Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Te gjithe ne provimin presidencial

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Te gjithe ne provimin presidencial

Sot, Kryeministri Berisha do të fillojë të përballet më në fund zyrtarisht me dosjen presidenciale, të cilën e ka evituar me insistim për javë të tëra. Samiti i Çikagos mbaroi, ngjarja e rëndë e Himarës tronditi thellë opinionin publik, por tashmë është koha që klasa politike t’i drejtohet sfidës së zgjedhjes së kreut të shtetit.

Nisja prej sot, e procedurave për presidentin e ardhshëm, e fut elitën tonë politike në një sprovë që ka qenë edhe më parë e vështirë dhe plot të papritura. Rama dhe Meta janë “përkujdesur” që votimi për Presidentin të jetë veçanërisht i komplikuar kësaj radhe, me afrimin e tyre të papritur. E kjo s’mund t’ia bëjë të lehtë rrugën një mazhorance e cila normalisht duhej të ishte më e shpenguar këtë herë, për shkak të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

Nga njoftimet e para që filtrojnë, mësohet se Berisha mund të ketë fillimisht konsultime brenda koalicionit, duke takuar një e nga një krerët e partive aleate. Vetëm më pas do të ndodhë, me gjasë, takimi i pritshëm mes tij dhe Edi Ramës. Berisha do të ketë rast të takohet me Ilir Metën, për herë të parë që nga takimi i fundit në ambasadën amerikane, dhjetë ditë më parë, me rastin e largimit të zv.ambasadores Jones. Do të jetë një moment kulmor i konsultimeve për zgjedhjen e kreut të shtetit, pas zërave insistues për një distancim të lexueshëm mes dy politikanëve në fjalë. Që nga shumë anë komentohet edhe si fillimit i fundit, për koalicionin e çuditshëm PD-LSI, që qeverisi vendin në tre vjetët e fundit. Është më se e pritshme që Berisha të tentojë të përçajë akordin e freskët mes Ramës dhe Metës, ndoshta duke i ofruar këtij të fundit një marrëveshje emërore për presidentin. Pak ditë më parë, LSI i kujtoi jo pa qëllim opinionit publik, marrëveshjen e verës së 2009 me PD, ku negociatat për zgjedhjen e presidentit zinin një vend të dukshëm.

Me gjithë insistimin për zgjedhjen e një figure politike nga radhët e partisë së tij, Kryeministrit mund t’i duhet të rishohë pretendimet e tij fillestare, për të ardhur te kërkesa e Metës për një kryetar shteti përbashkues dhe mbi palët. Mbetet të shihet nëse ai do të pranojë këtë ujdi dyshe, apo do të kërkojë që edhe PS të japë konsensusin e saj. Do të jetë një ushtrim i vështirë force ky mes dy aleatëve dhe një testim delikat nervash për mazhorancën, në një fazë të rëndësishme politike, kur prej kutisë së zgjedhjes së presidentit, mund të dalë një krizë e papritur politike. Nga ana tjetër, ky do të jetë gjithashtu momenti i të vërtetës për të kuptuar nëse nisma e Edi Ramës për t’u afruar me LSI-ne ka qenë një intuitë e saktë, bazuar mbi një marrëveshje të qëndrueshme, për të destabilizuar fillimisht procesin e zgjedhjes së një presidenti ngjyrë blu, e më pas, eventualisht, për t’i hapur rrugën një aleance elektorale. Rama pret të shohë nga këto konsultime sesa koherent do të jetë Ilir Meta, ashtu siç aspiron që, në frymën e këshillave të ndërkombëtarëve, të detyrojë Berishën për të shmangur “presidentin noter, siç pëlqen të thotë shpesh.

Mes tri partive më të mëdha qëndron gjithashtu një pjesë gri parlamentarësh, të cilët kësaj radhe, ashtu si në 2007, mund të kenë një rol përcaktues në balancat numerike. Gjithnjë nëse do të shkohet drejt përplasjes, e jo drejt një emri të negociuar. Deputetë të larguar nga opozita, disa parti të vogla centriste dhe padyshim një numër i panjohur mandatesh “fluide” (me fjalë të varfra, të shitblera), përbëjnë një minë lundruese në sallën e Kuvendit, ku pritet të votohet shtatë ditë pas seancës së sotme.

Në sfondin e kësaj procedure presidenciale, qëndron bashkësia ndërkombëtare. Është garancia më e madhe se nuk do të ketë një farsë, por një proces të vërtetë zgjedhjeje. Të huajt duket se e kanë ndarë mendjen. Pas dilemave fillestare për “presidentin kushtetues”, ata duket se kanë vendosur të sponsorizojnë me forcë një emër të negociuar mes palëve. Një zgjidhje logjike, në një demokraci të korruptuar, me institucione të dobëta dhe klane të fuqishme interesash që luftojnë për pushtet. Amerikanë dhe europianë kanë premtuar se do të jenë duke e vrojtuar me kujdes sot, mënyrën sesi Shqipëria do ta përballojë këtë sfidë të koklavitur. E kjo i shton qetësi dhe stabilitet garës për presidentin e ardhshëm të vendit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama