e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Zeri dhe tingujt shqiptare ne Paris

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Zeri dhe tingujt shqiptare ne Paris
Sopranoja e re shqiptare, Ramona Tullumani, rikthehet në skenën e Teatrit “Cortot” të Parisit. Për këtë koncert recital, që u prit me entuziazëm të veçantë nga publiku dhe mediat franceze, sopranoja Tullumani kishte zgjedhur të shoqërohej nga një tjetër shqiptar, pianisti i mirënjohur Genc Tukiçi.Pjesët e interpretuara në Paris ishin kryesisht arie nga operat e Belinit, Puçinit dhe Mozartit. Sfondi i rrallë që Ramona krijoi me zërin dhe interpretimin e arieve gjatë gjithë koncertit fitoi publikun francez, i cili disa herë gjatë recitalit duartrokiste në këmbë dyshen Tullumani-Tukiçi. Por këtij koncerti recital nuk i mungoi edhe një kolazh me muzikë shqiptare të përzgjedhur, që bëri për vete publikun parizien, i cili kishte mbushur sallën “Cortot”.

Tashmë një emër i njohur në mjediset kulturore të Parisit, Genc Tukiçi luajti në piano me një mënyrë që mund ta realizojë vetëm ai. Një nga pjesët e përzgjedhura për këtë program ishte edhe një përpunim i kanconetave italiane. Sopranoja Ramona Tullumani dhe pianisti Genc Tukiçi u detyruan të mbyllnin programin, duke interpretuar pjesë nga repertori francez.

Ambasadori shqiptar në Francë, Ylljet Aliçkaj, dhe shumë artistë shqiptarë, të cilët jetojnë në Paris, do të vlerësonin interpretimin e sopranos dhe pianistit të njohur, Tukiçi.Për sopranon Ramona Tullumani, koncerti recital në sallën “Cortot” në Paris vjen pas debutimit të saj në operan “La Boheme” të Puçinit në këtë sezon artistik, si dhe në disa teatro operash të rëndësishme të Italisë, me regjinë e divës së famshme botërore Katja Riçareli dhe krahas disa artistëve të njohur italianë.

Prania e shqiptares në rolin e Muzetës në këtë opera, garantoi sukses të madh e të plotë të shfaqjeve. Riçareli e quajti ”një Muzetë të lindur dhe të gjetur”. Por pas një viti ajo u rikthye sërish në sallën e Teatrit “Cortot”, këtë radhë me kërkesën e publikut parizien. Për sopranon e re, sfida tjetër do të jetë pas dy javësh në skenën e koncertit “Tre tenorët”, një takim i përvitshëm me tre emra të njohur të muzikës klasike.