e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Zbardhet skema, ja se si do te behet Fatos Nano President

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Zbardhet skema, ja se si do te behet Fatos Nano President
Dëshira presidenciale e Fatos Nanos tashmë është kthyer në objektiv real për të. Dy ditë më parë në një intervistë për “Top-Channel” ai shprehu në mënyrë të qartë se do të punojë dhe do jetë një nga kandidatët për President i vendit në zgjedhjet e vitit 2012. Nano deklaroi se ai do të kërkojë të jetë kandidat konsesual, pra duke marrë miratimin e të dyja palëve. Dy nga miqtë e Fatos Nanos, të cilët janë dhe bashkëpunëtorë të tij duke kërkuar ruajtjen e anoniminatit treguan për “Tirana Observer” mënyrën se si Nano mund të realizojë dëshirën e tij presidenciale. Ajo nis nga një afrim me Partinë Socialiste duke u arritur paqja e shumë pritur mes tyre, por dhe si një propozim i mazhorancës (LSI-së) me miratimin e heshtur të PS-së, Nano mund të behet politikani numër Një në vend.

Rrugët

Rruga me e natyrshme dhe më e sigurt që Fatos Nano të bëhet President, është ajo rrugë që kalon nga selia rozë, që vetë Nano e ka drejtuar për shumë vite. Dalja e fundit e tij tregoi se dhe vetë Nano ka kuptuar që të jetë President duhet të jetë mbi palët i baraslarguar dhe për këtë duhet të ketë dhe pëlqimin e opozitës. Një pajtim mes Edi Ramës dhe Fatos Nanos do të bënte që ky i fundit të ishte me shumë mundësi Kreu i Shtetit, pasi mirëkuptimin me Berishën dhe Metën duket se e ka gjetur. Gjithsesi procesi i përzgjedhjes është i gjatë dhe i ndërlikuar. Një pakt i fshehtë mes Ramës dhe Nanos do të thotë e sigurt se Nano zgjidhet President. Në të kundërt, nëse PS vendos që të mbështesë ndonjë kandidat tjetër për President, situata për Nanon do të ishte shumë e komplikuar

Takimet

Ndërkohë që Fatos Nano po i lëviz të gjithë gurët për të qenë ai pasardhësi i Bamir Topit. Fatos Nano para disa kohëssh ka pasur një takim kokë më kokë me Gramoz Ruçi, takim i cili ka kaluar në heshtje, por edhe një takim me publik me Arben Malaj. Në të dyja këto takime vecc krizës politike, është diskutuar edhe për presidencën. Nano i ka kërkuar Ruccit të lobojë tek Rama për kandidaturën e tij në krye të Pallatit të Brigadave. Por bashkëpunëtorëve të Nanos nuk përjashtohet që Fatos Nano të propozohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim për President, ndërkohë që deputetët socialistë me miratimin në heshtje të Edi Ramës, por pa një prononcim të tij zyrtar do të votojnë për Fatos Nanon në Parlament. Me këtë rast Rama heq përfundimisht Fatos Nanon si faktor tek Partia Socialiste.

Hakmarrja
Nëse Edi Rama nuk do të pranojë sërish që Nano do të behët President, atëherë kjo lëvizje mund të kthehet në një bumerang negativ për të për disa arsye. E para do të ishte që PS do të niste sërish të përçahej, dhe mazhoranca do të arrinte sërish të ketë një president nga radhët ë saj, çka do të jetë një goditje e fortë për selinë rozë. Por duke mos harruar edhe hakmarrjen politike të Nanos, i cili duke mos përtypur këtë lloj trajtimi për herë të dytë, do të nisë një fushatë për kreun e PS-së me qëllimin e vetëm për të dëmtuar Edi Ramën.

Ruli: Nano të bindë partitë politike
nëse kërkon të bëhet president

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, është shprehur dje se nëse ish-lideri i opozitës, Fatos Nano, kërkon të kandidojë për President duhet të bindë palët politike. Ruli vlerëson kontributin e Fatos Nanos në politikën shqiptare, por ai ngre pyetjen nëse Nano do të jetë figura konsensuale për postin e kreut të shteti. “Krahasuar me ambientin politik shqiptar, me njerëzit që mund të kenë staturën për t’u prezantuar dhe për të kandiduar për një rol kaq të rëndësishëm, z. Nano ka një CV të përputhshme”, thekson Ruli, por vijon ai,  “natyrisht z. Nano duhet të ketë një aksion politik me të cilin duhet të bindi në radhë të parë rreshtimin e tij politik të PS-së, ku do ta ketë të vështirë për shkak të Ramës, i cili ka uzurpuar vullnetin e PS-së”. Por, vijon  Ruli, “njëkohësisht Nano duhet të bindi dhe Partinë Demokratike dhe partitë e tjerat të koalicionit ose jo, të cilat duhet të pranojnë nëse do të jetë vërtet figura e z. Nano figura më konsensuale”.

Fatos Nano! Do jem kandidat për President në vitin 2012

Fatos Nano gjatë intervistës për “Top-Channel” paralajmëroi se do të rifutet në garën për zgjedhjet e Presidentit të Shqipërisë në verën e vitit të ardhshëm. Nano foli për herë të parë pas një heshtjeje të gjatë edhe në lidhje me zhvillimet politikë në vend, rikthimin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës dhe marrëdhëniet me vet Partinë Socialiste. I pyetur nëse do të insistojë sërish për tu zgjedhur president ai tha se “unë dhe oferta që ju e shprehet në mënyrën tuaj profesionale jemi aty. Me angazhimin dobiprurës për më shumë insiativa dhe hapësirë bipartizane dhe jo partizane në politikën shqiptare.

Për të bërë të kundërtën e asaj çka ka ndodhur për fat të keq dy vitet e fundit kur kampet e majta dhe të djathta të PE-së nisën të mbrojnë lojtarët respektivë të familjeve në debatin dhe konfliktin që solli ngërçin i cili bllokoi dy herë kërkesën e Shqipërisë për tu futur në rrugën e anëtarësimit të plotë. Jam shumë i vëmendshëm për të gjetur partnerët në të dyja kampet që më në fund do ta bënin të qëndrueshme prirjen e muajve të fundit për të konkurruar me njëri tjetrin pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit”. I pyetur se kush nga palët është fajtore për ngërçin dhe dështimin e statusit të vendit kandidat, Nano u shpreh se “jemi shumë vonë për të gjetur fajin.

Besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj. Jam i bindur se asnjë nga palët nuk e kryen dot vetëm detyrën e integrimit. Ky nuk është një terren konkurrimi negativ. Pra të dyja palët kanë potencialet, eksperiencën dhe përfaqësuesit e duhur. Këtë e tregojnë rezultatet e zgjedhjeve pasi elektorati është i ndarë përgjysmë. Shqipëria nuk hyn dot me gjysma në Evropë por duhet që të gjithë të vendosin duart në formën që fëmijët mbajnë njëri-tjetrin, që Shqipëria të mos humbë në mjedisin e ngarkuar me shumë probleme që ka edhe BE sot”.

Më tutje, në intervistën për TCH, Nano u pyet për marrëdhëniet me Partinë Socialiste duke thënë se “kjo është e njohur. Nuk mund ti shtoj ndonjë gjë të veçantë. Nuk bëhet fjalë për reagim personal ndaj një investimi shumë vjeçar që është i pranishëm në reformimin dhe sjelljen e së majtës në qeverisje me raportet dhe aftësitë konkurruese që ka shfaqur. Besoj se është e mundur që të rivendosen të gjitha marrëdhëniet që bëjnë të mundur jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkurruese në përgjithësi por edhe kontributin me faktorët e moderuar që do përshpejtonin integrimin”. Ish-kryeministri i ktheu përgjigje edhe shqetësimit për faktin se ende personazhet e politikës së vjetër do të na drejtojnë “nuk besoj se kjo mund të trajtohet në mënyrë kinematografike. Edhe në produksionet e Hollivudit vlerësohen aktorët me eksperiencë. Këtë e vendos vota, e vendos një publik i informuar dhe i vëmendshëm ndaj eksperiencës e ideve që çojnë vendin përpara. Ta konsiderojmë si shenjë vitaliteti që Shqipëria vazhdon të përtërihet duke siguruar një komunikim jo të keq midis brezave”.