Zgjedhja, Edi Paloka, kryetari i grupit parlamentar i PD-se
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ai është pjesë e strukturave të Partisë Demokratike prej vitit 1999, njeh mirë bazën, nuk ka qenë ministër në tetë vite qeverisjeje të së djathtës dhe njihet si politikani i linjës së ashpër në arenën politike. Pak a shumë, Edi Paloka do të jetë fizionomia që kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, kërkon t’i japë aksionit të ardhshëm parlamentar të opozitës. Burime nga PD-ja thanë dje për gazetën “Mapo” se Edi Paloka është kandidatura kryesore dhe më e mundshme për t’u propozuar si kryetar i Grupit parlamentar.
Ndryshe nga zgjedhja e paraardhësit, Edi Paloka pritet që të votëbesohet sot nga Grupi parlamentar i PD-së, edhe pse statuti i kësaj force politike parashikon një procedurë krejt tjetër. Në bazë të statutit të PD-së, nënkryetari i partisë, që është edhe kryetar i Grupit parlamentar, zgjidhet me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. “Njëri prej nënkryetarëve është kryetar i Grupit parlamentar”, thuhet në pikën 3 të nenit 43 të statutit të Partisë Demokratike. Për shkak të zgjedhjeve në parti, votëbesimi i Palokës nga Këshilli Kombëtar do të zgjasë jo pak. Ai pritet që të marrë sot votëbesimin nga grupi parlamentar i PD-së, ndërkohë që në muajin dhjetor ose edhe më vonë, Këshilli i ri Kombëtar që do të dalë nga Kuvendi i ri, do t’i japë ose jo atij mundësinë që të vijojë në këtë detyrë. Edi Paloka është një ndër deputetët demokratë që mbështeti që në fillim zgjedhjen e Lulëzim Bashës në krye të PD-së. Madje, në një prej intervistave të tij, Paloka nuk hezitoi të lëshonte shpotitje edhe për kreun e dorëhequr të Grupit, Astrit Patozi.
“…Më erdhi keq kur ndoqa intervistën dy orë të nënkryetarit të PD-së, i cili, në vend që të merrej me kundërshtarin politik Edi Rama dhe me PS-në, gjithë kohën u mor me sulme ndaj procesit zgjedhor të PD-së…”, – ishte një pjesë e qëndrimit të Palokës lidhur me akuzat e Patozit për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të PD-së. Paloka është deputet i zgjedhur në tri legjislatura, ndërsa nuk ka shkëputur për asnjë moment lidhjet me ish-kreun e demokratëve, Sali Berisha. Të paktën publikisht, mes tyre nuk ka pasur krisje të dukshme, çka tregon se zgjedhja e Palokës në krye të Grupit kënaq jo vetëm pritshmëritë që Basha kërkon të ketë ndaj grupit, por edhe ish-liderin e demokratëve, Sali Berisha, i cili ka premtuar se në legjislaturën e re, ai do të jetë një deputet i thjeshtë. Paloka ishte edhe i pari në radhët e PD-së që mbrojti publikisht kalimin e PD-së tek ambientet e ish-SHQUP-it, duke i thënë Ramës se do të bënte një gafë të rëndë në rast se ai do të vendoste kthimin e këtij vendimi. Pas një periudhe tetëvjeçare në gazetari, në vitin 1999, Paloka angazhohet në strukturat e PD-së, fillimisht si zëdhënës i partisë, detyrë të cilën e mban deri në vitin 2005.
Paloka ka qenë edhe nënkryetar i komisionit hetimor “Për hetimin e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit në dispozicion të ministrive”, ndërsa është angazhuar si anëtar në disa komisione, si ai për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, dhe së fundmi, anëtar i Komisionit të Ligjeve. Edi Paloka nuk u bë pjesë e kabinetit qeveritar të së djathtës, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, Berisha i besoi atij një nga zonat e Tiranës, duke e larguar nga kryesimi i grupit të punës për qarkun e Lezhës, ku ai ishte deputet për katër vjet. Paloka njihet gjithashtu për linjën e ashpër që ai mban ndaj palës kundërshtare dhe për pasojë, zgjedhja e tij nënkupton një opozitë të ashpër në Kuvend.