e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Veriu te mbrohet nga shteti, jo nga banoret

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Veriu te mbrohet nga shteti, jo nga banoret
Apeli për “mbrojtje të pragut të shtëpisë”, të cilin kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ua ka bërë një ditë më herët banorëve shqiptarë që jetojnë një pjesën veriore të qytetit të ndarë, është cilësuar skandaloz nga drejtuesit e Kuvendit të Kosovës. Si deputetët e koalicionit qeverisës ashtu edhe ata të opozitës kanë deklaruar se qytetarët nuk janë të obliguar të vetorganizohen në mbrojtje nga sulmet terroriste, por janë institucionet ato që duhet të ofrojnë siguri për ta, pasi këtë e kanë edhe obligim kushtetues.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ndonëse nuk ka parapëlqyer ta komentojë drejtpërdrejt deklaratën e Kastratit, ka thënë prerazi se përgjegjësinë për të garantuar siguri në çdo cep të tërësisë shtetërore e kanë mekanizmat vendës dhe të jashtëm të sigurisë. “Sigurinë duhet ta bëjnë institucionet e Kosovës…..Ato duhet ta mbrojnë të drejtën dhe jetën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Për shefin e Grupit parlamentar të lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, rekomandimi që u ka bërë Kastrati qytetarëve të vet është dëshmi se institucionet vendëse nuk janë të gatshme për t’i marrë përgjegjësitë për zgjidhjen e problemit në veri. “Deklarata e kryetarit të Komunës është skandaloze për faktin se u thuhet qytetarëve se duhet t’ia gjeni çarenë vetes se ne s’mund t’u ndihmojmë asgjë. Pra, kjo është një tërheqje e pushtetit dhe institucioneve nga përgjegjësia që e kanë”, ka deklaruar Ymeri.