e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Vizat, ligj per 'penalizimin' e Ballkanit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Vizat, ligj per 'penalizimin' e Ballkanit
Azilkërkuesit mund të cenojnë procesin e lëvizjes së lirë në zonën “Shengen”, duke rikthyer çështjen e regjimit të vizave. Sipas “Albanianscreen”, Komisioni Europian ka futur tashmë në procedurë miratimi projektligjin që parashikon pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonën “Shengen”. Ky kufizim do të zbatohet ndaj atyre vendeve, qytetarët e të cilave vijojnë të kërkojnë azil në Europë, duke abuzuar me heqjen e regjimit të vizave. Megjithëse shkak i ndryshimit është bërë numri i lartë i azilkërkuesve nga Shqipëria e vende të tjera të rajonit, mekanizmi që parashikon rikthimin e regjimit të vizave, përfshin të gjitha vendet e Ballkanit që kanë përfituar liberalizimin e vizave.

Raportuesja e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Tanja Fajon, ka komentuar dhe nismën që do të shqyrtohet nga  Komisioni Europian, për hapat që po ndiqen konkretisht për miratimin e këtij ligji. “Situata është serioze. Ajo që jemi duke u përballuar tani, sidomos disa vende të Bashkimit Europian si Belgjika, Luksemburgu, Suedia  dhe Gjermania është me të vërtetë shqetësuese. Numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka ardhur duke u shtuar. Unë mendoj se qeveritë e këtyre e vendeve kanë marrë disa masa, por ato nuk janë të mjaftueshme. Dhe tani ne kemi në duar një propozim të Komisionit Europian për pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë. Pezullimi mund të bëhet për disa muaj. Unë shpresoj që në të ardhmen, asnjë shtet të mos hyjë në listën e zezë të Shengenit”, tha Fajon për “AS TV”.

Sipas saj bëhet fjalë për të vendosur disa kritere ligjore. “Tani po bisedojmë se cilat  mund të jenë këto kritere, që  një vend anëtar i BE-së, që ka probleme, mund t’i imponojë për të rivendosur regjimin e vizave. Atmosfera në këto vende të prekura nga fluksi i azilantëve është shqetësuese, por siç e thashë, ne këtu në Parlament jemi duke bërë maksimumin, aq sa mundemi, për të mos e rrezikuar lëvizjen e lirë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por kjo nuk është vetëm në dorën tonë. Qeveritë e këtyre vendeve duhet të marrin masa që të mos ketë abuzime me sistemin e lëvizjes së lirë”, deklaroi Fajon.

Raportuesja në PE për çështjen e Shqipërisë bën të ditur se projektligji është në fazën e diskutimeve, ndërsa  paraqitja e tij në Parlament pritet të bëhet në fund të nëntorit. “Komisioni Europian ka bërë një propozim që në muajin qershor të këtij viti. Ky tekst është duke u diskutuar me dy komisionet e Parlamentit Europian; me atë të Drejtësisë e të Lirive Civile dhe të Punëve të Jashtme. Raportues dhe ekspertë po merren me të dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm  për këtë edhe me Presidencën polake të BE-së, me Komisionin Europian dhe vendet anëtare. Pritet që ky raport të paraqitet në Parlament në fund të muajit nëntor. Për ne është me shumë rëndësi që Parlamenti do të jetë gjithashtu i përfshirë në këtë proces.

Dhe ne nuk mund të lejojmë që disa vende të BE-së t’i përdorin këto propozime, në këtë situatë, si mjet politik për të ndaluar vendet me numër të lartë të azilkërkuesve. Ne  do të vendosim kritere strikte se kur vendet e BE-së, për shkak të numrit të azilkërkuesve, të kenë të drejtë ta rikthejnë regjimin e vizave”, theksoi eurodeputetja. Pak kohë më parë sekretari i Shtetit për emigracionin belg, Melchior Wathelet, apeloi mbi rreziqet e azilkërkuesve ndërsa tha se po aplikohet një procedurë 15-ditore për verifikimin e tyre.

Sakaq për projektligjin e Komisionit Europian, për pezullimin e lëvizjes së lirë, nuk ka ende një konsensus në gjirin e vendeve të BE-së. Për këtë qëllim, po punohet për të vendosur kritere shumë të sakta se kur një vendi i rikthehet përkohësisht regjimi i vizave ose futet në “listën e zezë të Shengenit”. Shqetësimi i BE-së vjen për vendet e Ballkanit, përfshi Shqipërinë, ndërsa rrezikohet një kthim i mundshëm i regjimit të vizave. Komisioni i Bashkimit Europian i ka dërguar një letër nëpërmjet komisioneres Mallstrom të gjithë ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë në muajin shtator të këtij viti.

“Në rrezik janë rezultatet e regjimit për liberalizmin e vizave”, shkruan Mallstrom në letrën e saj për ministrin Bujar Nishani dhe të tjerët. Lajmin e konfirmuan mediat italiane dhe agjencia e specializuar për çështjet e emigracionit, “Immigrazioneoggi”, por dhe “Stranieri”. Sipas një verifikimi të kryer nga Komisioni i BE-së për çështjen e vizave në të gjithë zonën “Shengen”, rezulton se kërkesat për azil të emigrantëve janë në rritje që prej dy vitesh dhe në veçanti prej dhjetorit 2010, kur përfitoi Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina. Por problem përbëjnë edhe vende si Serbia, Maqedonia, Mali i Zi.