e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Vlore, vritet gjyqtari i çeshtjes ‘Bollano’. Topi: Atentat ndaj drejtesise

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Vlore, vritet gjyqtari i çeshtjes ‘Bollano’. Topi: Atentat ndaj drejtesise
Burime nga Vlora bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Një automjet me targa VL 63 53 B ka shpërthyer në bulevardin kryesor të qytetit ndërsa mendohet për një të vdekur. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Skelës, automjeti ishte në pronësi të gjykatësit Skerdilajd Konomi 35 vjeç. Shpërthimi ndodhi në momentin që makina ishte në ecje. Si pasojë ka gjetur vdekjen edhe vetë gjyqtari. Për shkak të flakëve që kanë shkrumbuar automjetin, për momentin nuk dihet asgjë për llojin e eksplozivit por policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. Gjithashtu policia po heton edhe çështjet që ka shqyrtuar së fundi gjyqtari dhe po hetohet nëse ka pasur kërcënime kohët e fundit.

Skerdilajd Konomi punonte si gjyqtar në Vlorë që prej vitit 2006. Me vendim Nr. 189, datë 28.03.2006, në bazë të Kushtetutës Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka transferuar në Vlorë gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Skerdilajd Konomi. Konomi ishte gjyqtar në çështjen kundër ish-kryetarit të bashkisë së Himarës Vasil Bollano ku ku i fundit akuzohej për shpërdorim detyre.

Topi: Aktin është atentat ndaj sistemit të drejtësisë

Menjëherë pas ngjarjes Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dënuar aktin kriminal që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi. “Ky sulm mafioz dhe brutal, që mori jetën e gjyqtarit, është një atentat ndaj sistemit të drejtësisë, shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri. Atentati ndaj një gjyqtari përbën kërcënim për shoqërinë dhe institucionet e shtetit”, është shprehur presidenti. Topi u kërkoi të gjitha autoriteteve përgjegjëse zbardhjen dhe dënimin e merituar të autorëve.