e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Tentoi vetevrasjen per 6 dynyme toke ne Gjirokaster

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Tentoi vetevrasjen per 6 dynyme toke ne Gjirokaster
Teksa ishte drejt përfundimit operacioni i shpëtimit të 57-vjeçarit të hipur në shtyllën e tensionit të lartë në rrugën “Don Bosko”, aty ku të gjithë të pranishmit po duartrokisnin forcat speciale RENEA, ka ndodhur një tjetër ngjarje e rëndë. Oficeri i repartit special ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar nga shtylla. Ardian Dibra, një nga oficerët më të mirë të repartit special, i njohur nga kolegët si “Gozhda”, ka rënë nga një lartësi prej 4-5 metra, duke u dëmtuar rëndë. Reflekset e tij prej speciali kanë bërë që ai mos të binte me kokë, por nga një goditje dytësore ka pësuar një dëmtim në tru.

Plagosja e oficerit

Pasi kanë shpëtuar 57-vjeçarin gjirokastrit, oficeri special Ardian Dibra, 41 vjeç, baba i një djali dhe një vajze, ka nisur të zbresë nga shtylla. Pak pa mbërritur, rreth 4-5 metra lartësi, ai ka dashur të vendosë këmbën në një nga mbajtëset e shtyllës, por aty ka humbur ekuilibrin dhe forca e duarve e ka lëshuar. Ai ka tentuar të mbështesë këmbën dhe të forcojë njërën dorë që e kishte në shtyllë, por nuk ka mundur, duke rënë në trotuar. Shuplakat e njerëzve, të cilat ishin për të përgëzuar operacionin e RENEA-s, janë ndërprerë nga një klithmë ankthi, kur u mendua se oficeri i RENEA-s ra me kokë në tokë. Menjëherë, shokët e kolegët e tij të RENEA-s janë afruar për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërkohë që është vënë re se ai kishte mundur të manovronte në ajër dhe të binte me shpatull në trotuar. Por, forca goditëse nga rënia e lirë ka sjellë një goditje të dytë për të. Pas përplasjes, koka ka bërë një përplasje në anën e majtë, duke i shkaktuar gjendje të fikëti. Menjëherë, ai është nisur për spital, gjysmë gjallë e gjysmë vdekur, ndërkohë që të gjithë kanë mbetur të shtangur me shpresën që ai të shpëtojë. Në spital, oficeri i RENEA-s, është përmendur, por ende gjendja e tij shëndetësore mbetet e rënduar.

Kirurgu Ali Lila

Për gjendjen e efektivit të rrëzuar nga shtylla gjatë operacionit ka folur disa orë më vonë mjeku kirurg Ali Lila. Sipas tij, “41-vjeçari po mbahet në reanimacion dhe gjendja shëndetësore është serioze. Ai ka shpjeguar se oficeri i RENEA-s ka shembje në mushkëri dhe shpatull. Sipas mjekut, pas diagnostifikimeve të bëra rezulton se mushkëria i ka mbledhur pak ujë. “Nëse ajri do të shtohet, do të vendoset një tub për ta thithur. Gjithashtu ka dëmtime serioze në tru”, ka shpjeguar mjeku, ndërsa ka përjashtuar mundësinë e një ndërhyrje kirurgjikale brenda 24 orëve. Ndërsa në spital kanë mbërritur shumë efektivë të repartit RENEA, bashkë me komandantin e tyre Luigj Vathi. Por, për tu interesuar për shëndetin e oficerit të repartit special kanë ardhur edhe drejtuesit e policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe Tonin Vocaj, ndërkohë që nuk kanë munguar shumë drejtues të tjerë, miq të Dibrës, si drejtori i shkollës së policisë Hamdi Fjora, apo edhe kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, që për një periudhë të gjatë ka qenë pjesë e këtij reparti special.

Jeta e tretë

Përmirësimi i gjendjes së oficerit të RENEA-s do të ishte si një jetë e tretë për të, pas vuajtjes së gjatë që ka pasur pas një plage të marrë me thikë. Për një kohë jo të shkurtër, ai kishte vuajtur që të mbyllej ajo plagë dhe në momentin e plagosjes, oficerët e tjerë kishin menduar se e humbën, por ka mundur të mbijetojë. Edhe këtë herë, shpresa e oficerëve për Ardian Dibrën është se do t’ia hedhë paq për të jetuar jetën e tretë në shërbim të repartit elitë RENEA. Vite më parë, ai është plagosur gjatë një ndërhyrje për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë. Prej pothuajse 15 vitesh, ai shërben në repartin special RENEA, në strukturat e ndryshme të saj, që nga grupet e ndërhyrjes, negocimi, instruktimi, apo zhytja. Për një periudhë kohe, ai ka qenë instruktor edhe në shkollën e policisë, ndërkohë që kohët e fundit ishte kthyer sërish pranë repartit special RENEA.