e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Xhufi: Ngatërresat në Himarë të qëllimshme

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Xhufi: Ngatërresat në Himarë të qëllimshme
Ngjarja e fundit në Himarë kur një himarjot 35-vjeçar u vra nga një i ri 20 vjeçar nga Vlora ka rindezur polemikat nëse është Himara një zonë minoritare në Shqipëri apo jo. Korrespondenti ynë në Tiranë Ilir Kadia intervistoi historianin Pëllumb Xhufi dhe e pyeti se cila ishte sipas tij, e vërteta historike rreth Himarës.

Pëllumb Xhufi: E vërteta e Himarës është se ajo ka qënë një pjesë e pandashme e territorit shqiptar dhe e popullsisë shqiptare madje do të thosha se në momente të caktuara të historisë Himara është bërë qëndër e lëvizjeve për liri e pavarësi të popullit shqiptar.

Dihet që, kur ra Kruja, Himara u bë jo për vite, por për shekuj si epiqëndër, si vatra e fundit e lëvizjeve antiosmane. Dhe aty janë mbajtur aleancat e popullit shqiptar me partnerë të perëndimit, me Venedikun, me mbretërinë e Napolit, me të Spanjës e me Papatin deri në shekullin e 18-të për të oranizuar kryengritje kundër pushtuesit osman. Ky është profili historik i Himarës.

Por ka dokumenta të pakundërshtueshme duke filluar që nga ato të Venedikut apo të Mbretërisë së Napolit e pastaj ato të Perandorisë Osmane, regjistrimet pa komente siç kanë qënë regjistrimet e popullsisë dhe detyrimeve që paguanin komunitetet shqiptare.

Në regjistrimin e Himarës gjithë himarjotët, të gjithë po them, në mënyrë fare të dukshme, mbanin emra etnikë karakteristikë shqiptarë. Emra që edhe sot ruhen në mbiemrat e mjaft familjeve himarjote. Emra si Gjin, Gjon, Martin apo Gjokë që janë të pangatërrueshëm dhe nuk kanë nevojë për komente.”

BBC: Atëhere si shpjegohet që Himara edhe gjatë ketyre 20 vjetëve të fundit sjell herëpashere ngatërresa që pretendohet të jenë me sfond etnik?

Pëllumb Xhufi: Kjo është e qëllimshme. Natyrisht këtu kemi të bëjmë edhe me një rol që duhet thënë qartazi të Athinës zyrtare e cila nuk po bën ndonjë gjë të re sot. Sepse ky ka qënë qëndrimi që nga koha e krijimit të shtetit grek i cili ka shfrytëzuar statusin që ju njoh Kishës Ortodokse Greke pas rënies të Konstandinopojës më 1453-shin kur Patrikut Grek të Konstandinopojës ju la e drejta nga Sulltani të merrej me të gjitha popullsitë e krishtera.

Ju dha e drejta të hapi shkolla në të gjitha vendet ku kishte ortodoksë dhe kjo gjë u bë edhe në Shqipëri. Kjo ndodhi edhe në Himarë ku u hap shkollë greke ashtu si u bë edhe gjetkë në Shqipëri ku shkolla greke u hapën jo vetëm në zonat ku kish të themi popullsi minoritare si zona e Dropullit dhe Vurgut por edhe në zonat ku kishte ortodoksë si në Korçë apo Kolonjë me qëllim për të bërë atë indetifikim që e bënë turqit më përpara që bashkuan kombësinë me fenë të cilës çuditërisht ju referua edhe Greqia e re e krijuar më 1821.

Ky kriter pra i identifikimit të popullsisë me fenë u ndoq nga shteti grek i cili ka vazhduar të pretendojë se atje ku ka patur shkolla greke atje popullsia është qartazi greke. Dhe një gjë të tillë e kërkoi edhe në Konferencën e Paqes të vitit 1919 në Versajë. Por kjo gjë natyrisht nuk ju njoh nga fuqitë e mëdha duke filluar nga shtetet mike siç qenë Franca dhe Anglia që nuk ja pranuan këtë lloj kriteri.

Aty u njoh minoriteti grek në Shqipëri në ato përmasa dhe ato kufij që realisht është. Qeverija shqiptare e atëhershme u obligua të njohë minoritetin grek dhe malazes, këto dy minoritete janë njohur nga Lidhja e Kombeve në 1921, dhe të bëjë një raport mbi gjendjen e minoriteteve në Shqipëri. Qeveria shqiptare i ka bërë këto raporte të përvitshme dhe Himara nuk përfshihej asnjë vit si vend minoritar. Raporti kish të bënte me 83 fshatra të tjera që janë realisht minoritare.