Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Më falni, dështova!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 16 vite më parë

Skënder Minxhozi
Më falni, dështova!

Me këtë shprehje të perifrazuar, marrë nga fjala e kreut të Partisë Demokratike italiane Valter Veltroni, hapej pjesa më e madhe e gazetave të Apenineve para tri ditësh. Kreu i opozitës italiane ka deklaruar bujshëm dorëheqjen pas një humbjeje elektorale në rajonin e Sardenjës, i cili qeverisej nga e majta gjatë mandatit të shkuar. Veltroni ka ikur nga kreu i Partisë Demokratike 16 muaj pas zgjedhjes, duke lënë një boshllëk që vështirë se do të mbushet në të ardhmen e afërt nga opozita italiane, e cila e sheh veten më shumë se kurrë brenda një krize që nisi me ikjen e Prodit dy vjet më parë dhe fitoren e Berluskonit.

Këto janë punët e të majtës italiane dhe ne këtu, ky kuadër zhvillimesh na prek dhe na intereson në mënyrë mjaft relative. Megjithatë, në ikjen e kreut të opozitës italiane ka diçka që ne shqiptarëve mund të na bëjë pesimistë dhe skeptikë. Jo për faktin se u largua nga skena një partner politik potencial i Shqipërisë, por kryesisht për mesazhin që hedh në eter një ikje e tillë e shpejtë, ndoshta e parakohshme, por natyrisht plot klas dhe ndjenjë përgjegjësie.

Veltroni humbi një ishull dhe iku. Kur e dëgjon këtë fakt shqiptari i mesëm, me plot të drejtë tund kryet e thotë "këta që kemi mbi krye prej njëzet vjetësh i kanë humbur disa herë të gjitha, e megjithatë nuk kanë ikur". Një konstatim totalisht i arsyeshëm e i kuptueshëm, për një mjedis ku nuk ndodh asgjë, ku nuk humbet asnjë molekulë energjie (negative) dhe ku gjithçka riciklohet dhe rikthehet sërish nga e para, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nëse ka një sistem ku parimi i "perpetum mobile" gjen mrekullisht zbatim praktik për herë të parë në historinë e fizikës, ky është padyshim sistemi ynë i partitokracisë. Kryetarë që bien dhe ngrihen si me magji, shefa që shpikin sigla që po vetë i këmbejnë me të tjera sigla, liderë politikë karagjozë që hidhen nga një anë tek tjetra vetëm për të ruajtur mandatin parlamentar dhe të tjerë akoma, që edhe pse me dosjen sa një mal në prokurori, nuk shkulen nga kolltuku. Kjo është skena jonë politike në këto prag-zgjedhjesh të vitit 2009. Të të nëntëmbëdhjetit vit të pluralizmit shqiptar të dominuar thuajse nga të njëjtit padronë që bëjnë kohën e mirë dhe të keqe.

Një pjesë e mirë e medias shqiptare është lodhur së shkruari dhe foluri, deri në kufijtë e përsëritjes dhe të mërzisë, për nevojën e ndryshimit të elitave drejtuese në këtë vend. Është thënë e stërthënë se politikanë si Berisha dhe Nano, të cilët drejtojnë (në fakt turbullojnë) Shqipërinë qysh nga viti i largët 1991 apo 1992 e kanë tashmë tejet të vështirë, për të mos thënë të pamundur, që të përballen me kalimin nëpër epruvetën e kohës. Ky vend vazhdon të vuajë të njëjtat kriza që kurrë s\'u zgjidhën në 18 vjet. Uji, energjia, infrastrukturat, shëndetësia, arsimi, bujqësia dhe turizmi, vazhdojnë të mbeten gangrenat tona kombëtare, më shumë sesa mundësitë e mëdha për zhvillim të të gjithë shqiptarëve.

Është thënë gjithashtu jo pak herë se, ndërsa ka njohur disa rotacione pushteti deri diku të pranueshme e pa dhunë, ky vend ka tashmë nevojën urgjente të një rotacioni elitash politike. Një proces brenda procesit, që do të sillte më në fund çlirimin e forcave politike nga padronati i zgjatur ku ndodhen prej dekadash. Një shembull klasik do të mjaftonte: Partia e sotme Demokratike. Një parti ku u shpresua në mënyrë të rrejshme dhe hileqare se skema foshnjore si ajo e KOP-it, do të sillnin freski dhe fytyra të reja në drejtimin e partisë. Ajo që shohim sot është karikatura që prodhoi një eksperiment i tillë, i cili nuk u krye aspak për të sjellë të rinjtë në politikë, por për të kontrabanduar edhe një herë të vjetrit si Sali Berisha nën petkun e të rinjve. Prandaj një ikje si ajo e ish-kryetarit të bashkisë së Romës nga lidershipi i opozitës italiane, tingëllon akoma shumë e largët për veshët tanë. Sepse në vitrinën ku i hedhim sytë përditë ende nuk ka një burrë që të ketë kurajën të dalë e të thotë "Më falni, dështova"! Mesa duket u dashka një tjetër stof dhe të tillë nuk ka për fat të keq në politikën shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama