e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Wikileaks zbardh dy takimet sekrete Thaçi-Tadiç

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Wikileaks zbardh dy takimet sekrete Thaçi-Tadiç
Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti Serb janë takuar në Nju Jork dhe në takimin e Internacionales Socialiste. Tadiç: Po përpiqemi të dalim nga një e kaluar e keqe. Unë nuk jam Slobodan Milosheviç.

Kabllogramet drejtuar Departamentit amerikan të Shtetit zbardhin dy takime sekrete mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Boris Tadiç. Në morinë e kabllogrameve të publikuara nga Wikileaks gjenden edhe dy të tilla, të dërguara prej ambasadës amerikane në Athinë dhe misionit amerikan në Kombet e Bashkuara, të cilat flasin për takimet Thaçi-Tadiç. Një kabllogram i ambasadës në Athinë, i vitit 2006, shkruan se Tadiç ka thënë që është takuar shkurt me Hashim Thaçin, përpara takimit të Internacionales Socialiste dhe se që të dy, sipas tij, kishin rënë dakord që kontaktet direkte mes Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës, do të ishin të dobishme. Materiali është dërguar në DASH, nga ambasadori Charles Reis, i cili raportonte për vizitën në Greqi të presidentin serb, Tadiç dhe atij malazes, Maroviç. Ambasadori shpjegon fillimisht se si Tadiç refuzonte çdo formë të pavarësisë për Kosovën dhe bënte thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet palëve.

“Në një zhvillim pozitiv, Tadiç tha se ai kishte pasur një diskutim të shkurtër me liderin e shqiptarëve të Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e Internacionales Socialiste, dhe të dy ishin pajtuar se kontaktet direkte ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës, do të ishin të dobishme”,- shkruante ambasadori Reis, në dokumentin dërguar Washingtonit. Ndërsa në kabllogramin e misionit amerikan në OKB, i janarit të vitit 2008, thuhet se Tadiç ka deklaruar që në Nju Jork kishte takuar Hashim Thaçin dhe se do të takohej sërish me të, në përpjekje për të arritur një kompromis për statusin, teksa ankohej se premtimet për pavarësi i kishin bërë shqiptarët jobashkëpunues.“Presidenti Tadiç tha se Serbia kishte ofruar një ‘model shumë të qartë të autonomisë substanciale’, gjatë negociatave të Treshes për statusin final. Ai bëri thirrje për më shumë bisedime, sepse: ‘ne nuk do të heqim dorë nga Kosova’.

Ai tha se e kishte takuar në Neë York kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe se do të takohej me të përsëri në përpjekje për të gjetur një kompromis final për statusin, por u ankua se historia e fundit e Kosovës dhe premtimet për pavarësinë po i bëjnë shqiptarët jobashkëpunes. Ai tha se: ‘ne kemi një të kaluar të keqe, nga e cila po provojmë të dalim’, por insistoi se: ‘Unë nuk jam Slobodan Miloseviç’”,- ka raportuar ambasadori amerikan. Nëse i referohemi kabllogrameve të lobimit anti-pavarësi pas 2008-ës, gjuha e diplomacisë serbe merr të tjera nota. Një kabllogram i vitit 2010 tregon mbi vizitën e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremic në Austri, ku ai kërkon qartë një zgjidhje sa për të shpëtuar imazhin e Serbisë, teksa kërcënohet nga ministri i Jashtëm austriak, se një konflikt mbi Kosovën do të dëmtonte aspiratat e Serbisë për në BE.