Votimet, problemet ne QV ne rrethe
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Problemet e para per nisjen e procesit te votimit ne rang vendi.
FIER- Rreth orës 18.00, një çift bashkëshortësh është kapur në qendrën e votimit në Libofshë, duke fotografuar votën e tyre. Me vendim të komisionit zgjedhor, të dyja fletët e votimit janë nxjerrë të pavlefshme.
Mbyllet QV në fshatin Kalcat, komuna Livadhja
SARANDE- Qendra e Votimit në fshatin Kalcat komuna Livadhja në KZAZ nr.89 me qendër në Ksamil është mbyllur mesditën e sotme pas një urdhëri të marrë nga KQZ. Lajmin e deklaron kryetari KZAZ nr.89 Osman Xhaferi, sipas të cilit kjo qendër nuk u hap në kohë. Shkak është bërë kërkesa e kryetarit të komunës Livadhja, Irodhi Dalani, për të transferuar qendrën e votimit nga vendi ku ishte caktuar më parë, në një vend tjetër. Për shkak të kushteve jo të përshtatshme, komisionerët nuk pranuan të hapnin qendrën e votimit. Edhe pse herë pas here u është bërë thirrje nga KZAZ nr. 89 dhe kryetari i saj Osman Xhaferi madje është shkuar edhe në vend nuk arrit gjuha e përbashkët për ta hapur atë. Atëherë është komunikuar me KQZ, ku u vendos mbyllja e saj për t’u hapur në një moment tjetër. 216 votues të regjistruar në listat e votimit në këtë fshat nuk kanë mundur sot të votojnë për kandidatin e tyre. Sh. Dine
Burgjet
Deri në orën 17.20 rezulton të jetë mbyllur procesi i votimit në 12 burgje të vendit, ku kanë votuar 90% e të burgosurve. Vetëm 30 prej tyre nuk kanë mundur, për shkak të mungesës së kartave të identitetit.
BERAT- Dy raste të fotografimit të votës janë ndeshur gjatë këtyre orëve në Qarkun e Beratit. Një rast është hasur në fshatin Poshnje dhe një tjetër në një qendër votimi pranë stadiumit në qytetin e Beratit. Në të dyja rastet bëhej fjalë për dy gra me profesion mësuese. Komisionet përkatëse i kanë nxjerrë të pavlefshme këto fletë votimi. Ndërkohë procesi vijon i qetë në Qarkun e Beratit. Deri në orën 16.00 mësohet të kenë votuar në Kuçovë 40%, në Poliçan 30%, në Çorovodë 34% dhe në Berat 42% e votuesve. D. Xh
KRUJE- Në orën 16.20 minuta është zhbllokuar procesi i votimit në qendrat 1268 dhe 1269 në Krujë. Bllokimi ka ndodhur rreth orës 15.30 kur komisioneri i Partisë Socialiste ka kërkuar ndalimin e votimit, për shkak të tensionit të krijuar rreth qendrës së votimit. Sipas tij, pranë qendrës po bëhen përpjekje për blerjen e votës me anë të parave, ndërkohë që është grumbulluar edhe një numër i madh njerëzish. Tanimë procesi ka nisur normalisht.
BERAT- Rreth orës 16.00 në qendrën e votimit 3237 në Berat është kapur një votues duke fotografuar fletën e votimit. Komisioni e ka konsideruar votën e fotografuar, të pavlefshme.
GRAMSH- Rreth orës 15.00 është ndërprerë procesi i votimit në fshatin Skënderbeg në Gramsh. Vëzhguesi i Partisë Demokratike Bajram Kllogjri ka kërkuar pezullimin e procesit pa shkak ligjor.
KRUJE- Në orën 15.30 është ndërprerë procesi i votimit në qendrat 1268 dhe 1269. Ka qenë komisioneri i Partisë Socialiste ai që ka kërkuar ndalimin e votimit, për shkak të tensionit të krijuar rreth qendrës së votimit. Sipas tij, pranë qendrës po bëhen përpjekje për blerjen e votës me anë të parave, ndërkohë që është grumbulluar edhe një numër i madh njerëzish.
DIBER- Rreth orës 10.20 në Bashkinë e Klosit është ndërprerë energjia elektrike. Nuk dihen ende shkaqet.
BULQIZE- Qendra e votimit numer 10480 e bllokuar prej 4 orësh, qe nga nisja zyrtare e votimit.
GJIROKASTER- Rreth orës 08.55 është shënuar një incident pa pasoja të rënda në qendrën e votimit 4242 në Gjirokastër.
Bëhet fjalë për një shtyrje mes një simpatizanti të Partisë Socialiste dhe një qytetari tjetër. Mësohet se ky i fundit i përkiste komunitetit rom. Grindja është shuar shpejt dhe pa asnjë pasojë.
DURRES- Vetëm pak minuta pas hapjes së qendrave të votimit, është ndërprerë procesi në lagjen Nr.5, qendra 1493/1 në Durrës.
Arsyeja ka qenë ngatërrimi i kapakëve të kutive të votimit.
Sipas komisionerëve, pritet që procesi të rifillojë pas disa orësh, pas zëvendësimit të materialeve, të nxjerra tashmë të pavlefshme.
Ora 07.20
KRUJE- Në qendrën e votimit 1315 nuk ka nisur ende procesi i votimit. Mësohet se shkak është bërë vonesa në furnizimin e qendrës me materialet zgjedhore.
Ndërkohë ka pasur një përplasje të lehtë mes simpatizantëve dhe anëtarëve të komisionit, por gjithçka është mbyllur shpejt dhe pa pasoja.
Sipas komisionerëve pritet që shumë shpejt në qendër të mbërrijnë materialet përkatëse dhe të zhbllokohet procesi.
KRUJE- Nuk ka nisur ende procesi i votimit në qendrën e votimit 1285 në komunën Tapizë. Shkak janë bërë mosmarrëveshjet mes komisionerëve për materialet e votimit.
TIRANE
Nuk nis votimi ne qendren e votimit numer 1976, ne njesine 9 ne kryeqytet. Mesohet se ka probleme me vulen, pasi mungon boja.
TIRANE / ora10.30 Ne qendren 1702 ka mbaruar boja e vules, njerezit presin ne radhe.
PUKE
Puke, komuna Breg nuk ka nisur votimi ne orarin e caktuar. Shkak nderrimi i kapakut te kutise se votimit. KZAZ nr 8 po merr masa per nderrimin e kurise
LIBRAZHD- Ne komunen Stebleve ne nisje te orarit te votimit ka pasur probleme, mungojne komisioneret e PD dhe te PR.
Ne Librazhd ne te gjitha Qendrat e Votimit mungojne komisioneret e PR
Ne fshatin Bershi te Bashkise Klos votimi nis me vonese, komisioni ngaterron kapaket e kutive te votimit.
Gramsh nuk ka nisur ne kohe votimi ne qendren 2595. Shkak vendosja mbrapsht e kapakut te kutise se votimit.
Ne Drize te Gramshit mungon procesverbali i nderrimit te komisionereve.
KAVAJA/ Zevendesohen komisioneret e PR, probleme ne disa qendra votimi.
FIER/ Ne qendren e votimit 3011 ne kete qytet nuk lejohen vezhguesit e PS-se te kontrollojne listat e zgjedhesve, te cilet pretendojne se KQZ e lejon nje gje te tille. Votimi pavaresisht kesaj vijon normalisht.
DURRES- Deri ne oren 09.00 nuk ka nisur ende procesi i votimit në qendrën 1499, në lagjen Nr.8 në qytetin e Durrësit. Shkak është bërë mungesa e bojës timbruese. Pritet zhbllokimi i procesit.
DIBER- Rreth orës 09.20 është bllokuar procesi i votimit në qendrën e votimit në fshatin Cerenec të komunës Gjoricë. Shkak është bërë një person, i cili kërkon të votojë për gjithë fisin.
GJIROKASTER- Ka filluar me vonesë procesi i votimit në fshatrat Turan dhe Veliqiot të Gjirokastrës. Shkak është bërë mungesa e komisionerëve të Partisë Demokratike. Është kërkuar zëvendësimi i tyre dhe më në fund ka nisur procesi zgjedhor rreth orës 10.00. Ndërkohë një numër i madh njerëzish prisnin për të votuar në ambientet e jashtme të qendrës së votimit.
TEPELENE- Deri në orën 10.00 në Tepelenë ëhstë votuar në masën 15%. Procesi zgjedhor po ecën normalisht.
TEPELENE- Rreth orës 10.00 është ndërprerë procesi i votimit në fshatin Beçisht të Tepelenës. Shkak është bërë dëmtimi i vulave të komisionerëve. Në pritje të zëvendësimit të tyre, është shtuar edhe numri i njerëzve që kërkojnë të votojnë.
FIER- Ka nisur me rreth 3 orë vonesë procesi i votimit në fshatin Darzezë të Fiert. Arsyeja ka qenë dëmtimi i vulës.
LUSHNJE- Deri në orën 11.30 nuk ka filluar procesi i votimit në qendrën e votimit 2981 në Divjakë. Mësohet se arsyeja është humbja e vulës.
VLORE- Ka filluar me vonesë procesi i votimit në qendrën e votimit 4503 në Vlorë. Ka rezultuar se komisioneri i partisë Demokratike ka qenë i caktuar në dy qendra votimi. Kjo bëri që të mungonte përreth 2 orë komisioneri i PD-së. Megjithatë me konsensus gjithçka ëhstë zgjidhur dhe nuk është ndërprerë procesi votues.