e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Zhduken 25 makina nga pika e bllokimit ne Tirane

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Zhduken 25 makina nga pika e bllokimit ne Tirane
Makina te zhbllokuara janë kryesisht vetura, por ka pasur edhe trajlera dhe makina të mëdha pune  Kontrolli ka zbuluar se makinat kishin dalë nga pika e bllokimit me dokumente të falsifikuara dhe pa lejen e policisë.

“Zhduken” 25 automjete nga pika e bllokimit të policisë rrugore. Lajmi bëhet i ditur për “Shekullin”, nga burime të policisë rrugore të Tiranës, të cilët thanë se largimi dhe zhdukja e automjeteve të bllokuara ka ndodhur në ambientet e pikës së bllokimit të automjeteve që ndodhet në Unazën e Re. Pas kontrollit të kryer dhe konstatimeve të gjetura, policia e Tiranës i ka dërguar shefave të saj një informacion të detajuar mbi “zhdukjen” e automjeteve nga pika e bllokimit të policisë.

Në këtë dokument, sipas policisë, vihet re se subjekti kontraktues ka shkelur pikën e kontratës në të cilën thuhet se zhbllokimi i automjeteve bëhet me urdhër të shefit të komisariarit. Kjo pikë e kontratës, sipas referimit të informacionit, është shkelur në së paku 25 raste. Nuk dihet se në çfarë mënyrë janë zhbllokuar automjetet e mësipërme të bllokuara nga policia, por sipas konkluzionit të grupit të inspektimit që ka kontrolluar dokumentacionin e administruar nga firma e pikës së parkimit dhe bllokimit të automjeteve, ato nuk janë gjetur nga grupi i mësipërm. Ky fakt ka bërë që policia të dyshojë se mjetet mund të jenë lënë të lira nga vetë punonjësit e subjektit apo me dijeninë e tyre apo të drejtuesve. Ndërkaq nga kontrolli, specialistët e policisë kanë vënë re se janë nxjerrë automjete me urdhër zhbllokimi false.

Mësohet se në këto raste, pas verifikimit të kryer të librave të zhbllokimit të policisë dhe urdhrave përkatës është vënë re se ato nuk ishin firmosur as nga shefi i komisariatit të Policisë rrugore të asaj kohe. Policia ka pohuar se nga kontrolli i zhvilluar janë zbuluar edhe pesë raste kur makinat janë nxjerrë me forcë nga pika e bllokimit. Në disa raste grupi i kontrollit, ka konstatuar se automjetet, kryesisht veturat, por edhe mjetet e tjera, janë liruar me urdhra zhbllokimi pa numër protokolli ose dy urdhra me një numër protokolli. Ky fakt, sipas burimeve të policisë, hedh dyshime se në këtë formë mund të jenë kryer veprime të tjera abuzive. “Është në përgjegjësinë e subjektit kontraktor që të mos pranojë urdhër zhbllokimi që nuk janë konform procedurave të regjistrimit e administrimit të mjeteve në pikën e bllokimit, – thuhet në shkresën e policisë, që i është dërguar subjektit që administron pikën e bllokimit të automjeteve.

Paralajmërimi

Shkresa e policisë paralajmëron prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme me subjektin kontraktor nëse do të viheshin re shkelje të tjera në rast të një kontrolli të dytë. Një paralajmërim i tillë, duket se vjen pavarësisht faktit se shkeljet e konstatuara duket se kanë qenë të përsëritura, për 25 herë me radhë nga subjekti që administron pikën e bllokimit të automjeteve të policisë.

25 automjete të llojeve dhe markave të ndryshme janë zbuluar se janë zhbllokuar në mënyrë të kundraligjshme nga pika e bllokimit të automjeteve të policisë e cila administrohet nga një subjekt privat.

5 automjete janë deklaruar si të marra forcërisht nga pika e bllokimit të automjeteve. Subjekti përkatës, ka pretenduar se këto automjete janë marrë në mënyrë të dhunshme nga pronarët e automjeteve përkatës.

2 raste të zhbllokimit të automjeteve me urdhra zhbllokimi false, zbuloi grupi i kontrollit i i drejtorisë së Policisë së Tiranës, gjatë kontrollit të kryer në ambientet përkatëse, e cila administrohet nga një firmë private e kontraktuar nga policia