiv që mund të ketë vendi gjatë gjithë vitit 2011-të.
A ka pasur, sipas jush, grusht shteti më 21 janar?
Politikisht, atë që ndodhi me datë 21 janar mund ta emërtosh në mënyra nga më të ndryshmet. Por gjithmonë mbetet një përcaktim politik. Juridikisht duhet të jenë organet e pavarura kushtetuese të cilat duhet të zbardhin të vërtetën deri në fund dhe të sqarojnë të gjithë opinionin se cfarë emri ka ngjarja e 21 Janarit 2011.
Ajo që mund të them unë personalisht nisur nga sa kam ndjekur nga media dhe disa deklarata të cilave do t’i referohem më poshtë është kjo. Më 21 janar, në gjykimin tim, ka pasur një përpjekje të dhunshme për të pushtuar institucionin e Këshillit të Ministrave. Pamjet filmike e dëshmojnë këtë. Ka pasur një dhunë krejtësisht të pajustifikueshme e të papranueshme mbi forcat e rendit. Ka pasur fatkeqësisht dhe katër viktima e disa të plagosur, si nga protestuesit ashtu dhe nga forcat e rendit. Unë nuk kam informacione apo dokumenta të tjera, të cilat të më ndihmojnë për t’i vendosur një emër kësaj demonstrate të dhunshme.
Në rast se i referohemi deklaratës së z. Countryman lidhur me këtë pyetje, përgjigja ishte një “jo” e prerë. Dhe kjo “jo” e prerë nuk besoj se ka dalë nga një analizë politike që z. Countryman apo ndihmësit e tij kanë bërë, por besoj se ka dalë nga informacionet që agjencitë e specializuara amerikane i kanë përcjellë Ambasadës Amerikane dhe Departamentit të Shtetit. Ju referova z. Countryman, si përfaqësues të një vendi mik dhe si një zyrtar besoj ekuidistant ndërmjet dy palëve. Ju referova dhe për faktin se deklarimet e tij janë mirëpritur dhe janë gjykuar si deklarime në mbështetje të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pothuaj nga të gjitha palët, pavarësisht mënyrës sesi i lexon secila prej tyre.
Aktualisht duket e qartë egzistenca e një krize të thellë institucionale, që shoqëron atë politike. Kryeministri ka formuluar akuza të hapura ndaj kreut të shtetit, kryeprokurorit dhe shefit të shërbimeve sekrete. Cilat janë sipas jush, pasojat e kësaj krize dhe si mund të dilet prej saj?
Kriza institucionale mendoj se e përkeqëson akoma më shumë situatën, e cila dhe pa të ishte goxha e rënduar, për shkak të krizës politike. Si mund të dilet prej saj? Personalisht nuk di rrugë tjetër demokratike përveç asaj të dialogut dhe respektimit të pavarësisë së institucioneve. Rivendosja e dialogut politik, që për hir të së vërtetës, tani nuk është një gjë e lehtë, duhet të jetë hapi i parë.
Opozita mund të ketë të drejtën e saj të shprehë çdo kërkesë, por mjetet duhet të jenë demokratike. I vetmi vend ku duhet zhvilluar beteja politike duhet të jetë Kuvendi i Shqipërisë, çdo përpjekje për ta kaluar debatin politik në rrugë nuk ndihmon aspak zgjidhjen e krizës politike.
Nga ana tjetër, qëtësimi i toneve të komunikimit ndërmjet institucioneve, heqja dorë nga akuzat politike ndaj institucioneve të pavarura, jo vetëm që do ndihmonte në zgjidhjen dhe kapërcimin e krizës, por do ndihmonte në konsolidimin e shtetit shqiptar në tërësi. Është për të ardhur vërtet keq, kur mendon se na ndan pak më shumë se një vit nga 100 vjetori i pavarësisë dhe shteti shqiptar gjëndet në mes të një debati të tillë.
Cila është prognoza juaj për zgjedhjet lokale të majit? Sa e pengon klima e ndezur politike, kryerjen e reformës elektorale dhe ndërtimin e një besimi të ndërsjellë minimal mes palëve, në mënyrë që të kemi zgjedhje të pranueshme?
Kjo është njëpyetje të cilës është shumë e vështirë që ti përgjigjesh dhe të parashikosh zhvillimet. Sigurisht që klima dhe retorika e ndezur nuk krijon kushte për një rivendosje të dialogut politik dhe besimit reciprok. Por megjithatë, mbi të gjitha këto, mendoj se është jetike për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë që zgjedhjet e 8 Majit të zhvillohen. Dhe që këto zgjedhje të zhvillohen duhet që pa humbur as edhe një ditë më shumë opozita të deklarohet se do të marrë pjesë në to dhe të fillojë punën sëpaku duke dërguar përfaqësuesit e saj në KQZ.
Personalisht mendoj se mbajtja e zgjedhjeve të 8 Majit, mbajtja e tyre konform të gjitha standarteve europiane, është më e rëndësishme se e ardhmja politike e cilitdo individ. Ulja e toneve dhe akuzave të ndërsjellta është domosdoshmëri, pasi hyrja në fushatë me një klimë të acaruar dhe pa besim reciprok në rrezikon që zgjedhjet në vend që të shënojnë hapa përpara, të bëjnë të kundërtën. Unë mendoj se na takon të gjithëve, deputetë e përfaqësues politikë, të japim ndihmesën tonë në zbutjen e kësaj klime tejet të acaruar dhe tensionuar. Po ashtu mendoj se dhe media mund të ndihmojë në zbutjen e toneve dhe klimës së ndezur. Është në të mirë të vendit, të qytetarëve dhe institucioneve që të gjithë t’i rikthehemi dialogut dhe hap pas hapi të rivendosim besimin dhe respektin reciprok, i cili për momentin është pothuaj inekzistent.
Ditet e fundit, pas disa deklaratave te konsullit grek ne Korçë, ju Z. Oketa ne komisionin Parlamentar te Jashtem kerkuat shpalljen “non grata” te tij. A mendoni se ky veprim eshte i pershtatshem diplomatikisht dhe si mund te ndikoje ne marredheniet mes dy vendeve?
Së pari dua t’ju siguroj se kjo deklaratë e imja është bërë pa asnjë lloj nxitimi apo mungese informacioni. Një ditë para deklaratës sime, kam kërkuar thirrjen e një mbledhje të komisionit të Jashtëm Parlamentar ku Ministri i Jashtëm, apo përfaqësues të tij, të na njihnin me reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme. Vetëm pasi kam marrë informacionin e duhur, jam njohur zyrtarisht me përmbajtjen e deklaratës së konsullit grek në Korçë, me reagimin zyrtar të ministrisë sonë të jashtme, kam formuluar një kërkesë të tillë, pikërisht me shqetësimin e moscënimit të mardhënieve miqësore midis dy vendeve tona.
Qeveritë e të dy vendeve tona kanë vite që punojnë pikërisht në forcimin e mardhënieve të cilat janë vërtet në nivelë shumë të mira. Nuk duhet të harrojmë se jemi dy vende anëtare të NATO-s dhe personalisht nuk mund të pranoj që një konsull i cilitdo shteti të deklarojë se për regjistrimin e popullsisë duhet “kurajë dhe betejë”. Ju siguroj se kërkesa ime për ta shpallur konsullin si një person të padëshirueshëm, është një kërkesë e cila qëndron fare mirë në gojën e një deputeti, dhe sigurisht për shkaqe diplomatike nuk mund të qëndrojë në gojën e një ministri. Po ashtu jam i sigurt se nuk cënon aspak marëdhëniet mes dy vendeve, për sa kohë ne i kemi ndertuar këto mardhënie mbi bazën e respektit reciprok.