Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një grevë jo si të tjerat

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një grevë jo si të tjerat

Një grusht burrash po vijojnë betejën e tyre simbolike me urinë në një cep të Tiranës. Në ditën e dhjetë të grevës së urisë së të përndjekurve politikë, vëmendja e një publiku të lodhur ndër vite nga togfjalëshi “grevë urie”, po vjen e rritet.

Me gjithë bojkotin total të qeverisë, të pasuar nga heshtja e mediave pranë saj, greva e urisë që zhvillohet te “Komuna e Parisit” ka qenë një ndër temat e nxehta të aktualitetit. Prezenca e ambasadorëve të huaj ia ka përforcuar kartën morale, edhe ashtu të fortë, grevës së urisë së të përndjekurve. Dalja e grevistëve të parë drejt spitaleve të Tiranës, po i jep kësaj ngjarjeje edhe tendosjen që shoqëron zakonisht këto lloj protestash. Një tension që mund të rritet me kalimin e orëve, kur gjendja e grevistëve do të rëndohet.

Opinioni publik amorf po nis të sensibilizohet gradualisht me grevën, por qeveria ka vendosur të mbajë një qëndrim shpërfillës ndaj saj. Berisha foli mjaft gjatë dje para deputetëve të tij, por ashtu si edhe në rastin e zjarreve masive pak javë më parë, ai qëndroi stoik, në mospërmendjen e një ngjarjeje, për të cilën, në kushte dhe në kohë të tjera, do të kishte ndezur “tym e flakë” Tiranën.

Ky vend ka parë në dy dekada, banalizimin e konceptit të ndërprerjes së ushqimit në shenjë proteste. Greva urie janë organizuar për shkaqe nga më të rëndësishmet, deri tek ato më të rëndomtat, për sherre fshatrash dhe lagjesh të humbura, për një vijë uji. Por kjo grevë nuk është si të tjerat. Në fund të 22 vjetëve, pasi lirinë e humbur nëpër burgje e kanë këmbyer me startin e vështirë të atij që s’di nga t’ia nisë pjesës së mbetur të jetës, ish të burgosurit e diktaturës po u thonë sot shqiptarëve se nuk besojnë më në asgjë. Ata që e votuan këtë qeveri në të mirë dhe në të keqe, duke pranuar të gënjeheshin për njëzet vjet me premtime, në vend të angazhimit konkret të së djathtës zyrtare, sot ndodhen në konflikt “me të gjithë botën”.

Është kjo paradigma dramatike e një brezi që, ashtu si pronarët e vjetër, kanë parë sesi antikomunizmi i fillimviteve ’90, u abuzua, u burokratizua, u fut në qorrsokakun e interesave të ditës dhe u devijua në një rreckë të gënjeshtërt që sot nuk e beson askush. Prandaj edhe gjuha e tyre kundër Sali Berishës tingëllon shpesh më e ashpër edhe se fjalori i opozitës parlamentare. Prandaj edhe gjestin e fortë simbolik të gjuajtjes me miell nuk e bënë as vlonjatët pas vitit 1997, as socialistët e vjedhur nëpër zgjedhje në shtatë vjetët e fundit apo ndonjë kategori tjetër sociale që e urren shtetin e sotëm, por ish të përndjekurit politikë. Një grup gjithnjë e më i vogël, gjithnjë e më i lodhur, gjithnjë e më i zymtë njerëzish, që tashmë nuk ka se çfarë të humbë. Drama njerëzore e grevës së urisë te “Komuna e Parisit” është fundi logjik i një teatri të madh absurd që u luajt (e vazhdon të luhet) me kartën e antikomunizmit. Sa e sa karriera të shkëlqyera politike janë ngritur këto dy dekada, duke shënuar në CV-të personale persekutimin dhe përndjekjen. Sa e sa herë është thirrur kjo kauzë historike në skenë, për të marrë vota, prodhuar konsensus ose thjesht për t’u përdorur për propagandë të rëndomtë. Mjafton të shohësh Kryetaren e sotme të Kuvendit (bashkë me plot të tjerë rreth saj), sesi heshtin me kokëfortësi, kur pyeten për ata burra të shtrirë te “Komuna e Parisit”, që të kuptosh sesa ujë ka rrjedhur nën ura, që nga orët e para të demokracisë së këtij vendi.

Në këtë vit elektoral, kur po mundohet t’u kthejë shtëpitë ish-pronarëve dhe të rehabilitojë figura historike të së shkuarës si Ahmet Zogu, Berisha po luan një lojë të rrezikshme me ish të përndjekurit politikë. Gara e vitit të ardhshëm mund të tolerojë gjithçka, përveçse lënien rrugës të votave. Aq më tepër që në skenë janë ngjitur dy forca të reja politike, njëra prej të cilave, partia e ish-presidentit Topi, po mundohet të zgjerojë bazën e saj elektorale pikërisht me atë pjesë të votuesve të djathtë që sot kanë dyshime të thella për qeverinë tetëvjeçare të Sali Berishës. Në këto kohë, kur gjithçka llogaritet me votën, si “valutë” e vetme shkëmbimi në bursën e politikës, ashpërsimi i marrëdhënieve me shtresën e të përndjekurve dhe pronarëve të vjetër, rrezikon t’i heqë themelin ideologjik Partisë Demokratike. E megjithëse e vetmja ideologji e vlefshme për klasën tonë drejtuese është interesi dhe paraja, ftohja e atyre shtresave që rregullisht kanë ushqyer bazën e PD-së mund të rezultojë fatale në vitin e ardhshëm. Një gjë është tashmë e vërtetë. Në sytë e atyre që e vuajtën në lëkurën e tyre komunizmin 45-vjeçar, kjo qeveri ka gënjyer për premtimet, i ka lënë në mjerim, ka shitur interesat kombëtare dhe është zhytur kryekëput në korrupsion.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama