e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Theodhori Sollaku - 'Perse nuk ishte puc'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Theodhori Sollaku - 'Perse nuk ishte puc'
Dhori Sollaku, paraardhësi i kryeprokurores Ina Rama, reagon me një gjest bezdie e dëshpërimi, teksa i kujtojmë se ajo që po ndodh sot me organin që drejtonte dikur, është një film i parë tashmë. I shkarkuar në 22 nëntor 2007 nga presidenti Topi, Sollaku vazhdon të besojë se institucionet e pavarura ndodhen në presionin e fortë të politikës

Zoti Sollaku, aktualisht po përjetojmë një krizë të thellë institucionale, ndoshta më seriozen pas vitit 1997. Marrëdhëniet mes presidentit, qeverisë dhe një pjese të sistemit të drejtësisë janë përkeqësuar skajshëm. Si e shihni ju këtë konflikt ?

Konstatimi juaj është një gjë që e sheh cdo shqiptar. Situata konfliktuale ka qenë prezente në Shqipëri pas vitit 2005, për shkak të riardhjes në pushtet të një njeriu, i mësuar, në mandatin e tij të parë, që të jetë shef i të gjitha pushteteve në vend. Situata e re, pas viit 2000, ndryshonte kryekëput me vitet e presidencës së Sali Berishës, më 92-97, pasi institucionet kishin filluar të formonin individualitetin e tyre në shtetin e së drejtës, duke u konsoliduar në drejtim të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së tyre. Nisur dhe nga karakteri i tij, Berisha kërkon që të kontrollojë me cdo kusht, cdo gjë në këtë shtet. Nga ana tjetër, e ka të pamundur ta bëjë një gjë të tillë në situatat e reja. Kjo e ka kthyer kryeministrin në një njeri të lodhur psiqikisht. Mesa duket, etja për të mbajtur me cdo kusht pushtetin, edhe kur nuk i ke marrë votat e popullit, apo kur qeverisja të është zhytur në llumin e korrupsionit dhe të paligjshmërisë, e ka bërë tepër nervoz kryeministrin. Kjo reflektohet qartë edhe në gjuhën e dhunshme, pothuajse cdo ditë para kamerave e në cdo lloj podiumi.

Nuk them se veprimtaria e institucioneve të tjera të shtetit ka qenë dhe është perfekte. Mund të ketë dhe me siguri ka probleme që nuk shkojnë si duhet, por zgjidhja nuk duhet kërkuar duke përdorur dhunë verbale, duke bërë presione direkte apo indirekte, personalisht apo nëpërmjet mediave pranë teje. Politika, së pari, është mjet i komunikimit njerëzor dhe i kompromisit, bazuar në disa parime e vlera, dhe që i shërben shoqërisë.

Nëse shohim c’po ndodh së fundi, s’mund të mos vërejmë akuzat qesharake për pjesmarrje në puc shteti të Presidentit, sepse nuk ka parë a dënuar dhunën, të Prokurorit të Përgjithshëm, sepse nuk heton pucin, apo Kreut të Shish-it, pse nuk ka dhënë informacion për puc shteti.

Siç e thashë edhe më lart, ka vënd për kritika ndaj këtyre institucioneve, por të një natyre krejt tjetër. Presidenti duhej të ngrinte zërin fort për vrasjet e katër të pafajshmve nga ana e shtetit. Prokurorja e Përgjithshme duhej të vepronte ndaj shkaktarve që pengojnë bërjen e drejtësisë. Përsa i përket Shish-it, nuk e di si është e vërteta, sepse nuk ka ndonjë prononcim të atij institucioni. Por për aq sa e njoh mënyrën e funksionimit të këtij shërbimi, jam i bindur që ata duhet të kenë dërguar informacione, qoftë edhe për të qenë...

...në rregull me procedurat. Në fakt sulmi ndaj Shish-it behet jo se nuk kanë dërguar informacion, por sepse kërkohet me cdo kusht që Shish-i të thoshte patjetër që po përgatitej puci për të përmbysur qeverinë. E meqënëse ata nuk kanë informuar për pucin imagjinar, ata etiketohen pucistë dhe kërkohen të vihen para komisionit hetimor, duke synuar që të provojnë tezën e qeverisë, se 21 janari ishte një grusht a puc shteti në tentativë, dhe se përgjegjës për viktimat janë pucistët. Kjo është një strategji miope që në nisje.

Organi i akuzës, të cilin ju e keni drejtuar për shumë vite, është aktualisht objekt hetimi nga një komision parlamentar. Si e gjykoni së pari, statusin e këtij komisioni dhe së dyti, si e shihni këtë pozicion të prokurorisë së përgjithshme, pas ngjarjeve të 21 janarit?

Për cilindo që i ndjek ftohtë dhe nga jashtë ngjarjet, është mëse e qartë që ky komision hetimor nuk është gjë tjetër vecse një alibi për vrasjet e njerëzve të pafajshëm në datë 21 janar. Statusi i këtij komisioni është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën. Edhe vetë nismëtarët e këtij komisioni, të paktën kohët e fundit, me refuzimin që i bënë komisionit të kërkuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, kanë kuptuar se nuk mund të ngrihet komision pa patur fakte apo grup faktesh, të cilat kanë nevojë të hetohen më tej dhe që përbëjnë një cështje me rëndësi të vecantë. Deri më sot kemi dëgjuar nga kryeminstri se ka patur një tentativë për puc shteti, ku janë përfshirë disa nga institucionet e pavaruara, pavarësisht se nuk është paraqitur asnjë fakt e jo më grup faktesh.

Mendësia që hetimi i komisionit synon t’i gjejë këto fakte gjatë rrugës, vjen ndesh me jurisprudëncën e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni hetimor nuk mund të ngrihet për të gjetur fakte në të ardhmen. Ato duhet të ekzistojnë përpara se komisioni të ngrihet. Mendimi “hajt se po futemi me hetim në komision, e të shohim se cfarë mund të gjejmë gjatë rrugës”, bie ndesh me qëllimin e komisioneve hetimore. Nga ana tjerër, të dhënat për grusht a puc shteti që dëgjojmë shpesh t’i përmendë Kryeministri, edhe nëse vërtet ka të tilla, duket se janë informacione policore të krijuara pas ngjarjes. Edhe për këtë fakt të vetëm, ato nuk janë të besueshme dhe nuk mund të justifikojnë krijimin e komisionit hetimor. Nëse vërtet informacionet do të ishin prezente para fillimit të demostratës, ishte detyrë e policisë që të ndërtonte punën për të parandaluar veprimet e dënueshme të individëve të caktuar, të etiketuar në propagandën qeveritare, si banditë a terroristë. Për këta të fundit, opinoni publik ka dëgjuar shpesh që qeveria i ka asgjësuar me kohë. Tani na del që kjo qeveri paska toleruar bandat e opozitës. A ka njeri që e bëson një logjikë të tillë?

Së dyti, mendoj se prokuroria është duke ushtruar detyrën që i ngarkon ligji dhe kushtetuta. Nuk di hollësi, por jam i bindur se prokurorët duhet të kenë administruar me iniciativën e tyre apo me referim nga policia, cdo fakt që ka lidhje me ngjarjen e datës 21 janar. Pretendimi se prokuroria nuk po heton pucin e shtetit, të referuar nga policia, është absurditet. Policia ka për detyrë të referojë faktet që ajo i quan kriminale, por se cfarë cilësimi ligjor marrin ato fakte, kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin kushtetues apo kundërshtim i forcave të rendit, kjo është kompetencë e prokurorit. Është vetëm ky i fundit që ka kompetencën të bëjë cilësimin ligjor sipas Kodit Penal, edhe të fakteve të referuara nga policia. Ngritja e akuzës mund të bëhet në fillim, gjatë apo në përfundim të hetimeve. Kjo, në varësi të kohës kur prokurori cmon se janë administruar fakte që të lejojnë të nxjerrësh një konkluzion dhe se cfarë vepre penale është konsumuar.

Përsa i përket urdhërave të ndalimit të gardistëve, të debatuara shumë ditët e fundit, nuk do më cudiste fakti që gjykata, kur ato të shkojnë për vleftësim pasi të ekzekutohen, sikundër mund t’i miratonte, ashtu dhe mund t’i quante të paligjshëm. Disa prej tyre, apo edhe të gjithë, sic ndodh shpesh në praktikën e përditshme. Por është vetëm gjykata ajo që mund të thotë një gjë të tillë dhe jo kryeministri apo deputetët.

Ashtu si gjykata peshon dhe gjykon veprimet e prokurorisë, ashtu dhe prokuroria është gjykatë e policisë. Nuk mund të ndodhë kurrë që policia, apo persona të tjerë, të gjykojnë ligjshmërinë e veprimeve të prokurorisë. Ata janë të detyruar t’i zbatojnë urdhërat e prokurorit dhe të gjitha pretendimet për paligjshmëri duhet t’i adresojnë në gjykatë. Ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe kushdo, e vecanërisht qeveritarët, duhet të edukohen me këtë frymë.

Cilat do të ishin, sipas jush, elementet që ju kanë bërë më shumë përshtypje në këtë hetim parlamentar ndaj kreut të shtetit, shërbimeve sekrete dhe organit të akuzës?

Pikë së pari bie në sy që inicuesi i krijimit të komisionit hetimor është Kryeministri i vendit, i cili haptazi u tregon shqiptarve se është ai që ka diktuar edhe objektin e hetimit dhe mënyrën se si do të procedohet. Bile ka marrë përsipër edhe rolin e zëdhënësit të atij komisioni, duke bërë publike se cfarë ka dalë deri më tash, e cfarë do të behet në të ardhmen, do të thirren gazetarët, presidenti apo jo. Nëpërmjet komisioneve hetimore ai po kërkon që të artikulojë të ashtuquajturat fakte, që në fakt nuk i ka patur kurrë, për ta bërë më bindese propogandën e tij në popull.

Nga ana tjetër, fryma që zoti Berisha ka futur në PD, bën deputetët, jashtë bindjes së tyre, të kthehen në aktorë-kllounë, duke luajtur rolet në atë formë që i pëlqen kreut të partisë. Nota që do të vërë kryeministri në këtë shfaqje, përcakton karierën politike të tyre në të ardhmen. A nuk ka ndodhur kështu me deputetët, anëtarë të komisioneve të fundit hetimore?! Kjo është një taktikë e njohur e tij gjatë këtyre viteve. Kur qëndrimeve të tij të paligjshme u del boja, ai përdor komisionet hetimore si mburojë, si komardare, me shpresën e shpëtimit të nderit personal para shqiptarve.

A ka pasur, për mendimin tuaj si ekspert, një grusht shteti në Shqipëri në datën 21 janar 2011?

Grusht shteti mund të quhet 21 janari, aq sa mund të quhen të tilla demostratat që zhvillohen shpesh në të gjitha vendet normale rrotull nesh. Kemi parë që cdo mbledhje e përfaqësuesve të shteteve të fuqishme si psh mbledhjet e G8, shoqërohen me demostrata të fuqishme të ambjentalistëve apo antiglobalistëve; kemi parë kohët e fundit demostrata të fuqishme në Greqi, Francë, Angli, Itali, ku demostruesit jo vetëm kanë gjuajtur me gurë e shkopinj forcat policore, por edhe kanë hyrë brenda në ambjentet e institucioneve qeveritare. Është detyrë e shtetit të garantojë ushtrimin e të drejtës së qytetarve të vet për tubimet, ashtu sikundër shteti ka të drejtë që të neutralizojë ata demostrues që kryejnë veprime të dhunshme. Por kurrsesi t’i torturojë në komisariate apo më keq akoma, t’i vrasë demostruesit, sic ka ndodhur tek ne. Për fat të keq, viktimat e 21 janarit, sic kanë treguar edhe pamjet e transmetuara në televizione, nuk kanë treguar agresivitet dhune, pra nuk meritonin as goditjet me shkop, e jo me goditjen me armë zjarri. Nga ana tjetër, situatat e dhunshme të 14 shtatorit të vitit 1998, ndryshojnë kryekëput nga ajo e 21 janarit. Megjithëse demostruesit ishin paisur me armë të kalibrave të ndryshëm, megjithëse u pushtuan disa institucione, përsëri nuk u quajt grusht shteti, por grumbullim i njerëzve të armatosur. Në shtetet demokratike, ku pushteti fitohet vetëm me konkurim në zgjedhje pluraliste, nuk ka asnjë shans të ekzistojë mundësia e grushtit të shtetit nga opozita.

Nga ana e qeverisë dhe strukturave në varësi të saj, flitet shumë se strukturat policore e ato të Gardës kanë mbrojtur shtetin dhe rendin kushtetues. Si i gjykoni këto qëndrime?

Duhet patur parasysh që qeveria e sotme dhe strukturat e implikuara në vrasjet e 21 janarit, janë në pozitën e të pandehurit. Duhet të dini gjithashtu se sipas ligjit, këta të fundit nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për cfarë deklarojnë. Nuk ka shpjegim tjetër që, vecanërisht Kryeministri, del para shqiptarëve duke deklaruar qëndrime kontradiktore në periudha të shkurtëra kohore. Është bërë mëse e zakonshme që ta shohim atë duke ndryshuar versionet për të njëjtën ngjarje, ndryshe deklaron paradite, e ndryshe pasdite. Parë në këtë aspekt, këto struktura janë në të drejtën e tyre ligjore të mbrojtjes. Por, nga ana tjetër, duke shfrytëzuar këtë të drejtë, ata kanë humbur, qoftë edhe për këtë fakt, të drejtën për të qeverisur shqiptarët.

Duhet të kemi parasysh se janë vrarë katër njerëz të pafajshëm jashtë territorit të kryeministrisë. Është një ngjarje shumë e rëndë dhe për këtë përgjegjësit janë shumë koshientë se cfarë do të thotë kjo. Por gjykoj se kanë zgjedhur rrugën e gabuar të mbrojtjes, vecanërisht me pengimin haptazi të institucionit të ngarkuar nga Kushtetuta për të zbardhur ngjarjen.